Deputetja serbe thotë se tema e të pagjeturve është bërë politike

Aktuale

Deputetja serbe thotë se tema e të pagjeturve është bërë politike

Më: 27 prill 2018 Në ora: 13:22
Jasmina Zivkovic

Në seancën që Kuvendi i Kosovës po mban për ditën e të pagjeturve, është zhvilluar një debat në mes të deputetes nga Lista Serbe, Jasmina Zivkovic dhe deputetes nga Nisma Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj

Deputetja Zivkovic ka thënë se kjo temë po bëhet më shumë politike, në vend se të orientohet nga njerëzorja. 

Ndaj kësaj reagoi Balaj-Halimaj duke thënë se çështja e të pagjeturve nuk është politikë, por historia mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës.

Zivkovic: Tema e të pagjeturve është bërë politike

“Kjo temë është bërë më tepër politike dhe krejt kjo po orientohet në anën e kundërt të asaj që është njerëzore dhe për fat të keq sot me shumë kemi bankat e zbrazëta në vend se të ishin plot. Pra, këtu është njëfarë mënyrë janë kidnapuar këta civilë, njëra palë pse janë shqiptarë, tjetra palë pse janë serbë. Është e nevojshme pas gati 20 viteve dhe besoj se me kuptojnë edhe familjet e të pagjeturve, se sot nuk duhet të flas si politikane dhe t’i fyej familjet e të zhdukurve, por ato të me kuptojnë se është koha që së bashku t’i kërkojmë nga të gjithë që me në fund që të dilet në vërtetë pasi është e njohur e vërteta, nuk është e fshehtë ajo, vetëm se nuk është dal ajo e vërtetë”, u shpreh Zivkovic.

Ajo tha se rezoluta e përgatitur për këtë seancë është e njëanshme.

Ndaj deputetes serbe, reagoi deputetja e Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, duke i thënë asaj se kjo nuk është politikë, por është histori mbi të cilën është ndërtuar Kosova.

Balaj-Halimaj: S’ka politikë këtu, ka histori

“Këtu nuk ka politikë, këtu ka histori, Kosova është ndërtuar mbi një histori të madhe dhe shumë të dhimbshme. Ju po mundoheni t’i barazoni viktimat dhe mos u viktimizoni se nuk janë të njëjta. Nëse jeni vërtetë të interesuar të punoni në këtë temë atëherë edhe ju si Listë Serbe ushtroni presion tek institucionet tuaja në Beograd që të na ndihmojnë dhe bashkë t’i gjejmë këta persona”, theksoi Halimaj.

Reagoi përsëri deputetja Zivkovic, duke përsëritur se kjo temë është bërë politike.

Zivkovic: Po e ripërsëris që kjo temë u shndërrua në çështje politike

“Për fat të keq ta them prapë që kjo çështje me shumë është politizuar sepse edhe pas 19 vjetëve të mos vije deri tek e vërteta nuk mund të interpretohet ndryshe pos si politike. Çështja e dytë ndarja e viktimave, për mua është me tepër se diskriminim, me shumë se fyerje, sepse viktimat e kidnapuara dhe të zhdukura janë krejtësisht të njëjta”, shtoi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat