​Cilat janë substancat e ndaluara dhe dënimet për shkeljen e ligji anti-doping në sport?

Sporti

​Cilat janë substancat e ndaluara dhe dënimet për shkeljen e ligji anti-doping në sport?

Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 13:12
Foto ilustrim

Ashtu sikur në të gjithë botën, edhe në Kosovë kërkohet respektimi rigoroz i ligjit Anti-doping në sport. Është Agjencia Kosovare e Anti-dopingut që ka kompetencë për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, si dhe testimin e sportistëve.

Koordinatori i Agjencisë Kosovare të Anti-Dopingut, Bernard Tahirbegolli, në një intervistë për KP, ka thënë se numri i sportistëve të testuar për substanca të ndaluara po rritet nga vitit në viti dhe se vetëm gjatë vitit të kaluar janë bërë 90 testime.

Tahirbegolli: Vitin e kaluar janë testuar 90 sportistë për doping

“Ne në vitin 2021 kemi filluar për herë të parë të testojmë sportistë dhe atë e kemi bërë përmes një donacioni që na ka dhënë WADA (Agjencia Botërore e Anti-Dopingut) dhe i kemi bërë vetëm dhjetë teste, menjëherë, një vit më vonë e kemi kaluar shifrën prej 30 testeve edhe në vitin që e kemi lënë pas janë bërë 90 testime dhe këto 90 testime janë bërë në 14 sporte, përkatësisht disiplina të ndryshme, qoftë edhe brenda garave dhe jashtë garave, tek djemtë dhe vajzat”, tha Tahirbegolli.

Nga të gjitha këto testime të bëra deri më tani, Tahirbegolli thekson se kjo agjenci nuk ka suspenduar asnjë sportistë.

Tahirbegolli: Deri më tani nuk kemi ndonjë lojtar që e kemi suspenduar

“Ne deri më tani nuk kemi ndonjë lojtar që e kemi suspenduar, si KosADA nuk e kemi suspenduar dikë për arsye se ja kemi gjetur një mostër, një substancë në mostër që e kemi marr, por nuk do të thitë që nuk del më vonë sepse jemi pothuajse çdo ditë që ka testime në regjione të ndryshme të Kosovës. Vitin e kaluar kemi pasur një trajnim edhe i kemi ngritur kapacitetet për zyrtar për kontroll të dopingut. Nëse në viti 2021 kemi qenë dy zyrtar, aktualisht i kemi 13 zyrtar që mund ta dalin menjëherë të marrin mostra në teren...Një sportist kur del pozitiv, një sportist nuk mund të konfirmohet që ka dal pozitiv në momentin që ia marrim mostrën sepse në Kosovë nuk kemi laborator, duhet të jetë një laborator që është i akredituar prej ËADA-s. Ne bashkëpunojmë më Austrinë ose me Ankaranë si laboratorë që i kemi afër edhe mund të dërgojmë mostra. Pasi që e dërgojmë mostrën atje, laboratori e merr kohën e vet, nganjëherë i ka dy apo tri ditë, nganjëherë dy apo tri javë, varësisht nga ngarkesat që i kanë dhe na e konfirmojnë në një sistem që quhet adams”, theksoi Tahirbegolli.

Por, në rast se një sportistë ose një organizatë sportive rezulton të jetë e përfshirë në përdorimin e substancave të ndaluara, dënimet janë mjaftë të larta. Ato variojnë nga 1.500 deri në 30 mijë euro.

Tahirbegolli: Gjobat për shkelje të ligjit janë nga 1500 deri në 30 mijë euro

“Ligji për Anti-doping përveç funksioneve i ka paraparë edhe gjobat. Sipas kodit botëror anti-doping, përveç se suspendohet sportisti ose ekipi, ose i merret titulli, medalja duhet ta kthej titullin që e ka prej momentit kur ka dal pozitiv. Për shembull ka marr medalje olimpike dhe duhet ta kthejë medalje olimpike sepse nuk mund ta mbajë medaljen olimpikë në shtëpi dhe të jetë i suspenduar për atë...Bursat nëse është duke i marr, për të gjithë kohën e suspendimit nuk mundet t’i marr, i ndërpriten të gjitha fondet publike, nuk mund të garojë apo stërvisë me ekipin...Edhe ka gjoba në të holla, për individ është deri 1500 euro gjoba që mundet të marr, ndërsa për organizata është deri në 30 mijë euro gjobë që mund të shqiptohet, por ka varet mandej nga vendimi i Komisionit Disiplinor”, bëri të ditur Tahirbegolli.

Tahirbegolli ka zbuluar edhe llojet dhe grupet e substancave që janë të ndaluara të përdoren nga sportistët.

Tahirbegolli: Këto janë grupet e substancave të ndaluara

“Ato substanca që janë të ndaluara aty janë të grupuara në disa kategori. Kategoria e parë janë substancat që janë të ndaluara gjatë gjithë kohës...një grup tjetër janë substanca që janë të ndaluara vetëm brenda garës. Kjo periudha brenda garës, me disa përjashtime, fillon një ditë më herët, në orën 23:59, deri të nesërmen pas lojës...Një grup tjetër i substancave janë substanca të ndaluara vetëm për sporte të caktuara. Për shembull në shigjetari janë të ndaluara metabllokatorët, ilaqe që një mjekësi i përdorin për të trajtuar probleme të zemrës...Mandej është edhe një grup tjetër i metodave të ndaluara, manipulimi me gjene, manipulimi me gjak, produkte të gjakut janë si metoda të ndaluara”, theksoi Tahirbegolli.

Zbatimi në praktikë dhe kontrollet në teren, Tahirbegolli thotë se fillimisht kishin hasur në disa pengesa, por me kalimin e kohës komuniteti sportiv është vetëdijësuar dhe se tani testimet për anti-doping, janë mëse normale.

Tahirbegolli: Nuk hasim pengesa në punën tonë në teren për testime

“Ne kemi testuar shumë në futboll, basket, xhudo, nuk kemi telashe asnjëherë. Ka investuar edhe federata edhe ne kemi investuar në edukim dhe tani nuk ka pengesa as nga zyrtarët e klubit as nga sportisti, secili i di detyrat dhe përgjegjësitë e veta dhe nuk përzihet në këtë. Normal në ditët e para kur kemi filluar ka pasur hezitime si kush je ti, nuk e ka njohur autoritetin, ka dashur të të pengojë. Të pengohet zyrtari i kontrollit të dopingut, mos të lejohet të hyjë në objekt ose mos të lejohet marrja e sportistit bën shkele të rregullit anti-doping sepse e ka penguar procesin. ..Për këtë fatmirësisht nuk kemi pasur telashe deri më tani dhe kemi gjetur një bashkëpunim edhe me klubet edhe me federatat, por edhe me sportistët, nuk ka paragjykime të tilla”, tha Begolli.

Ndryshe, ditëve të fundit u raportua se basketbollisti kanadez, Jordy Tshimanga i cili luan për KB “Trepçën”, është përfshirë në testet pozitive për doping, por deri më tani asgjë nuk është e konfirmuar në lidhje me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat