Politika shqiptare nuk mund të bllokojë më dot reformën në drejtësi

Shqipëria

Politika shqiptare nuk mund të bllokojë më dot reformën në drejtësi

Më: 12 janar 2018 Në ora: 08:16
Kuvendi i Shqipërisë

Politika shqiptare nuk ka më asnjë mundësi për të bllokuar apo zvarritur zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Mundësia e fundit ishte me kandidatët për anëtarë të organeve të Vetingut, por ata u miratuan falë marrëveshjes së 18 Majit, nën presionin e fortë të SHBA. Tashmë të gjitha organet e reja të drejtësisë mund të plotësohen automatikisht me anëtarë, edhe nëse mazhoranca dhe opozita shqiptare nuk arrijnë një konsensus, siç edhe ka gjasa të ndodhë. 

Me dërgimin e listës së kandidatëve për anëtarë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor në Kuvend, praktikisht, partitë që dominojnë Parlamentin, kanë dalë jashtë loje, pasi nuk kanë asnjë fuqi të bllokojnë më procesin. Në mungesë të një konsensusi mes PS, PD dhe LSI për të siguruar 2/3 e votave, pas votimit të tretë të dështuar, kandidatët për 10 vende në KLP dhe KLGJ konsiderohen të miratuar automatikisht, sipas renditjes.

Duke parashikuar situata të tilla bllokuese, mosmarrëveshje dhe konflikte në politikën shqiptare, ndërkombëtarët përfshinë në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë një mekanizëm zhbllokues për ngritjen e KLGJ dhe KLP. Paragrafi i fundit, i pikës 16, të nenit 35 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. parashikon që në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët listës konsiderohen të zgjedhur.

Sinjali i dështimit të konsensusit

Nuk ka dyshim se, sfida kryesore e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2018 është avancimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi. Në mbledhjen e parë të organeve të Kuvendit për këtë vitit, konkretisht, Konferencës së Kryetarëve, është diskutuar pikërisht miratimi i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, dy organeve më të rëndësishme të gjyqësorit të ri.

Ngritja e KLP dhe KLGJ i hap menjëherë rrugën ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, ku të tria sëbashku përbëjnë atë që quhet SPAK-ut, i cili është kthyer në makthin dhe tmerrin e politikanëve. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka kërkuar të zbatohen me përpikmëri afatet për miratimin e anëtarëve të KLP dhe KLGJ.

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, ndërsa Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e Ruçit dhe anulimin e zgjedhjes së prokurores së përkohshme Arta Markut. Të dyja këto lëvizje rrisin mundësitë për të mos patur një konsensus mes opozitës dhe mazhorancës për zgjedhjen e anëtarëve të KLP dhe KLGJ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat