Kuvendi me tender për fotografimin e deputetëve

Aktuale

Kuvendi me tender për fotografimin e deputetëve

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 12:02
Regjistrimi i deputetëve, dita e parë

Regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së gjashtë të Kuvendi të Republikës Kosovës shoqërohet edhe me një fotografim që i bëhet secilit prej tyre. Për realizimin e fotografive, Kuvendi ka nënshkruar kontratë me një studio profesionale të fotografisë.

Dy javë më parë Kuvendi i Republikës së Kosovës ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratës për realizimin profesional të fotografive.

Realizimin e këtyre fotografive, Kuvendi ja ka besuar kompanisë “Foto Nesha” duke e shpërblyer me kontratë në vlerë prej 600 euro.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit Ismet Krasniqi tha për Kallxo.com se kontrata është nënshkruar për fotografimin e deputetëve të legjislaturës së gjashtë.

“Ofertuesi i këtyre shërbimeve profesionale do ta bëjë fotografimin e deputetëve te legjislaturës se gjashtë”, tha Krasniqi.

Krasniqi më tej tregon arsyen e përdorimit të fotografive të deputetëve.

“Këto fotografi do të përdoren për nevojat e Kuvendit si p.sh. publikimin e profileve të deputetëve me foto ne ueb faqe të Kuvendit, ID karta të deputetëve, Arkivin e Kuvendit” tha ai.

Regjistrimi i deputetëve ka filluar nga dita e djeshme e 26 korrikut dhe zgjat 3 ditë. Në ditën e parë të regjistrimit, u regjistruan 46 deputetë të legjislaturës së gjashtë.

Seanca konstituive e Kuvendit mbahet më 3 gusht./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat