Lidhja e arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë «Naim Frashëri» në Zvicër mbajti kuvendin zgjedhor

Zvicra

Lidhja e arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë «Naim Frashëri» në Zvicër mbajti kuvendin zgjedhor

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 23 maj 2018 Në ora: 22:21
Kuvendi zgjedhor

Të dielën, më 20 maj 2018 në Lagental Kantoni i Bernit, në Zvicër u mbajt Kuvendi zgjedhor i LAPSH  me praninë e mësimdhënësve dhe prindërve shqiptarë.

Shkolla shqipe në Zvicër ka formuar një traditë, shkollë tashmë në vitin e 28 të jetës së saj, shkollë tashmë me një histori të vetën, që lidhet me gjuhën e nënës, me fjalën e artë shqipe, atë fjalë që e ka mbledhë si bleta nektarin lule më lule, Naim, Asdreni, Pashko Vasa, Fishta, Kadare ...

Kuvendin e hapi kryetari Nexhat Maloku, mësues në Cyrih. Punimet e kuvendit i drejtoi z. Abas Fejzullahu, sekretar.

Në raportin e punës Nexhat Maloku veçoi disa nga veprimtaritë e shkollës, vlerësoi punën e përkushtuar të mësimdhënësve që tashmë në kuadër të LAPSH -rë numëron 65 mësues/e që japin mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Vlerësoj bashkëpunimin zyrtar të Lidhjes me organet arsimore  të Zvicrës dhe Kosovës. Mësimi plotësues zhvillohet në klasat e shkollës zvicerane janë 133 klasë, fëmijët shqiptarë që ndjekin mësimin shqip janë 1798. Mbajtja e Seminareve për mësimdhënës, Konferenca për Mësimin plotësues, Garat e Diturisë, Mbrëmje festive me rastin e 7 Marsit- Dita e Mësuesit etj. Synimi ka qenë që nëpër mes këtyre veprimtarive jo vetëm të ruajmë identitetin tonë por dhe të  njohim të tjerët më mirë me gjuhën,  historinë dhe kulturën tonë me trashëgimin që kemi sjell nga atdheu. Një formë e mirë për të u integruar me dinjitet në shoqërinë zvicerane.

Në kuvend u theksua problemi kyç që në vazhdimësi e ka shoqëruar mësimin plotësues është numri i vogël i fëmijëve shqiptarë që mësojnë shqip. Ne me organizimin tonë u kemi dhënë mundësinë që fëmijët ta ruajnë, ta kultivojnë, ta mësojnë gjuhën shqipe edhe larg atdheut.

Besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin dhe angazhimin e institucioneve shqiptare duke e vendosur çështjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe ndër të parat, ndonëse është nënshkruar Marrëveshja për Mësimin Plotësues në  diasporë mes dy shteteve shqiptare,  presim rrugën e zgjidhjes institucionale.

Punimet e kuvendit i nderuan me praninë e tyre: Zoti Ilir Gjoni, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë. Zoti Mustafë Xhemajli, nga Ambasada  e Republikës së Kosovës, z. Nuhi Gashi, përgjegjës për koordinimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë – MASHT dhe Abdyl Lipoveci zyrtar nga Ministria e Diasporës.

Në kuvend me shumicë votash u rizgjodh kryetar i LAPSH-rë për Zvicër Nexhat Maloku, nuk pati kundër kandidat.

Një e veçantë e këtij kuvendi është dhënia e mirënjohjes mësueses Saime Zeka nga MASH e Republikës së Kosovës.

Kuvendi që pati një rrjedhje të qetë e të natyrshme pune  filloi në orën e 14.00 dhe mbylli punimet  në 16.00. Qenë të pranishëm përfaqësues të shkollave ku zhvillohet mësimi shqip si: Arau, Basel Land, Bern, Cyrih, Friburg, Glarus, Gjenevë, Jura, Schaffausen, St. Gallen, Thurgau, Vaud, Obwalden. Të pranishëm ishin 51 persona anëtarë të LAPSH-it dhe mysafirë.

Në fund të punimeve, Kuvendi uroj komunitetin shqiptar në Zvicër të bëjmë çmos secili nga ne që ta mësojmë gjuhën tonë të bukur, ta ruajmë atë, ta flasim atë, ta shkruajmë atë sepse ne po humbim nga dita në ditë gjuhën tonë, që historia na tregon se e kemi trashëguar brez pas brezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat