Vëzhgimi në Tiranë/ Shitja e librave, radhë të gjata e tekste pa pullë

Shqipëria

Vëzhgimi në Tiranë/ Shitja e librave, radhë të gjata e tekste pa pullë

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 08:10
Ilustrim

Orë të tëra në radhë për të blerë setin e librave, i cili gjithsesi nuk shitet i plotë. Mungesa e disa titujve që ende nuk janë pajisur me pullë do t’i detyrojë prindërit t’i drejtohen ditë më vonë pikave të autorizuara të shitjes për të kompletuar të vegjlit e tyre deri në ditën e parë të shkollës.

Me qëllim shmangien e radhëve të gjata, specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë apeluar vazhdimisht prindërit të mos e lënë blerjen e tyre për ditët e fundit. Por si duket, kjo nuk vlen. Në ditën e tretë të ndarjes së teksteve, disa prej tyre i janë kthyer normalitetit, ndërkohë që në të tjera, situata paraqitet problematike.

“Kam mbi tre orë këtu në radhë për të blerë tekstet për dy fëmijët e mi dhe me ç’po më thonë, nuk janë të gjitha. Do ishte më mirë që ato të ndaheshin në shkolla”, thotë një prind i shqetësuar në pikën e shitjes, pranë shkollës “Vasil Shanto”.

LIBRAT MANGËT

Janë një ose dy tituj librash nga klasa e pestë në të nëntën që ende nuk janë pajisur me pullën përkatëse, detyrim ky i përcaktuar edhe në urdhrin për përzgjedhjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve për vitin shkollor 2017-2018.

“Shitja e teksteve shkollore të bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera nga subjekte të licencuara. Me kërkesën e distributorëve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara t’u vënë në dispozicion falas një ose dy ambiente për shitjen e teksteve shkollore për periudhën 25 gusht-10 shtator 2017. Tekstet shkollore që shiten duhet të kenë detyrimisht pullën me hologramën e MAS”. Librat që mungojnë janë kryesisht ata të gjuhës së huaj, anglisht, frëngjisht apo gjermanisht, si dhe tekstet me pak orë pune si ai i aftësimit teknologjik. Ndonëse do të dëshironin t’i merrnin të gjitha tekstet, prindërit thonë se situata është më e mirë në raport me një vit më parë.

“I morëm thuajse të gjitha librat, përveç gjermanishtes. Vjet ka qenë më kaos, por gjithsesi shpresojmë t’i marrim përpara se të nisë shkolla.” Sigurimi i teksteve nuk është shqetësimi kryesor. Gjithnjë e më shumë, prindërit ankohen për koston e lartë të tyre. Sipas një përllogaritje mesatare të librave nga klasa e parë në të nëntën, një prindi i duhet të shpenzojë minimalisht 2000-4500 lekë për të gjitha librat shkollorë. Nëse i shtohen shpenzimet e tjera të nevojshme si fletore pune, vizatimi apo mjete didaktike, kostoja bëhet edhe më e lartë, veçanërisht për familjet që jetojnë me të ardhura minimale.

Për këta të fundit e të tjera kategori në nevojë (të listuara në tabelën përbri) ka një skemë rimbursimi, nga e cila përfitojnë vetëm pasi t’i kenë blerë tekstet. Ndërkohë u rikujtojmë se duhet të ruajnë faturën për ta dorëzuar në shkollë, pasi në të kundërt, nuk përfitojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat