Sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, i drejtohet Agim Kasapollit

Sporti

Sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, i drejtohet Agim Kasapollit

Nga: K. G. Më: 30 janar 2024 Në ora: 13:58
Agim Kasapolli, Shaban Tërstena e Zahir Shabani

Shaban Tërstena, kampion olimpik në vitin 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988, fitues i 19  medaljeve më të mëdha në planet dhe sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, i drejtohet me disa fjalë legjendës së basketbollit dhe të komentimit, Agim Kasapolli. 

“Për mua ishte një ditë ndryshe nga të tjerat edhe atë në zemër të Prishtinës, para 79 viteve një nënë shqiptare nga Peja, lindi legjendën e gazetarisë sportive, një patriot të madh shqiptar, komentatorin e papërsëritshëm, do doja ta cilësoja ndër më të mirët në të gjitha trojet tona ku flitet shqip, bëhet fjalë për Agim Kasapollin.

Bashkëbiseduam lirshëm, pa ndonjë tematikë të parapërgatitur, thjeshtë diskutuam për tema të ndryshme për të mirën e një shoqërie të shëndoshë, kësaj radhe biseduam  pak më shumë për sportin.

Unë, si kampion olimpik, jam krenar që e kam një shok, jo rastësisht për shumë vite më ka ndjekur në çdo cep të botës në çdo hap dhe në çdo betejë me kundërshtarët e mi. 

Bashkë i jemi gëzuar çdo fitoreje dhe çdo medalje të fituar në Lojërat Olimpike, si dhe kampionatet evropiane dhe botërore dhe në Lojërat Mesdhetare, gjegjësisht në të gjitha arenat sportive. Prandaj më paraqet nder dhe respekt miku im Agim, ne kemi jetuar në kohërat të vështira dhe kurrsesi nuk jemi dorëzuar, dhe kurrë as njëherësh nuk kemi kërkuar asgjë nga askush as nga shteti e as nga pushteti.

Por ishte një epokë e artë me plotë sukses, qëllimi i gjithsecilit ishte të lëmë "gjurmë" si sportistë shqiptarë  në tokën e gadishullit Ilirik.

Pra miku im, nuk kam se çka të them tjetër, tani Ju si një 79 vjeçar lutem Zotit të dhashtë  shëndet të mirë, jetë të gjatë e të lumtur, legjendës Agim Kasapollit”, ka shkruar Tërstena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat