“Hajna të pangopur, po ju dalin sheshit”, përplasje në Kuvend - VV-ja lëshon seancën

Aktuale

“Hajna të pangopur, po ju dalin sheshit”, përplasje në Kuvend - VV-ja lëshon seancën

Nga: Bota sot Më: 14 mars 2024 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 14:52 më 14.03.2024
Kuvendi i Kosovës

​S’ka kuorum, përfundon seanca e Kuvendit

Në mungesë të deputetëve ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, në lidhje me numrin e kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Iniciuesja e seancës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paraqiti rezolutën, ku mes tjerash kërkohet që ministrat të raportojnë me shkrim Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike për numrin e kontratave njëburimore dhe arsyeshmërinë e tyre.

Po ashtu që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë të gjitha kontratat njëburimore pas miratimit të kësaj rezolute, si dhe qeveria të sjellë draf-ligjin e ri për prokurimin publik.

Krahas këtyre, Bajrami paraqiti nevojën edhe të themelimit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratat njëburimore.

Mirëpo, kjo rezolutë nuk u hodh në votim për shkak se nuk kishte kuorum për vendimmarrje.

​Tensione në Kuvend, LVV lëshoi sallën

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare janë përplasur sot në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së jashtëzakonshme në lidhje me nënshkrimin e kontratave njëburimore të gjatë qeverisë Kurti. Tensione më të mëdha pati mes deputetëve të LVV-së dhe atyre të LDK-së, pas të cilave mazhoranca edhe lëshoi sallën plenare.

Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të opozitës, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se nuk e di pse është ftuar në këtë seancë, pasi asgjë nuk ka të bëjë me atë.

Aliu: Nuk e di pse jam ftuar në këtë seancë

“Unë nuk jam duke e ditur pse më keni thirr mua, krejt çka u fol qetu nuk ka të bëjë me mua. Deputetja që e ka thirr seancën e filloi fjalimin e saj dhe përfundoi dhe në rastin kur duhej të fliste për Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021, tha 10 milionë, por që realisht është 1 milion. Për me arsyetua pse më kanë thirr mua, thanë që kur vjen puna te Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tha 10 milionë...Kur bie fjala në Raportin për Kosovën thuhet 78 milionë euro për krejt qeverinë. Në këtë 78 milionë u përmend KEK-u me 69 milionë, kujt po i drejtoheni mua. Nuk di çka me të thënë për atë punë, për këtë është dashur të thirret dikush tjetër. Pse ju më drejtoni seancën mua kur për vitin 2023 unë i kam më pak se 1 milion. Tjetra po flasim për vitin 2021, sa kontrata njëburimore, një. Unë po e kuptoj nevojën për spektakël”, tha ai.

Por shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se në ftesën e kësaj seance nuk ka qenë e specifikuar thirrja e ministrit Aliu, pasi kontratat njëburimore ka në të gjitha institucionet.

Gashi: Ministër ju kanë qitë në lajthitje

“I nderuar ministër, po më doket nuk e ke lexua materialin që është thirr kjo seancë ose ju kanë qitë totalisht në lajthitje. Ne nuk të kemi ftuar ty në raportim. Kjo është seancë e jashtëzakonshme në lidhje me kontratat njëburimore të dhëna nga të gjitha institucionet e Kosovës të karakterit nacional. S’ka të bëjë kjo veç me ministrin që udhëheq, por e para është KEK, pastaj edhe vjen Ministria e Punëve të Brendshme”, tha ai.

Atij i reagoi shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, duke e konsideruar këtë debat qesharak dhe pa asnjë kuptim.

Ajo përmendi edhe rastin e Komunës së Prishtinës, që sipas mbi 10 për qind e buxhetit të vitit 2023 ka shkuar në kontratat njëburimore.

Kusari-Lila: Ky debat është qesharak dhe në të vërtet nuk ka asnjë kuptim

“Zyra Kombëtare e Auditimit i ka nxjerr gjetjet, gjatë të cilave deputetja Barajliu iu lexoj gjetjet për mangësitë në projekte të nënshkruara gjatë qeverisjes PAN. Ju në mungesë të forcës ose guximit me u ballafaqua me të bëmat e juaja filluat të bëni zhurmë. Kur ministri po iu lexon për qindjen e kontratave njëburimore në nivelin komunal na thoni jo se kemi ftuar seancën për nivelin qendror...Mos me mujt me durua që keni publiku tender për rrugë pa elaborat të shpronësimit, pa kosto të rrugës, pa projekt, pa ura të përfshira. A e dinë qytetarët këtë? A e dinë se rruga Dollc-Gjakovë dhe Prishtinë-Gjilan nuk e kanë përfshirë koston e urave. Çka bëjmë aty, fluturojmë. Ky debat është qesharak dhe në të vërtet nuk ka asnjë kuptim...Komuna e Prishtinës ka vazhduar me kontrata njëburimore edhe në vitin 2022 me 6.7 për qind, ndërsa në vitin 2023 nga totali i kapitaleve në buxhetin e saj Komuna e Prishtinës 10.5 për qind të buxhetit të saj e ka dhënë në kontrata njëburimore”, tha Kusari-Lila.

Ndërkaq, në deklarimin e tij, deputeti, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se fenomeni i kontratave njëburimore e turpëron pushtetin.

Haradinaj: Fenomeni i kontratave njëburimore ju turpëron dhe iu marron

“Mund të arsyetohet ndonjë kontratë njëburimore në ndonjë situatë të caktuar, por fenomeni i kontratave njëburimore ju turpëron dhe iu marron. Nuk mundeni me i ikë kësaj, ju vjen era”, tha ai.

Më e ashpër në deklarimin e saj u shpreh deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila i quajti edhe hajna kabinetin qeveritar dhe mazhorancën.

Bajrami: Aliu dhe Durmishi nënshkruajnë kontratat për me nda tallin

“Ai ministri që iku këtu dhe që mundohet të tregohet i pastër. A dini kur ia ka ndërruar vendin drejtorit të Prokurimit, kur Thesari Amerikan e ka shti në listën e zezë. Këta jeni ju, atë “babën e tenderëve” që e quanin në qeverisjen PAN. Ky është ministri i cili në Ministrin e tij nënshkruan dy veta tendera, është Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi. Për shkak se kanë me nda tallin apo se jo për najsen tjetër”, theksoi ajo.

Mirëpo, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, i tha deputetes Bajrami se edhe ajo sa ka qenë ministre ka nënshkruar kontrata njëburimore.

Thaçi: Edhe deputetja Bajrami sa ka qenë ministre ka nënshkruar kontrata njëburimore

“Këtyre po iu dhemb pak se kemi informacione ne. Ka ditë që zonja Bajrami ka ditë e ka filluar këtë propagandë mbi qeverinë Kurti. Madje ka pasur raste që zonja Bajrami ka pohuar se në kohën sa ishte ministre nuk ka lejuar dhe nuk nënshkruar asnjë kontratë njëburimore. Por unë po i përmendi vetëm katër. T’i shurdhues ulu nuk ki nevojë me bërë zhurmë. Kontratat janë: Mirëmbajta e regjistrimit të bizneseve në vitin 2014, riparimi i objektit të jashtëm të MINT, ofrimi i shërbimeve të laboratorit të termometrisë dhe lagështisë”, tha ajo.

Mirëpo këtë e mohoi deputetja Bajrami duke e quajtur gënjeshtar Thaçin.

Bajrami: Zotëri Thaçi mos e shfrytëzo këtë kuvend për të gënjyer

“Zotëri Thaçi mos e shfrytëzo këtë kuvend për të gënjyer sepse të gjitha që i the janë gënjeshtra. Asnjë tender nuk është në shkruar më 2014, më 2015 është një tender 2100 euro unë nuk e kam nënshkruar, më 2016 është një tender nuk e kam nënshkruar, ke gënjyer nuk e kam nënshkruar. Po gënjen”, i ka thënë ajo ndërkohë ka lëshuar ulësen e saj në Kuvend për t’i shkuar afër Thaçit, që të nxiti tensionim në Kuvend.

Pas kësaj situate, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo seancë nuk ka kuptim më dhe pas këtyre sharjeve dhe ofendimeve nuk mund të qëndrojnë më në sallë.

Kusari-Lila: Pas këtyre sharjeve dhe fyerjeve nuk mund të qëndrojmë në sallë

“Edhe sikur kjo seancë të kishte ndonjë kuptim, tashmë e humbi krejt për arsye se prej fillimit kur e kanë vendosur kërkesën dhe deri te debati për fyerje dhe ofendime. Prej foltores deputetja që e ka nënshkruar thirrjen për këtë seancë na shau hajna shpifës, të korruptuar. Nëse jemi të gjitha ato të mësipërm sipas deklarimit të saj, atëherë ky institucion nuk është vendi. Dihet ku është vendi ku duhet t’i dërgojnë...Nëse nuk dëshirojnë të ballafaqohen me fakte ne se cili po shahet edhe fyhet më shumë nuk jemi. Prandaj në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së e lëshojmë këtë seancë dhe nuk kemi asnjë arsye me vazhdua”, tha ajo.

Mirëpo në sallën plenare qëndruan dy deputetë të LVV-së, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani

Mustafa për Ministrin Aliu: Fatkeqësi që nuk e din as pse ka ardhur në seancë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa iu kundërpërgjigj ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu që i pyeti deputetët se pse se  e kanë ftuar në seancë për të diskutuar mbi kontrata një burimore.

Mustafa tha se askush nuk e ka ftuar atë, teksa shtoi se kanë qenë ministrat e tjerë që e kanë futur në “grackë”, duke mos ardhur në seancë.

Tutje ai tha se Aliun e kanë zënë edhe duke gënjyer.

“Është fatkeqësi që ministri i Infrastrukturës nuk e kish idenë se as pse kish ardhë në seancë, e tha se pse më keni ftu e nuk e kish idenë që kurrkush se kish ftu,. Me gjasë e keni fut në grackë sepse asnjë kolegë tjetër nuk i kish ardhë. Qe, nja dy ministra edhe ata ikën e dezetun krejt, e lan veç vet gjynahun. Tash për ministrin e Infrastrukturës në tri vjet e fundit i ka nënshkrua 56 kontrata pa negocim, pra kontraktim të drejtpërdrejtë ose marrëveshje në katër sy. 56 kontrata të tillë në vlerë 10 milionë 120 mijë e 639 euro. Fatkeqësisht ministri i Infrastrukturës gënjeu., kur e pamë që e zumë duke rrejt u qu e dul prej salle. Imagjino se çfarë ministrash kemi. Imagjino e vaj halli për këtë shtet kur për korrupsion flet Mimoza qe e ka shit distribucionin për 26 milionë euro”, tha Mustafa.

“A jeni n’veti”, “debat qesharak”, Kusari-Lila kritikon opozitën për thirrjen e seancës për kontratat njëburimore

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar opozitën për thirrjen e seancës për shqyrtimin e ‘propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti’.

“Në vitin e katërt të legjislaturës e ftoni seancën e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime edhe thirreni në raport, në të cilin shumë qartë Zyra Kombëtare e Auditimit i ka nxjerrë gjetjet, të cilat deputetja Baraliu iu lexoi për mangësitë në projektet e nënshkruara gjatë qeverisjes PAN dhe ju në mungesë të forcës e guximit të ballafaqoheni me të bëmat tuaja (LDK e PDK), filluat të bëni zhurmë…Pjesë e kësaj ftese për seancë keni kërkuar që këto kontrata të miratohen nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike, a jeni në veti? A po doni me ia marrë obligimet KRPP-së?”.

Kusari-Lila tha se debati i sotëm në Kuvend është qesharak.

“Nuk ka nevoje me thirrë seancë të jashtëzakonshme në vitin e katër të legjislaturës këtu mos me pasë seancë të rregullt që të votohen ligje e të votohen marrëveshje ndërkombëtare e me folë ju që KEK-u e ka bërë një kontratë njëburimore me General Electrics.

LVV-ja lëshon seancën e Kuvendit për kontratat njëburimore: Nuk jemi këtu për të na sharë e ofenduar

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka lëshuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës “për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk ka kuptim që të vazhdohet derisa vetë deputetja që e ka nënshkruar ftesën për thirrjen e seancës, Hykmete Bajrami, “na shajti me ‘hajna, shpifësa e të korruptuar’”.

“Edhe sikur kjo seancë të kishte ndonjë kuptim, tashmë e humbi krejt sepse prej fillimi kur e kanë bërë kërkesën e deri te debati, fyerjet e ofendimet, prej foltores deputetja që e ka nënshkru ftesën për këtë seancë, na shajti me ‘hajna, shpifësa e të korruptuar’.

Nëse jemi sipas deklarimit të saj, e dinë vendin ku e kanë me i dërgu faktet për hajni. Këtu kur po paraqiten faktet nuk po iu pëlqejnë. S’po duan të ballafaqohen me fakte e ne se kush po shahet e kush po fyhet më shumë nuk jemi. Prandaj, deklaroj se ne e lëshojmë këtë seancë dhe nuk kemi asnjë arsye me vazhdu”, u shpreh Kusari-Lila. 

Përplasen deputetët e LDK-së me VV-së, shkak kontratat njëburimore

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, kanë pasur një përplasje verbale mes vete. Shkak për këtë kanë qenë kontratat njëburimore.

Kjo përplasje ka ardhur pasi deputeti i VV-së Thaçi, ka akuzuar deputeten Bajrami se në kohën sa ishte ministre ka nënshkruar katër kontrara një burimore.

E për këto akuza Bajrami tha se janë gënjeshtra, dhe se as njëren nga ato kontrata nuk i ka nënshkruar.

Pas fjalimit Bajrami i është afruar në ulësen e deputetit Thaçi duke akuzuar se po e gënjen.

“Të gjitha çka i the janë gënjeshtra. Ke gënjyer nuk e kam nënshkruar”, tha ajo.

Aliu, opozitës: Tërhiqeni këtë seancë e ftoni një tjetër, vijmë si formacion qeveritar, sepse shpartallimi do të ishte më i mirë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është përplasur me partitë opozitare për kontratat njëburimore.

Aliu u tha deputetëve të opozitës që “kam kënaqësinë që ju drejtohem edhe pse nuk po e di pse më keni thirr. Krejt çka u fol deri tash këtu nuk ka të bëjë me mua”.

Ministri shoti se në dy shtylla është arsyetua thirrja e kësaj seance për kontratat njëburimore për vitin 2021 në bazë të raportit të auditimit dhe për vitin 2023 në bazë të raportit të Komisionit Evropian.

“Në raportin e Komisionit Evropian thuhet 78 milionë për krejt qeverinë, në këtë 78 milionësh u përmend KEK-u me 69 milionë, kujt po i drejtoheni mua, nuk di çfarë t’ju them unë. Pse ma drejtoni seancën mu, kur për vitin 2023 unë i kam ma pak se 1 milionë euro”, tha Aliu.

Ai shtoi se në vitin 2021 është vetëm 1 kontrata njëburimore në MMPHI.

“Unë nuk po e di çfarë keni po e kuptoj nevojën për spektakël. KEK-u i ka 69 milionë nga 78 sepse është General Electrics, më tregoni se kush e zëvendëson. A din çka a pe tërhiqni këtë seancë e thirrni një tjetër se vijmë si formacion sepse shpartallimi do të ishte më i mirë”, tha Aliu.

Tahiri shpërthen ndaj Kurtit: Ke marrë vota në Deçan me premtime për kauza, të cilat e ke ditë që s’ke qare pa i bërë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, sot në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe për vendimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të urdhëruar kalimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.

Tahiri i cili kishte marrë fjalën për të folur rreth tenderëve një burimor, ka thënë se s’mund të largohet nga foltorja pa thënë disa fjalë për kryeministrin Albin Kurti, ndonëse ai s’ishte pjesëmarrës në seancë.

Deputeti Tahiri ka thënë se Kurti s’ka lanë të zezë pa thënë dhe është ngritur duke i etiketuar njerëzit si të shtantazhuar, tradhtarë, të kapur e hajna, dhe se ka marrë vota në Deçan duke thënë premtime për kauza për të cilat thotë se Kurti e ka ditur që s’ka rrugëdalje pa i bërë.

 “S’muj me dalë prej kësaj foltore pa i thanë këtij zotnisë që nuk është këtu, që s’ke lanë të zezë, je ngrit mbi kultin tu i thanë njerëzve jeni të shtantazhuar, të kapur , hajna, dhe ke shku i ke marrë 4500 vota në Deçan, tu premtu për kauza për të cilat e ke ditë që s’ke qare pa i bo. Kërkesa ime në emër të AAK-së është që të reflektojë ky kryeministër, se proceset që po vijnë s’janë të lehta. As në Veri me të cilat po mburret, as me anëtarësimin në NATO, mos të le në moment të fundit, por të veprojë në këtë aspekt”, ka thënë Tahiri.

Haradinaj kërkon nga kryeministri Kurti zbatimin e planit franko-gjerman

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti zbatimin e planit franko -gjerman si dhe ka pasur kritika për mënyrën e qasjes ndaj aleatëve, me theks të veçantë SHBA-së.

“Mënyra se si po i trajton aleatët, obligimet që i ka marrë me aleatët do t’i kushtojnë Kosovës. Do ta kemi një presion të vazhdueshëm për tema të tjera. E rrugës do të ishte që pas kësaj që ka ndodhur dje, që Kurti të kthehet në planin franko-gjerman për shkak se për anëtarësimin në Këshillin e Evropës Kosovës po ju kërkohet një paketë masash”, ka deklaruar ai në hollin e Kuvendit të Kosovës.

 Ai ka akuzuar Qeverinë se “po i harxhon kartat në duar” në mënyrë që ta mbrojë “popullizmin e vet”.

“Nuk mund ta ruash emrin kur s’e ruan vendin. Këto që po ndodhin Kosovës janë ndëshkim ndaj tij. Por për fat të keq pasojat do t’i pagujmë të gjithë. Edhe dje e kam përsëritur që dalja nga kjo gjendje dhe ngritje e marrëdhënieve në nivel mes Kosovës e SHBA-së është dialogu strategjik dhe një marrëveshje e sigurisë”, ka deklaruar ai.

Zemaj-qeverisë: Jeni hajna të pangopur, në pushtet erdhët për t’u pasuruar shpejt dhe errët

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, duke folur në Kuvend në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për të diskutuar rreth kontratave njëburimore, akuzoi qeverinë aktuale se dikur kontrata të tilla ata i quanin korrupsion i hapur, hajni e zhvatje, ndërsa tani nuk ka ndodhur që një qeveri të ketë kontrata njëburimore më shumë se sa qeveria e Kurtit.

“Ju po dëshmoheni se jeni hajna të pangopur. Kjo po ju kushton qytetareve me miliona, duke dhënë tendera pa procedure të hapur, duke eliminuar konkurrencën. Krejt kjo po e shpërfaqë pangopësinë tuaj”.

“Ne pushtet erdhët për t’u pasuruar shpejt dhe errët. Gjërat dita-ditës po ju dalin në shesh dhe do të vazhdojnë t’ju dalin”.

Zemaj përmendi shifra milionëshe që pëmbajnë kontratat për të cilat po diskutohet sot në Kuvend, duke pyetur se “cila është emergjenca për t’i hargjuar këto para me marrëveshje njëburimore?”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat