​Përkushtimi dhe këmbëngulja, arsyet pse vajzat janë më të suksesshme në sport

Sporti

​Përkushtimi dhe këmbëngulja, arsyet pse vajzat janë më të suksesshme në sport

Më: 16 mars 2024 Në ora: 12:26
Shumë medalje të arta kanë zbarkuar në Kosovë pikërisht pasi janë fituar nga sportistet femra.

Xhudo, boksi, hendbolli, karate e volejbolli janë vetëm disa nga sportet me të cilat Kosova po prezantohet suksesshëm në arenën ndërkombëtare, por veçantia e madhe e gjithë këtij suksesi është se po arrihet nga ana e vajzave. Shumë medalje të arta kanë zbarkuar në Kosovë pikërisht pasi janë fituar nga sportistet femra.

Një gjë e tillë po konsiderohet sukses mjaftë i madh, por edhe krenari për Kosovën pasi thyerja e shumë barrierave nga vajzat është e arritur e jashtëzakonshme. Ish-trajnerja e Kombëtares së Kosovës në futboll, Afërdita Fazliu, ka thënë se vajzat po i sjellin Kosovës sukseset më të rëndësishme dhe kjo duhet të sjellë reflektim te shteti pas vajzat kosovare kanë potencial të madh në sport.

Fazliu: Sukseset elitare në sport po arrihen nga vajzat

“Në aspektin shkencor ende nuk e kemi hulumtuar këtë çështje se cila është arsyeja reale e sukseseve të femrave karshi sukseseve të meshkujve të paktën në këto dy dekadat e pasluftës, megjithatë sukseset e vajzave tona, po iu referohem pjesës së pasluftës, dy dekada e gjysmë afër, mund të themi që ndoshta janë sukseset padyshim më të mëdha, por janë edhe sukseset më të rëndësishme dhe më të ëmbla. Nëse krahasojmë dhe kthehemi pas dhe i shohim kushtet, rrethanat, investimet, i shohim udhëheqjet duke filluar prej klubeve, federatave e shohim një prezencë shumë më të madhe të gjinisë tjetër, të meshkujve, por nëse kthehemi te pjesa tjetër, ajo e sukseseve, e shohim që sukseset më të mëdha, medalje olimpike që është fundi i teknologjisë sa i përket sportit janë prej femrave. Kjo na bënë të ndihemi krenar, kjo na bënë të kuptojmë dhe reflektojmë që femrat shqiptare kanë një potencial të madh në sport”, tha Fazliu.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, thekson faktin këto suksese po vijnë pasi që vajzat janë për një nuancë më të përkushtuara se djemtë në stërvitje dhe punën e përditshme që e kërkon sporti.

Kuka: Për një dozë, vajzat janë më të përkushtuara se meshkujt në stërvitje

“Unë më shumë mendoj edhe besoj që është fat për rezultatin që e arrijnë vajzat. Nuk mund t’i ndajë që vajzat dhe meshkujt punojnë më shumë apo më pak, sakrifica është e njëjtë. Ajo çfarë e dallon sportin e femrave dhe meshkujve është konkurrenca e cila në konkurrencën e meshkujve është shumë më e fortë se në konkurrencën e femrave, sidomos në sportet luftarake. Këtë e them me besim të plotë duke e ditur edhe faktin që në sportet luftarake konkurrenca është shumë më e madhe edhe pjesëmarrja e sportistëve femra dhe meshkuj, pjesëmarrja e sportistëve meshkuj është shumë më e lartë. Unë mendoj që kjo është njëra prej arsyeve, por ndoshta mund ta cek për një dozë që sportistet femra, po flas për xhudistë tani, ndoshta përkushtimi është pak më i madh se te meshkujt, duke e ditur edhe faktin që ka të bëjë me inercionin e rezultateve që ka filluar me Majlinda Kelmendin dhe kjo ka pasur një vazhdimësi edhe kjo ka qenë një inkurajim për vajzat tjera”, tha Kuka.

Edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, u ka bërë thirrje sportistëve të gjinisë mashkullore që të jenë më këmbëngulës në punën e tyre pasi janë vajzat ato që e kanë marr primatin duke arritur suksese të njëpasnjëshme në sporte të ndryshme.

Krasniqi: Është fakt, vajzat më të suksesshme se djemtë në sport

“Me siguri që po. Është shumë e vërtetë që kemi shumë suksese prej femrave dhe këtu meshkujt duhet t’i hapin sytë dhe të shohin sepse vërtetë femrat po na bëjnë krenar dhe unë jam shumë i lumtur sepse vajzat tona janë shumë të mira, janë shumë të disiplinuara, i marrin shumë seriozisht trajnimet e tyre për atë arsye edhe sukseset po na vijnë. Kështu që i uroj dhe i përgëzoj edhe jemi krenar që femra të tilla në Kosovë, femrat shqiptare që po na bëjnë krenar anë e mban botës”, tha Krasniqi.

Njëra nga sukseset më të fundit në sport është norma olimpike e fituar nga boksierja Donjeta Sadiku, sukses i cili sipas Afërdita Fazliut erdhi edhe për shkak se ajo ka një trajnere që kujdeset për stërvitjet e saj.

Fazliu: Suksesi i Sadikut vjen për shkak se trajnohet nga një femër

“Suksesi i fundit i Donjeta Sadikut për mua personalit, besoj edhe për shumicën e shoqërisë sportive e ka edhe një element shumë të rëndësishëm që e bartë në vete kur kemi parasysh që edhe trajnerja e Donjetës është një femër. Kështu që sukseset edhe të futbollit të femrave edhe të shumë sporteve të tjera lidhe edhe me një atribut për të cilin ne sot nuk mund të nxjerrim konkluzione shkencore, mirëpo unë lirisht mund të them që këto vite jo të lehta të sportit të femrave e kanë argumentuar që është një dimension për të cilin besoj se duhet të investojmë më shumë”, theksoi Fazliu.

Ndryshe, suksese të tjera nga vajzat priten edhe në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’, atje ku xhudo deri më tani ka pesë norma olimpike si dhe Donjeta Sadiku që do ta përfaqësojë sportin e boksit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat