Historia e hidhur e "Kroit të lotit" në fshatin Goruzhup të Hasit

Turizëm

Historia e hidhur e "Kroit të lotit" në fshatin Goruzhup të Hasit

Nga: Muharrem Qafleshi Më: 30 janar 2023 Në ora: 06:23
"Kroit i lotit"

Me studiuesen dr. Elona Gjata nga Universiteti i Tiranë njëherit edhe drejtoresh e Albanian Institute of Cultural Studies në Prishtinë, vizituam zonën e Hasit të Prizrenit, saktësisht “Kroin e Lotit” në fshatin Gorushup, i cili ka një histori të trishtë dhe të dhimbeshmë.

Kufiri shqiptaro-shqiptar, që atë kohë ishte një kufi i hekurt, i vendosur mes dy shteteve të Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Titos, ndante banorët e një fisi ose familje të zonës së Hasit në anën e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Me këtë kufij ishin ndarë familjaret, ku një familje ishte andej e tjetra këtej kufirit edhe pse kishin nevojë për hyrje dhe dalje me vëllezërit e gjakut të tyre, atyre ju ndalohej rreptësishtë kontakti dhe komunikimi mes veti nga ana e ushtarëve shqiptar dhe atyre jugosllav, të cilët e mbikëqyrnin kufirin.

Në kohën kur nuk kishte kufi, banorët e një gjaku udhëtonin lirshëm nëpërmjet këtij vendkalimi që ishte më pak se një kilometër larg fshatit Goruzhup të Hasit.

Në atë kohë në një vend ishin dy kroje të uji të pijshëm, një për banorët e fshatrave të zonës së Hasit të Shqipërisë dhe tjetri për banorët e Hasit të Prizrenit që ishte nën pushtetin jugosllav.

Në mungesë të ujit të pijes Hasi është quajtur edhe “Hasi i Thatë”, andaj banorët e këtyre fshatrave kanë qenë të detyruar të bartnin ujë me bucela (enë enkas për ujë) për nevojat e përditshmërisë së tyre ditore.

Ramadan Totaj, banorë i fshatit Gjonaj na rrëfeu për historinë e këtij kroi, “Me vendosjen e kufirit shqiptaro-shqiptar u ndanë familjet, të cilat nuk kishin mundësi as të kontaktoni e as të komunikoni mes tyre”.

Por banorët e të dyja anëve, gjeten mënyrën e komunikimit ose të informimit të ndodhive e ngjarjeve për të cilat duhet të ishin në dijeni familjarët andej e këtej kufirit, e cila gjë behej në praninë e ushtarëve shqiptarë dhe jugosllavë.

Femrat të cilat shkonin të kroi për ujë, bisedoni mes veti, duke treguar për ngjarjet që duhet të merrnin vesh ato andej kufirit dhe anasjelltas, duke treguar për vdekjet, martesat, fejesat ose për ndonjë problem apo ngjarjet që duhet të ishin në dijeni familjarët andej ose këtej kufirit, kjo vazhdojë për një kohë të gjatë, deri sa ky lloj komunikimi u kuptua nga ushtarët, të cilët vendosën rampa, me të cilën gjë i ndaloni femrat e anës së Kosovës, deri sa femrat e fshatrave të Shqipërisë i mbushin enët e ujitë, kur femrat e Shqipërisë shkonin për në shtëpitë e tyre i lejoni ato të anës së Kosovës.

Kësisoj, ushtarët ndaluan kontaktin dhe komunikim e tyre.

Pas Luftës së Kosovës ky krua u pagëzua si “Kroi i lotit” ngase është derdh shumë lot për të mësuar për të afërmit e tyre.

Ky është realitet i hidhur i këtij Kroi dhe i këtyre banorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat