Kryendeshja e javës së 11 e Superligës së Kosovës në volejboll u zhvillua në palestrën e sporteve ‘13 Qershori’ në Therandë midis Therandës dhe Pejës, e cila përfundoi në favor të pejanëve me rezultat 3:1 në sete.
Seti i parë nisi me rivalitet, i cili zgjati deri te rezultati 9:9. Mirëpo, më pastaj udhëtuesit morën iniciativën në lojë dhe më shumë në saje të gabimeve të nikoqirëve kaluan në avantazh. Me rezultat 17:25 përfundoi seti i parë.
Edhe fillimi i setit të dytë ishte pothuaj identik deri te rezultati 9:9. Ndërkohë, për dallim nga seti i parë, vendësit kësaj radhe vazhduan me gjuajtje të sakta dhe me blloqe të suksesshme. Kjo bëri që mikpritësit t’u revanshohen pejanëve me rezultat të njëjtë, 25:17.
Seti i tretë u karakterizua me lojë shumë më të organziuar të mysafirëve, tek të cilët funksiononin mirë, pasimet, shërbimet, gjuajtjet dhe blloqet. Me shifrat 25:21 në favor të udhëtuesve përfundoi ky set.
Shpresat e suharekasve për ta kërkuar ‘tajbrekun’ kishin mbetur në setin e katërt, të cilin e nisën shumë mirë dhe krijau nepërsinë prej 4:1.
Mirëpo më pastaj volejbollistët e Pejës së pari barazuan rezultatin e më pastaj kaluan edhe në avantazh, të cilin deri në fund sa vinin dhe e shtonin, duke e përfunduar këtë set me rezultat 25:17, që njëherësh shënoi edhe fundin e kësaj përballjeje.