Vettingu, nis seanca në KPA ndaj ish-Kryeprokurorit Llalla

Shqipëria

Vettingu, nis seanca në KPA ndaj ish-Kryeprokurorit Llalla

Më: 31 maj 2018 Në ora: 10:16
Adriatik Llalla

Ka nisur në orën 10:00 seanca e dytë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Mësohet se ish-Prokurori i Përgjithshëm i ka dhënë prokurë përfaqësimi avokatit Sokol Hazizaj. Prokura është dhënë në Turqi dhe është në dy gjuhë, në shqip dhe në turqisht.

Seanca e parë në KPA u shty nisur nga fakti se vetë Llalla nuk kishte dijeni për procesin dhe plotësimin e prokurës për avokatin e tij Sokol Hazizaj, për vazhdimin e procesit.

Gjatë seancës së parë, Hazizaj tha se vetë Llalla nuk është në dijeni të procesit dhe se vetë ai ka më shumë se 2-3 javë pa komunikuar me klientin e tij.

Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.

Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.

Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.

Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga vettingu u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit.

Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat