​Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ende s’ka asnjë hap konkret në infrastrukturë

Sporti

​Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ende s’ka asnjë hap konkret në infrastrukturë

Më: 3 janar 2024 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Kosova ka marrë zotimin për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, një eveniment ky tejet gjigant sportiv, i cili kërkon përgatitje të mëdha në aspektin njerëzor dhe atë infrastrukturor.

Megjithëse janë edhe gjashtë vjet deri te mbajtja e këtij aktiviteti të madh sportiv, volumi i punëve dhe investimeve që duhet bërë është tejet i madh, por edhe më tutje institucionet përgjegjëse për këtë fushë nuk kanë nisur ndonjë punë konkrete në terren, derisa thonë se janë në përgatitje të infrastrukturës ligjore si dhe masterplanit për Lojërat Mesdhetare.

Zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani thotë se aktualisht po punohet në Ligjin për Lojërat Mesdhetare, krijimin e Komitetit Organizativ, si dhe në studimin e fizibilitetit për investimet infrastrukturore.

Osmani: Po punojmë në ligjin dhe masterplanin e Lojërave Mesdhetare

“Janë tre hapa kryesorë në të cilët jemi duke punuar. Së pari, hartimi i Ligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, praktikë kjo e ndjekur nga shumë shtete të tjera nikoqire të organizimeve të ngjarjeve të tilla multisportive në botë...Përmes ligjit do të krijohet bazë ligjore edhe për themelimin e Komitetit organizativ të Lojërave Mesdhetare 2030, që do të ketë një kompozim shumë të përzier për shkak të përfshirjes të të gjitha këtyre strukturave, aq më tepër, siç e dimë, është hera e parë në historinë e Lojërave Mesdhetare që organizimi do të bëhet edhe përtej kufijve të Kosovës...Hapi i dytë në të cilin po punohet paralelisht me ligjin është masterplani... do të thotë të gjitha investimet e reja që do të bëhen për Lojërat Mesdhetare. Fillimisht, duhet t’iu paraprijë studimi i fizibilitetit që të shohim saktësisht ku është vendi ideal, ku janë nevojat më të mëdha, ku është vendi që do t’i shërbejë më së miri sportistëve edhe pas Lojërave Mesdhetare”, theksoi Osmani.

Pjesa dërmuese e këtyre lojërave do të zhvillohen në Prishtinë, andaj nënkryetari i kësaj komune, Alban Zogaj ka thënë se gjatë katër viteve të ardhshme do të investohen nga 50 milionë euro në infrastrukturën sportive në kryeqytet, por edhe jashtë tij.

Zogaj: Presim nisjen e ndërtimit të fshatit olimpik dhe sallave sportive

“Kanë filluar përgatitjet, sepse ne gjatë këtyre viteve të ardhshme duhet të hyjmë në investime serioze. Pra, presim të investohen rreth 250 milionë euro gjatë pesë vjetëve të ardhshëm që i bie diku rreth 50 milionë euro në vit investime për infrastrukturë sportive dhe Prishtina është fokusi i këtyre investimeve. Kemi komunikimet e para dhe tani presim të hyjmë në plane konkrete për ndërtimin e sallave sportive, fshatit olimpik në Bërnicë të Poshtme, në mënyrë që të përgatitemi për Lojërat Olimpike Mesdhetare 2030”, tha Zogaj.

Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi pranon se fillimi i përgatitjeve nuk po del të jetë aspak i lehtë, por në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit do të bëjnë më të mirën në këtë drejtim.

Krasniqi: Fillimi është i vështirë, por jemi gati për të nisur punët konkrete

“Padyshim që ka nisur, jemi në kontakt çdo moment me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Fillimi është pak më i vështirë, sepse duhet të bëhet Ligji për Lojërat Mesdhetare. Po e presim draftin e parë në fillim të 2024-së, ta dërgojmë në Komitetin e Lojërave Mesdhetare. Besoj që do të pranohet, por do të ketë ndonjë dyshim nga ai ligj, do të konsultohet me ministrinë dhe Komitetin Olimpik të Kosovës dhe në momentin kur votohet në qeveri, atëherë fillojmë me Komitetin organizativ, i cili do të formohet shumë shpejt dhe të fillojmë menjëherë me punë, sepse nuk na pret më koha. Do të fillojmë menjëherë me punë”, tha Krasniqi.

Njëra nga punët më voluminoze do të jetë ndërtimi i stadiumit nacional, punë e cila edhe më tutje nuk ka nisur në terren, por që ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku thotë se ndërtimi do të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Çeku: Ndërtimi i stadiumit nacional nis në gjysmën e dytë të vitit 2024

“Në renditjen e obligimeve tona fillimisht është Ligji për Lojërat Mesdhetare, i cili duhet të procedohet në Kuvend dhe të miratohet aty. Pas ligjit, ngrihet struktura organizative, ose Komiteti organizativ i Lojërave Mesdhetare dhe menjëherë autorizohet një masterplan, i cili e bën analizën e përgjithshme dhe jep orientime dhe një nga këto orientime të masterplanit që ne duhet ta kemi gjatë verës...janë edhe lokacionet për infrastrukturën e re, përfshirë stadiumin nacional, kompleksin e pishinave olimpike dhe disa të tjera që nuk i kemi sot...Projektin jemi duke e shikuar tashmë dhe besoj që procedurat për ndërtimin e stadiumit nacional do të fillojnë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Çeku.

Ndryshe, të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, Kosova e fitoi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit të Lojërave Mesdhetare më 8 shtator në Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat