Dosja e telefonave të Dodës bashkohet me çështjen e Mirit

Shqipëria

Dosja e telefonave të Dodës bashkohet me çështjen e Mirit

Më: 10 mars 2018 Në ora: 09:07
Shkëlqim Miri

Gentian Doda, personi që është shpallur në kërkim nga prokuroria e Krimeve të Rënda, lidhur me çështjen e korrupsionit 30 mijë euro për gjyqtarin e Apelit Tiranë Shkëlqim Miri, do të gjykohet tek Krimet e Rënda,jo vetëm për korrupsion por dhe për dosjen e telefonit që policia i gjeti në qeli, prej nga informohej lidhur me korruptimin e gjyqtarëve, që po e gjykonin për akuzën e vrasjes.

Në muajin shkurt 2018 gjykata e Apelit Tiranë, me gjyqtarin kryesues Genti Shala dhe dy anëtarët Astrit Haxhialushi dhe Valdete Hoxha, kanë vendosur të mos pranojnë ankimin e prokurorisë Krujë, duke lënë në fuqi vendimin e 24 nëntorit 2017 të gjykatës së shkallës së parë Krujë.

“Shqiptarja.com” mëson se pikërisht kjo gjykatë me vendimin nr. 363 ka vendosur të shpallë moskopetencën për gjykimin e dosjes kundër të pandehurit Gjovalin Kadeli dhe Gentjan Doda, të akuzuar për veprën penale të “Mbajtjes të sendeve të ndaluara në ambjentet e burgut” (Dy telefona). Me këtë vendim, gjykata ka urdhëruar që dosja penale të transferohet nga Kruja, në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila tashmë ka një procedim të hapur ndaj të pandehurit Gentian Doda.

Burime pranë prokurorisë thanë se tashmë janë në pritje të mbëritjes së dosjes hetimore nga prokuroria e Krujës, dhe se sapo të kenë mbëritur aktet, shumë shpejt çështja kundër Dodës, gjyqtarit Shkëlqim Miri, dhe personave të tjerë të arrestuar për këtë çështje do të dërgohet për gjykim.

Kapja e Dodës me 2 telefona në duar

Në 8 qershor 2017 Gentian Doda, ndiqte me përpikmëri nëpërmjet telefonave që dispononte në burg, çdo lëvizje që kryenin miqtë e tij jashtë qelisë, të cilët një ditë para kishin siguruar me çmim të lartë një vendim në leverdi të tij, në Gjykatën e Apelit Tiranë, nga ku ai do rifitonte lirinë.

Papritur në qelinë nr.10 në burgun e Fushë-Krujës pikërisht në godinën “A” të këtij burgu tre efektivë të Grupit të Forcave Operacionale, kanë hapur befasisht derën e dhomës nr.10 për të ushtruar një kontroll për sendet e ndaluara. Kontrolli ishte iniciuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po ndiqte me shumë vëmëndje veprimet e Gentian Dodës, gjyqtarin të Apelit Tiranë Shkëlqim Miri, kushëririn e tij Kujtim Miri dhe Alban Buçi, të cilët në atë periudhë dyshoheshin për korrupsion.

Në momentin e futjes në dhomë të tre policëve Arif Osmanaj, Sefedin Shini dhe Admir Ismailaj, i dënuari Gentian Doda ndodhej në krevat gjysmë i shtrirë dhe se në dorë mbante një aparat celular. Menjëherë policët i kanë kërkuar fillimisht të dorëzonte telefonin celular, dhe pasi i dënuari Doda ka zbritur nga krevati, nga ana e policisë është konstatuar se sipër krevatit, ku ishte i shtrirë Doda, ndodhej dhe një telefon tjetër dhe një palë kufje.

Gjatë përpilimit të raportit të shërbimit i dënuari Gentjan Doda, pretendoi se aparatet telefonike nuk i kishte të vetat, duke pretenduar se dy telefonat “Black Berry” dhe “HTC” i përkasin të dënuarit me burgim të përjetshëm Gjovalin Kadeli.

Kadeli ishte në dush ku u kap telefoni

Megjithëse dy telefonat janë kapur në dorë të Gentian Dodës, ky i fundit ka mundur që të heqë përgjegjësinë nga vetja dhe tia kalojë një të dënuari tjetër. Gjovalin Kadeli që vuante dënimin në të njëtin sektor me Dodën në burgun e Fushë-Krujës, gjatë momentin të kontrollit të policisë, ishte duke u larë në dush. Por pavarësisht se ndodhej në një vend tjetër, Kadeli nuk e ka pasur problem të marrë autorësinë e veprës penale, duke përjashtuar nga përgjegjësia e krimit Gentian Dodën, që pikërisht në 7 qershor, pra një ditë para kontrollit ishte dënuar nga gjykata e Apelit Tiranë me 8 vite burg për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa lejë”.

Me këtë vendim shumë të kontestuar të dhënë nga gjyqtarët Agim Bendo, Flutura Skënderi dhe Shkëlqim Miri, ky i fundit i arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si i dyshuar për akuzën e korrupsionin, Doda kishte shlyer ditët e tij të qëndrimit në burg. Por kapja e dy telefonave në dorë një ditë pas këtij vendimi, do të thoshte shtimin e një akuze tjetër për Gentjan Dodën që mund të varionte me një dënim nga 1 deri në 3 vite burg, ndërkohë paralelisht me nisjen e çështjes hetimore do të thoshte dhe një masë sigurimi “arrest me burg”,duke i vështirësuar lirimin nga qelia Gentjan Dodës.

I dënuari Gjovalin Kadeli megjithësë në deklarimet e tij ka pohuar se ishte në dush duke u larë, nuk ka hezituar të marë përgjegjësinë për dy telefonat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat