U nda nga jeta medvegjasi, Musa Neziri, atdhetar i shquar! - Bota Sot
U nda nga jeta medvegjasi, Musa Neziri, atdhetar i shquar!

Zvicra

E shtunë, 20 tetor 2018

U nda nga jeta medvegjasi, Musa Neziri, atdhetar i shquar!

Më: 2 janar 2018 Në ora: 06:10
Musa Neziri

Njoftojmë miqë e dashamirë, se me me datë 01 janar 2018, aty rreth orës 22.45 minuta u nda nga jeta në spitalin e Martigny në Zvicër, z. Musa Neziri nga Medvegja, që jetonte dhe vepronte me familje në Zvicër, veprimtar i njohur i çëshjes kombëtare. Ishte themelues i SHKA „Medvegja“ në Zvicër dhe veprimtar i madh në Shoqatën Humanitare „Medvegja“. Ka lindur më 14.03.1962 në Banjë të Vjetër të Medvegjës. Jo më pak, se mbi njëzetë e ca vjet është duke jetuar në Zvicër. Do të mbetet i paharrueshëm për të gjithë veprimtarët, sepse asnjëherë nuk u ndal për çështjen kombëtare edhe pse prej disa vitesh ishte i sëmurë. Shoqëria Kulturo Artistike „Medvegja“ me vite e vite ka mbajtur aktivitete të shumta në tërë Zvicrën edhe para miqëve zviceranë e duke u vlerësuar me fjalët më të mira të mundshme. Musa Neziri përveç se ishte themelues, ai nuk i anashkaloi edhe fëmijët e tij, që të jenë pjesë e kësaj shoqërie, së bashku me nipa e mbesa e tash më edhe stërmbesa e stërnipa. Me një fjalë, kjo shoqëri, dita ditës, po lulëzon dhe është një freski artistike, duke ruajtur traditën tonë, e zakonet tona edhe në mërgim. Rreth varrimit, do të informoheni nga familja Neziri. Ja se çka shkruan në profilin e tij në Facebook, publicisti e gazetari Mr.sc.Dashnim Hebibi, që e ka përcjellur SHKA „Medvegja“ dhe Shoqatën „Medvegja“, thuajse në çdo aktivitet.

„E di se janari ka trishtim, por nuk e dija, se do të vije me trishtimin e saj edhe tek shpirti i mikut tim dhe t`na largohet nga jeta kaq shpejt miku im i oxhakut, ashtu si e përmendke shpesh Musa.

Para pak orëve të datës, 1 janar 2018, u nda nga jeta, atdhetari i shquar, Musa Neziri, themelues i SHKA „Medvegja“ në Zvicër. Ndër të tjera më tha: „Nuk po mundem asesi të pajtohem me këtë lajm që e mora nga miku im Zenel Neziri, vëllau i të ndjerit, se mbeta pa një vëlla, e kam pas më shumë se vëlla. Ndejta me te në spital para pak çastesh, deshti të më thot diçka, nuk i dilnin fjalët, iu afrova afër, më preku me kokë, më shtrëngoi duart dhe më shikoi deri sa dola nga dhoma. E ngriti dorën e lamtumirës..“. Lotë dhe lotë u përshëndeta me Zenelin përmes telefonit, sepse nuk mundi të fliste.

Përnjëherë, u ula me shpirt të thyer, duke e parë, se filloi viti 2018 me një dhimbje të madhe, me një mik më pak në shpirt. Aty e kisha, në mes të shpirtit, por aty do ta mbaj. E takova në spital, me datë 24 dhjetor ditë e diele. E përqafova, si ishte i shtrirë në shtrat u ngrit menjëherë. I thash, se kisha disa punë këndej dhe mora vesh, se je në spital e deshta të takoj edhe Ty. Më shikoi mirë dhe më tha, trego drejt, se e di se Ti nuk di me gënjy, paske ardh nëpër këtë borë të më takosh, por flm shumë. Ishte i zbehur, por qëndroi me mua dhe kusheririn tim Fazli Musliu për dhjetë minuta duke biseduar me te si çdo here. U përshëndeta me te, por duke menduar, se do ta shoh përsëri, por ja që, paska ndërruar jetë. Kështu,jeta, jeta...

Musa Neziri ishte i lindur më 14.03.1962 në fshatin Stara Banjë ( Banjë e vjetër) e Medvegjës. Ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Do të mbetet i paharruar për jetë, ai e formoi SHKA „Medvegja“ në Zvicër dhe kontribuoi shumë për këtë shoqëri, ku kishte djalin në këtë shoqëri, vajzën, nipa e mbesa e stërmbesa e stërnipa. Një jetë ia kushtoi kësaj shoqërie dhe Shoqatës Medvegja. Një është e sigurt, se Shoqata Medvegja, mbeti pa strategun e madh, pa vizionarin e shenjt, atdhetarin, kontribuesin e jashtëzakonshëm dhe fjalë pak. Veprat e tij do të mbesin për jetë.

Ah, ky janari, që vjen trishtueshëm e tinëzisht, me acar e shpesh me erë të fortë. Zëri i mikut tim ma shpoi shpirtin, duke ia kujtuar fjalët e tija të fundit me mua, që i patëm të dielën e kaluar në spital. Sa herë që e takoja, më merte dhe më dërgonte në shtëpi, që të flasim pa dorëza. Ishte fjalë pak, por kishte edukatë të madhe dëgjimi. E kur fliste, fliste... Shumë deshta të flas me shpirtin e mikut tim e sonte do të flas me te dhe do ta kujtoj për jetë... Musa Neziri, ka disa vite, që nuk ishte mirë me shëndet, megjithate, aktivitetin e tij nuk e ndalte në shoqëri e shoqatë. E kohëve të fundit, gjendja e tij shëndetësore iu keqësua dhe brenda këtyre dy javëve, sëmundja e mundi mikun tim dhe ai sot, më 1 janar 2018, u nda nga kjo jetë fizikisht, por duke qëndruar për jetë, emblemë e madhe e me plot dritë. Ngushëlloj bashkëshorten e tij, djalin dhe vajzën, mikun tim Zenel Neziri dhe gjithë familjen e gjerë Neziri kudo që gjenden ata. Zoti ua freskoftë zemrat e shpirtin, Këtë dhimbje të madhe do ta ndajmë së bashku. Miku im Musë, e di, se do më thuash, po pse më ke shkruar, sepse nuk e ke pas për qefi të shkruajmë për Ty, edhe pse e meritojshe, si dhe menzi se i patëm bërë dy tre intervista me Ty, me ditë e ditë, duke ta sqaruar, se duhet të japësh intervistë. Ma kupto shpirtin tim miku im, se po e ngushlloj veten në këtë orë të vonë të natës dhe po kujtoj punën tënde të madhe që e ke bërë për ate Medvegjë e shqiptari në përgjithësi. Medvegja dhe e gjithë shqiptaria, mbeti pa një atdhetar të madh, ai do të pushoj në botën e përjetshme, por puna e tij, do të jetë shembull për gjeneratat që do të vijnë, se duhet dashur atdheu, duhet dashur gjuha, flamuri e tradita jonë kombëtare. Zoti të përcjell në parajsë miku im, aty ku e ke sigurt edhe nënën tënde, që ndërroi jetë para pak muajve dhe mirë që nuk e përjetoi ajo këtë dhimbje. I shihja fotot që i postoje në FB, dorën e nënës dhe tënden, sikur doje ti tregoje të gjithëve, se shpejt nëna ime do të vij tek ti, atje ku je duke pushuar përjetësisht. Ah, Musë Miku im, thellë në zemër po më djeg malli, ah Musë, që nuk më jepshe mundësi të flisja edhe më shumë, sepse të çmoja shumë dhe doja të dëgjoj Ty, këshillat tua, por ti pak flisje dhe ate që e flisje e merrja menjëherë. E lumë familja që të pati e lumë shoqëria që të pati, i lumi unë që të pata mikë e do të mbaj përjetë, sepse trupi vdes, por shpirti jeton, e do të jetoje në përjetësi. Ti shkove në shtat katet e qiellit, shkove në botën e përjetshme dhe ne do të kujtojmë gjersa të vijmë tek Ti. Zot, përcille mikun tim në parajsë, bëja lehtë botën e përjetshme!  E loti, e ka gjuhën e vet le të flas me dhimbje, lotë pas loti deri sa të shterrohen për mikun tim të shpirtit, Musa Neziri. Ngushllime, familja Neziri! „

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test