Karateistët e përfaqësuan Maqedoninë e veriut në gara ndërkombëtare, por paguan nga xhepi për pjesëmarrje

Sporti

Karateistët e përfaqësuan Maqedoninë e veriut në gara ndërkombëtare, por paguan nga xhepi për pjesëmarrje

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 11:36
Pamje nga konferenca

Shkuan për ta përfaqësuar Maqedoninë e Veriut dhe fituan medalje në garën Mesdhetare të karatesë.

Por, këta sportistë u deshtë që vetë të japin paratë nga xhepi i tyre.

Në fakt, prindërit thanë se i vetëfinancuan me nga 750 euro sepse Federata e Karatesë së Maqedonisë nuk iu dha asnjë qindarkë.

Danke Skotojkova fitoi medalje të artë, Besart Memeti dhe Andrej Basarov fituan medalje të argjendta, ndërsa Ilir Bajrami dhe ekipi senior fituan medalje të bronzta, por përveç talentit dhe djersës u deshtë që të paguajnë vet. Nga Drejtoria e Federatës nuk ishin të gatshëm të flasin për këtë fenomen, por foli seleksionuesi i karatesë Berat Jakupi.

“Kampionati Mediteran sipas vendimit të Federatës ishte me vetëfinancim për shkak se shpenzimet ishin shumë të mëdha, nëse do ti llogarisnim të gjitha ata që mund të merrnin pjesë, harxhimet ishin rreth 100 mijë euro, por s’jam i sigurt. Për shkak se Federata nuk ka aq mjete vendosën që këtë garë ta vetëfinancojnë”, deklaroi Berat Jakupi, Seleksionues i Federatës së Karatesë së Maqedonisë.

Paratë e shtetit janë dhënë për këtë garë thonë nga Agjencia e Rinisë dhe sportit. Drejtori Mojsovski tha se janë në dijeni që dikush ka abuzuar me paranë publike. Ai zotohet se do të hetojë rastin dhe do të merren marra, masa sepse ky fenomen është përsëritur vite me radhë.

“Ne për këtë program atyre iu kemi dhënë fonde, se a u ka kërkuar Federata e Karatesë para nga sportistët, ne e dimë që kjo nuk është për herë të parë.

Unë jam kundër asaj që vet prindërit të japin para për klubin sepse fëmijët shkojnë si reprezentues të Maqedonisë, përfaqësojnë shtetin, ne si Agjenci i kemi mbështetur financiarisht. Dëgjova që 70-80% e tyre kanë shkuar me paratë e veta dhe ne do ti hetojmë”, tha Naumçe Mojsovski, Drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Sipas programit të Agjencisë së Rinisë dhe Sportit, garat ndërkombëtare në çfarëdolloj sporti mbështeten financiarisht me para publike. Vitin e kaluar kjo Agjenci i ka dhënë buxhet vjetor mbi 200 mijë euro Federatës së Karatesë së Maqedonisë. Ëndrra e sportistëve tanë nuk varet vetëm nga suksesi i tyre në gara por edhe nga mundësia financiare e familjes. Ky fenomen sipas tyre është prezent edhe në sportet e tjera të juniorëve, kadetëve dhe seniorëve, andaj kërkojnë që kjo Agjenci të rikthehet në ministri për të centralizuar fondet buxhetore dhe zhvillimin e sportit në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat