Derbi Tirana - Partizani

Volejboll

Derbi Tirana - Partizani

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 13:05
Pamje nga një ndeshje

Volejbolli vijon me kalendarin e ngjeshur të sezonit 2023-2024, teksa pas një fundjave intensive në Ligën Gjergj Kastrioti, skuadrat nuk njohin pushim, ndërsa janë rikthyer në parket për ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

Dita e sotme rezervon derbi të dyfishtë në sallën “Farie Hoti” ndërmjet Tiranës dhe Partizanit, si për femra gjithashtu edhe për meshkuj, takime të vlefshme për ditën e pestë në fazën e grupeve. Fillimisht në parket do të zbresin skuadrat e femrave, me ndeshjen që do të nisë në orën 17:00.

Vajzat bardheblu të Hasan Gurabardhit kryesojnë me 11 pikë në Grupin B, me 4 fitore, ndërsa të kuqet e trajneres Amarilda Prenga janë të dytat me 10 pikë, teksa shënojnë 3 fitore dhe një humbje pikërisht në derbin e vajtjes.

Një sfidë që vlen vetëm për të përcaktuar vendin e parë në grup, pasi si Tirana gjithashtu edhe Partizani, tashmë e kanë siguruar kualifikimin, së bashku me Skënderbeun dhe Pogradecin nga Grupi A. E njëjta tablo paraqitet edhe te meshkujt, me bardheblutë e Arben Sakos që kryesojnë me 11 pikë, pas katër fitoresh, ndërsa “demat” e Ylli Tomorrit mbajnë vendin e dytë me 10 pikë.

Kështu edhe “derbi” i meshkujve, takim që do të nisë në orën 19:00 do të vlejë për të përcaktuar kryesuesin e grupi A, ndërsa ashtu sikurse në përballjet e mëparshme, pritet betejë e fortë sportive mes ekipeve në parket.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat