Peshëngritja mban asamblenë, përjashtohet Kreshnik Leka si “sabotator”

Sporti

Peshëngritja mban asamblenë, përjashtohet Kreshnik Leka si “sabotator”

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 15:35
Pamje nga mbledhja

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka zhvilluar të premten asamblenë vjetore, e cila u mbajt në Shtërmen të Elbasanit. Me praninë e klubeve anëtare dhe kryesisë drejtuese, FSHP-ja zhvilloi analizën e sezonit të peshëngritjes, ndërsa fiksoi edhe objektivat.

Presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, theksoi edhe një herë se peshëngritja mbetet absolutisht sporti lider i Shqipërisë. “Federata e Peshëngritjes është federata më elitare e momentit në sport, duke qenë se mbajmë kurorën e medaljeve në krahasim me të gjithë sportet e tjera. U bëj thirrje të gjithë të rinjve që të afrohen drejt peshëngritjes.

Qeveria ka bërë ligjin më të mirë në botë për peshëngritjen, ndërsa përveç këtij ligji në 2024-ën do të shtohen të ardhurat për sportin edhe nga hapja e basteve sportive”, deklaroi ndër të tjera Gjoza, i cili u rikujtoi klubeve kthimin në shoqata sipas ligjit, ndërsa prezantoi edhe arritjet e sportistëve gjatë vitit 2023 si dhe aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të zhvilluara nga FSHP-ja, por edhe kampionatet të zhvilluara jashtë Shqipërisë.

Me 100% të votave u vendos gjithashtu edhe për miratimin e statutit të ri. Ndërkohë, Gjoza shtroi gjithashtu edhe një problematikë që sipas tij ka mbizotëruar në Klubin Shumësportësh Teuta, duke përjashtuar drejtorin e durrsakëve, Kreshnik Lekën, si sabotator.

“Kreshnik Leka u përpoq të ndalonte zhvillimin e Kampionatit Botëror për të Rinj në qytetin e Durrësit në pallatin e sportit ‘Ramazan Njala’ disa ditë më përpara. U bisedua me Ministren e Arsimit dhe Sporteve, Kryeministrin dhe Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe çdo gjë u zgjidh, federata jonë nuk dështoi, por shkëlqeu në këtë aktivitet. Sikur mos mjaftonin këto, ai vazhdoi të flasë kundër federatës vetëm për dashakeqësi. Ky person abuzon edhe me pagat e sportistëve duke i detyruar ata t’i kthejnë një pjesë të pagës mbrapsht”, ishte deklarata e FSHP-së për gazetën, e shoqëruar me akuza të forta ndaj Kreshnik Lekës.

Bordi Ekzekutiv dhe Komisioni i Disiplinës i propozojnë kësaj asambleje përjashtimin e Lekës nga të gjitha aktivitetet e FSHP-së. Gjoza e hodhi në votim këtë propozim, ndërsa me shumicën e votave u vendos përjashtimi i Kreshnik Lekës. Pas asamblesë, delegatët e komunitetit të peshëngritjes patën mundësinë që të shijonin edhe kulinarinë e Shtërmenit, teksa u mbajt dreka tradicionale e shtruar nga federata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat