Përfundon seanca e Kuvendit të Kosovës

Aktuale

Përfundon seanca e Kuvendit të Kosovës

Më: 15 mars 2018 Në ora: 10:18

(E plotësuar) - Deputeti i LDK-së Arben Gashi ka kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës pika mbi debatin parlamentar sipas kërkesës të nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe pesë deputetëve nënshkrues lidhur me takimin e katërt të përbashkët të Komisionit Parlamentar të Marrëveshjes për Stabilizim- Asociim, BE-Kosovë, të mbajtur më 17-19 janar 2018, në Strasburg.

Ai tha se kjo pikë e rendit të ditës duhet të hiqet, pasi sipas tij, është konsumuar kjo temë.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar, ndërsa nesër mbahet ajo e radhës në orën 10:00.

***

Në sesionin e pasdites seanca ka filluar me procedurat për votimin e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe zgjedhja e një anëtari të Bordit për Ankesa.

Për bordin e ZRRE-së janë propozuar kandidatët: Bekim Jakupi, Fadil Ismajli, Izet Rushiti, Selman Hoti. Komisoni ad-hoc  parlamentar ka propozuar dy kandidatë për Bordin e RTK-së, Çun Lajçi dhe  Shkodran Tolaj, ndërsa po ashtu edhe dy kandidatë tjetër nga komuniteti tjetër. 

 Për Bordin e Ankesave janë propozuar dy kandidatë, Ilaz Rudaku dhe Florim Shefqeti.

***

Me shumicë votash, Fehmi Mehmeti është zgjedhur Guvernatori i ri i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Pas votimit të fshehtë të deputetëve, komisioni ka numëruar rend votat, ku Fehmi Mehmeti mori 60 vota.

Pas tij mbeti ish deputeti i VV-së, Besnik Bislimi me 30 vota dhe të tjerë me më pak vota.

Fehmi Mehmeti – deri tash ka qenë ushtrues detyre si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Haradinaj shpreson se Demarkacioni do të kalojë të martën

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pak para se të hyjë në seancë foli për gazetarët në hollin e Kuvendit.

Ai njoftoi se seanca ku pikë e rendit të ditës është Demarkacioni me Malin e Zi do të mbahet të martën që vjen (20 mars).

Ky vendim sipas Haradinaj është marr pas konsultimeve me të gjitha partitë politike në vend.

Haradinaj: Seanca për demarkacion të martën

“Sipas të gjitha gjasave pas konsultave me grupet parlamentare, me partitë politike për të martën në orën 14 do të shkojmë në seancën për demarkacion”, ka thënë Haradinaj.

Kur u pyet nëse i kanë votat që duhen për të kaluar ratifikimi i marrëveshjes Haradinaj beson se të zgjedhurit e popullit do ta përkrahin demarkacionin që nënkupton edhe heqjen e izolimit për qytetarët e Kosovës.

Megjithëse këtë proces e konsideron jo të lehtë Haradinaj tha se këtë po e bën për shkak se nuk mund ta shoh popullin e tij të izoluar.

Haradinaj: Nuk mundem ta shoh popullin tim të izoluar

“Të gjithë deputetët e Kosovës janë të Kosovës dhe jam i bindur që me votën e tyre të lirë do të përkrahin në këtë rast zgjidhjen e marrëveshjes së shënjimit të kufirit, tërësinë territoriale në këtë rast dhe zhbllokimin ose heqjen e izolimit për qytetarët e vendit. T’iu them të drejtën për mua nuk ka qenë një proces i lehtë, nuk është një proces i lehtë, por nuk mundem ta shoh popullin tim të bllokuar dhe të izoluar siç po ndodh deri tani.  Duke pasur parasysh se megjithatë e kemi ruajtur tërësinë territorial dhe mundësinë e korrigjimit për Çakorrin dhe Kullën”,  tha kryeministri.

Haradinaj nuk tha konkretisht nëse i kanë të gjitha votat duke shtuar se këtë do ta shohin të martën. Ndryshe Kuvendi ka mbajtur deri më tani tri seanca për Demarkacionin por që të trijat  kanë dështuar pasi që nuk u  arrit që t’i kenë votat e mjaftueshme për ta votuar atë.

Kundër demarkacionit deri më tani zyrtarisht janë Lista Serbe, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe deputetët që tashmë kanë formuar Grup të vetin parlamentar.

Pas një debati parlamentar nga të gjitha grupet parlamentare dhe pas kundërshtimit të ministrit Bajram Hasani dhe kundërshtimit të komisionit parlamentar funksional, Kuvendi i Kosovës me 54 vota miratoi amandamentin e deputetes Mimoza Kusari Lila e cila propozoi që kompanite private të përfshijnë kuotën e përfshirjes së femrave në kuotën prej 40% të anëtarëve të bordeve.

Amendamenti që përplasi gratë dhe burrat në Kuvend

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për shoqëritë tregtare me 68 vota për, tre kundër dhe asnjë abstenim.

Një amendament i propozuar nga deputetja e LDK-së, Mimoza Kusari-Lila, që parasheh futjen e 40 për qind të femrave në bordet e ndërmarrjeve private, ka ngjallur debat të ashpër ‘pro’ dhe ‘kundër’ këtij propozimi.

Megjithatë, amendamenti 12, edhe pse pa përkrahjen e Komisionit funksional, mori 50 vota ‘për’, 35 ‘kundër’ dhe 5 abstenime.

Deputetja Kusari-Lila, tha se është rasti që në mënyrë afirmative të ndihmojnë fuqizimin e gruas në ekonomi.

Kusari-Lila: E kemi rastin ta fuqizojmë gruan në ekonomi

“Neni 34 pika 2 e Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Numri i grave në borde të shoqërive aksionare të jetë 40 për qind. E kemi rastin e drejtpërdrejtë që në mënyrë afirmative të ndihmojmë në përfshirjen dhe fuqizimin e gruas në ekonomi, përderisa numri i shoqërive aksionare private nuk e kalon numrin 240”, tha Kusari-Lila.

Mirëpo, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kërkoi mos kalimin e këtij amendamenti për shkak se mund të krijojë telashe te ndërmarrjet private.

Hasani: Nuk duhet të kalojë ky amendament

“Pavarësisht dëshirës për të përkrahur pjesëmarrjen 40 për qind të gruas në borde, për shkak të rrethanave që janë për shkak të telasheve që mund t'u shkaktojmë ndërmarrjeve private unë propozoj që ky amendament të mos kalojë veç nëse marrim vendim për ndërmarrjet publike. Për ndërmarrjet publike na shkakton telashe, sepse edhe në vendet më të zhvilluara sot është 23.3 pjesëmarrja e grave në borde. Edhe ne nuk jemi të përgatitur të kemi 40 për qind këtë pjesëmarrje të grave në borde drejtuese. Për shkak se shtetet më të zhvilluara nuk e kanë këtë kuotë, dhe nuk mund të merret një vendim për të gjitha bordet. Kemi praktika evropiane që kanë kuota për sektor të caktuar, por ju siguroj që ky ligj na shkakton telashe gjatë zbatimit nëse miratohet ky amendament”, theksoi Hasani.

Në dysh u ndanë edhe deputetët e Kuvendit, ku gratë deputete thuajse ishin njëzëri që ky amendament të kaloj, derisa një pjesë e deputetëve ishin kundër. Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, tha se gratë janë të përgatitura, nëse ai vetë nuk është i përgatitur.

Osmani: Ministër nëse s’jeni ju i përgatitur, gratë janë të përgatitura

“Ministër nëse ju nuk jeni i përgatitur gratë janë të përgatitura që të marrin rolin në institucionet publike që më në fund të marrin vendin e merituar jo vetëm në institucione publike, por t'i ndihmojmë nëpërmjet rolit tonë që atyre tu njihet meritat përgatitja e profesionalizimit edhe në ndërmarrje shoqërore. Ju thatë se asnjë vend i zhvilluar nuk ka një model të tillë. Norvegjia është vend i zhvilluar, Italia e Islanda janë vende të zhvilluara. Mbi të gjitha, ne të ndalemi në kushtetutën tonë, neni 24.3 i Kushtetutës pa bërë dallim mes institucioneve publike a ndërmarrjeve  private thotë se nëse një grup është më pak i përfaqësuar, atëherë institucionet publike ndërmarrin masa deri në momentin kur të arrihet kjo barazi, prandaj ne po e bëjmë këtë”, theksoi Osmani.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka kundërshtuar këtë nen, duke thënë se nuk mund t’ia kushtëzojnë bizneseve private numrin e anëtarëve femra që duhet t’i kenë në bordet e tyre.

Krasniqi: E pa kuptimtë kushtëzimi i ndërmarrjeve private

“Për mua është komplet, jo veç e pakuptimtë, por dyfytyrësi dhe përtej dyfytyrësi e një partie e qendrës së djathtë kërkon të bëjë ligje, të cilat ia imponojnë sektorit privat dhe kompanive private, ndërmarrjeve private qysh duhet t’i rregullojnë punët e brendshme, ku ka kështu me një vend privat. Ndërmarrjet publike në sektorin publik jam qind për qind për t’i mbështet jo vetëm 30 për qind që kemi në Kuvend, por hajde ta bëjmë edhe 50 për qind, edhe në ndërmarrjet publike në të cilat ne kemi interesin publik. Po me çfarë logjike shkojmë i themi një ndërmarrje private s’ki qare pa i pasur burra ose gra kaq shumë. Ju e dini që shumica e ndërmarrjeve në Kosovë janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, shumica e këtyre janë ndërmarrje familjare, dhe sot me këtë amendament po themi s’keni qare pa i futur në bord një numër të caktuar të grave. A e dini që me këtë amendament është mbi të gjitha shkelje e sektorit privat, është një imponim që shteti donë t’ia bëjë sektorit privat”, tha Krasniqi.

Pro këtij amendamenti me të zëshme ishin gratë deputete. Deputetja e grupit të deputetëve të pavarur, Shqipe Pantina, tha se është detyrë e shtetit dhe e tyre si deputetë që të korrigjojnë padrejtësitë, pasi ka pabarazi gjinore në vend.

Pantina: Është detyrë e jona në këtë rast në korrigjimin e këtyre padrejtësive

“Është detyrë e shtetit, është detyrë e jona në këtë rast në korrigjimin e këtyre padrejtësive. Ne nuk mund të pretendojmë të ndërtojmë një shoqëri të barabartë ku një shans të tillë nuk ua japim grave në biznese. Kjo është një mundësi e mirë që të fillohet që këto padrejtësi, e nuk mund të garantojmë zbatimin e ligjit, sepse ne për çdo ditë hasim në ose mos zbatim të ligjeve ose në shkeljen e tyre”, theksoi ajo.

Edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, u shpreh në favor të këtij amendamenti, duke thënë se edhe Kushtetuta siguron mundësi të barabarta të pjesëmarrjes në jetën politike, ekonomike e sociale.

Haxhiu: Kushtetuta siguron pjesëmarrje të barabartë

“Jo shumë larg 8 marsit jemi, pikërisht në ditën kur në këtë Kuvend flitej për barazi gjinore dhe po me duket qëndrimet e sotme goxha regres në këtë drejtim. Edhe në Kushtetutën e vendit, duke qenë se në Komisionin për legjislacion ka për detyrë t’iu vlerësojë amendamentet, po dua ta lexoj nenin 7 që ka të bëjë me vlerat. Kosova siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabartë të pjesëmarrjes së grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale dhe fushat tjera”, tha Haxhiu.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zeka, e ka quajtur demagogji miratimin e këtij neni dhe sa për ta fituar ndonjë votë nga gratë.

Zeka: Kjo është hajgare

“Me pas dashtë këta deputetë me luftuar për të drejtat e grave ua kishit bërë sigurimet shëndetësore, ju ua kishit bërë pushimin e lehonisë 12 muaj, ju kishit bërë ligje që favorizojnë gruan dhe e rrisin forcën e gruas në shoqëri. Le të dalë Behgjet Pacolli le të na tregon a i ndërhynë shteti i Zvicrës se sa njerëz i çon në bord kompania e tij. Kjo është hajgare të krahasohet këtu me Norvegjinë e Suedinë, ku na jemi shtet jashtëtokësor. Në Suedi e ke 18 muaj pushimin e lehonisë, në Suedi e merr baba pushimin e lehonisë. E na këtu s’kemi ndihma sociale, s’kemi asgjë kurrgjë. Ju s’keni sjellë kurrfarë ligji në favor të grave e tash po çoheni po i qesim në bord atje 40 për qind”, shtoi Zeka.

Kuvendi nis me miratimin e disa projektligjeve

Kuvendi i Kosovës ka nisur me votimin e raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016, i cili morri votat e kërkuara dhe miratimin e projektligjit për minierat dhe minerale, por jo edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Po ashtu, është miratuar edhe projektligji për inspektoratin e arsimit, projektligji për produktet të ndërtimit dhe projektligjit për konsumatorin.

Derisa projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimi në mes MASHT dhe Agjencisë austriake për Zhvillim ADA, është miratuar, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes MASHT dhe asaj të Holandës, PARK mbi mbështetjen e kolegjit të biznesit në Mitrovicë, nuk kaloi, siç nuk kaloi as projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e shkollës rajonale.

Kryeministri Haradinaj pritet t’i drejtohet Kuvendit me kërkesën e Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Gjithashtu, ndër pikat e rendit të ditë është paraparë të shqyrtohet edhe propozim-programi i punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, pastaj për herë të parë do të shqyrtohet edhe projekt-rregullorja e Kuvendit.

Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, por gjithashtu është paraparë edhe shqyrtimi i raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015 dhe 2016.

Image

Vetëvendosje ndahet edhe zyrtarisht në Kuvend

Të mërkurën, deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosje, janë regjistruar si grup i veçantë parlamentar me emrin “Grupi i deputetëve të Pavarur”.

Sot në seancën e parë si grup parlamentar, ish-deputetët e VV-së kanë zënë ulëset e tyre.

12 deputetët janë ulur pas atyre të Vetëvendosjes.

Vonohet nisja e seancës së Kuvendit

Mungesa e kuorumit, shtyrja e seancave dhe vonesa për fillimin me kohë të punimeve të Kuvendit të Kosovës, tashmë janë bërë dukuri të zakoshme.

Kështu po ndodhë edhe sot, kur është paraparë që punimet e seancës të fillojnë në ora 10 me interpelancë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Seanca e Kuvendit, pritet interpelanca e Haradinajt (Drejtpërdrejta)

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare, ku ndër të tjera është paraparë edhe interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në këtë seancë është paraparë të shqyrtohet edhe propozim-programi i punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, pastaj për herë të parë do të shqyrtohet edhe projekt-rregullorja e Kuvendit.

Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, por gjithashtu është paraparë edhe shqyrtimi i raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015 dhe 2016.

 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat