LIVE: Dalin pamjet sesi militantët e Hamasit ishin futur në Izrael - Vritet gruaja e parë dhe e vetme në byronë politike të Hamasit

Azia

LIVE: Dalin pamjet sesi militantët e Hamasit ishin futur në Izrael - Vritet gruaja e parë dhe e vetme në byronë politike të Hamasit

Nga: Bota sot Më: 19 tetor 2023 Në ora: 06:09 Përditësuar në ora: 19:30 më 19.10.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

OBSH: Ndihma mjekësore është gati për të hyrë në Gazë

Pesë kamionë janë të ngarkuar me ndihma mjekësore dhe janë në pritje në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të enjten, duke e mirëpritur njoftimin e Izraelit se nuk do ta bllokojë hyrjen e ndihmave në territorin palestinez.

“Kamionët tanë janë të ngarkuar dhe të gatshëm për nisje”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për media.

Ai ka thënë se shpreson që furnizimet do të shpërndahen shpejt, pas hapjes së pikës kufitare Rafah, duke e përmendur të premten si ditën më shpresëdhënëse.

Kjo pritet të jetë hera e parë që dërgohet ndihmë në Gaza, prej kur Izraeli pati vendosur “bllokadë totale” në Rripin e Gazës, shtëpi për 2.3 milionë banorë.

Banorët atje kanë mbetur pa furnizime me ushqim, ujë dhe naftë – sipas vendimit izraelit – si përgjigje ndaj sulmeve shkatërruese të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor.

Prej asaj dite, Izraeli ka kryer edhe sulme ajrore kundër Hamasit.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për “katastrofë humanitare”.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 3.785 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.500 janë plagosur.

Nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 1.400 njerëz.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë që Hamasi besohet se i ka marrë 206 pengje në sulmet që i ka kryer dhe dyshohet se i ka dërguar në Gazë./REL

Përse Egjipti dhe vende të tjera arabe nuk janë të gatshëm të pranojnë refugjatë nga Rripi i Gazës?

Ndërsa palestinezët e dëshpëruar që largohen nga Rripi i Gazës, përpiqen të gjejnë strehim, janë ngritur pikëpyetje se pse Egjipti dhe Jordania fqinje nuk po i pranojnë ata.

Të dy vendet, në kufi me Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, kanë dhënë një përgjigje refuzuese të vendosur. Jordania ka një popullsi të madhe palestineze.

Në komentet e bëra të mërkurën, ndër më të ashprat deri tani, Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi tha se lufta që po kryente altualisht Izraeli, nuk kishte për qëllim vetëm të luftonte Hamasin, që sundon në Rripin e Gazës, "por ishte gjithashtu një përpjekje për të nxitur popullatën civilë që të emigrojë në Egjipt". Ai paralajmëroi se një gjë e tillë mund të prishë paqen në rajon.

Mbreti i Jordanisë Abdullahu i II dha një mesazh të ngjashëm një ditë më parë, duke shtuar se nuk do të lejohet asnjë refugjat në Jordani dhe në Egjipt.

Refuzimi i tyre bazohet tek frika se Izraeli po nxit një dëbim të përhershëm të palestinezëve drejt vendeve të tyre si dhe të bëjë zhbëjë kërkesat palestineze për shtetësi. Presidenti egjiptian El-Sissi tha gjithashtu se një eksod masiv do të rrezikonte vendosjen e militantëve në Gadishullin egjiptian të Sinait, nga ku ata mund të nisnin sulme ndaj Izraelit, duke rrezikuar traktatin 40-vjeçar të paqes mes dy vendeve.

Një histori zhvendosjesh

Zhvendosja nga një vend në tjetrin ka qenë një temë kryesore e historisë palestineze. Në luftën e vitit 1948, periudhë kur u krijua Izraeli, rreth 700 mijë palestinezë u dëbuan, ose u larguan nga territori që tani njihet si shteti i Izraelit. Palestinezët i referohen ngjarjes si ‘Nakba’, që në arabisht do të thotë "katastrofë".

Në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, 300 mijë palestinezë të tjerë u larguan, kryesisht për në Jordani.

Refugjatët dhe pasardhësit e tyre llogariten të jenë afro 6 milionë, shumica jetojnë në kampe dhe komunitete në Bregun Perëndimor, në Gazë, Liban, Siri dhe Jordani. Diaspora është përhapur edhe më tej dhe shumë refugjatë kanë ndërtuar jetën e tyre në vendet arabe të Gjirit, apo në Perëndim.

Pas përfundimit të luftës së vitit 1948, Izraeli refuzoi të lejonte refugjatët që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Që aso kohe, Izraeli ka hedhur poshtë kërkesat palestineze për kthimin e refugjatëve, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, duke thënë se kjo do të kërcënonte shumicën hebreje të vendit.

Egjipti druhet se historia do të përsëritet dhe një popullsi e madhe refugjatësh palestinezë nga Rripi i Gazës, do të përfundojë duke qëndruar përgjithmonë në këtë vend.

Asnjë garanci për kthim

Kjo gjë bazohet pjesërisht tek mungesa e një skenari të qartë se si do të përfundojë kjo luftë.

Izraeli thotë se synon të shkatërrojë Hamasin, pas sulmit të përgjakshëm nga ana e grupit të militantëve më 7 tetor në jug të vendit. Por Izraeli nuk ka dhënë asnjë sinjal se çfarë mund të ndodhë më pas dhe kush do të qeverisë Gazën. Kjo ka ngritur shqetësimin për një ripushtim të territorit për një periudhë, duke nxitur konflikte të mëtejshme.

Ushtria izraelite tha se palestinezët që zbatuan urdhrin për t’u larguar nga pjesa veriore e Gazës në gjysmën jugore të rripit, do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës.

Egjipti vijon të jetë i shqetësuar

Presidenti egjiptian El-Sissi tha se luftimet mund të zgjasin me vite, nëse Izraeli do t’i mbahet qëndrimit se nuk i ka goditur mjaftueshëm militantët. Ai propozoi që Izraeli t'i strehojë palestinezët në shkretëtirën e tij, në Negev, një zonë fqinje me Rripin e Gazës, deri në përfundim të operacioneve të tij ushtarake.

Egjipti ka nxitur Izraelin të lejojë futjen e ndihmës humanitare në Gazë dhe autoritetet izraelite njoftuan të mërkurën se do ta bënin një gjë të tillë, por pa thënë se kur. Sipas Kombeve të Bashkuara, Egjipti, i cili po përballet me një krizë ekonomike, strehon rreth 9 milionë refugjatë dhe migrantë, përfshirë rreth 300 mijë sudanezë, të cilët mbërritën këtë vit, pasi u larguan nga lufta në vendin e tyre.

Por vendet arabe dhe shumë palestinezë dyshojnë gjithashtu se Izraeli mund ta përdorë këtë mundësi për të bërë ndryshime të përhershme demografike, me qëllimin për të dëmtuar kërkesat palestineze për një shtet në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, i cili gjithashtu u pushtua nga Izraeli në 1967.

Presidenti egjiptian El-Sissi përsëriti të mërkurën paralajmërimin se një eksod nga Rripi i Gazës kishte për qëllim "të eliminonte kauzën palestineze, kauzën më të rëndësishme të rajonit tonë". Ai tha se nëse një shtet palestinez i çmilitarizuar do të ishte krijuar shumë kohë më parë me negociata, aktualisht nuk do të kishte luftë.

Frika e vendeve arabe është nxitur vetëm nga forcimi i partive të ekstremit të djathtë që bashkëqeverisin me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, parti që janë pro largimit të palestinezëve. Që nga sulmi i Hamasit, retorika e tyre është bërë më pak e përmbajtur dhe disa politikanë të krahut të djathtë e komentues mediatikë, kanë bërë thirrje që ushtria të shkatërrojë Gazën dhe të dëbojë banorët e saj. Një ligjvënës tha se Izraeli duhet të kryejë një "Nakba të re" në Gazë.

Shqetësime lidhur me Hamasin

Në të njëjtën kohë, Egjipti thotë se një eksod masiv nga Rripi i Gazës do të sillte Hamasin, ose militantë të tjerë palestinezë, në territorin e vendit të tij. Një gjë e tillë do të krijonte destabilitet në Sinai, ku ushtria egjiptiane ka luftuar për vite me radhë kundër militantëve islamikë, duke akuzuar gjithashtu Hamasin, se po i mbështet ata.

Egjipti ka mbështetur bllokadën e Izraelit ndaj Gazës, që kur Hamasi mori kontrollin e territorit në vitin 2007, duke forcuar kontrollet në kufi. Po kështu Egjipti shkatërroi gjithashtu rrjetin e tuneleve, që mundësonin kalimin nga ana tjetër e kufirit, të cilat Hamasi, apo palestinezë të tjerë, i kishin përdorur për të future mallra kontrabandë në Gazë.

Presidenti egjiptian El-Sissi paralajmëroi për një skenar edhe më destabilizues: shkatërrimin e Egjiptit dhe marrëveshjes së paqes të Izraelit të vitit 1979. Ai tha se me praninë e militantëve palestinezë, Sinai "do të bëhej një bazë për sulmet ndaj Izraelit. Izraeli do të gëzonte të drejtën e tij për t’u mbrojtur… dhe do të godiste territorin egjiptian”, sikurse tha ai./VOA

Tensionet SHBA-Turqi dhe kriza në Rripin e Gazës

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë po rriten, ndërsa Uashingtoni dhe Ankaraja shkëmbejnë akuza mbi kërcënimet për sigurinë. Polemikat mes tyre vijnë pas rrëzimit të një droni turk nga Shtetet e Bashkuara, për të cilin Uashingtoni tha se po kërcënonte forcat amerikane në Siri.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar forcat amerikane në Siri se po paraqesin kërcënim ndaj sigurisë së Turqisë. Trupat amerikane mbështesin Forcat Demokratike të Sirisë në luftën kundër Shtetit Islamik, por Ankaraja thotë se grupi sirian është i lidhur me kryengritësit kurdë në Turqi.

Mosmarrëveshjet midis dy aleatëve të NATO-s u përshkallëzuan pasi forcat amerikane rrëzuan një dron turk këtë muaj në Siri me arsyetimin se ai përbënte një kërcënim. Ky veprim zemëroi zyrtarët në Ankara.

“Është një gabim i papranueshëm. Një anëtar i NATO-s nuk mund të qëllojë në drejtim të një mjeti ajror të një aleati, edhe nëse ai është pa pilot. Nëse vazhdojmë me këtë situatë në Siri, ndoshta ne do të luftojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë them se kjo është shumë e rrezikshme, jo vetëm për Amerikën, por për paqen dhe qëndrueshmërinë në të gjithë rajonin”, thotë Mesut Casin, këshilltar i Presidentit turk.

Ushtria turke ka intensifikuar sulmet ajrore kundër Forcave Demokratike të Sirisë pas sulmit vetëvrasës të këtij muaji në Ankara, të kryer nga Partia militante e Punëtorëve të Kurdistanit. Por Uashingtoni, përmes një deklarate, kundërshtoi thirrjet e Ankarasë për t'i dhënë fund mbështetjes për Forcat Demokratike të Sirisë dhe akuzoi Turqinë për minimin e luftës kundër Shtetit Islamik.

“Tensionet janë rritur aq shumë sa që Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të lejojnë një dron aleat të fluturojë mbi bazat e saj në rajon. Ky është një zhvillim i ri. Këto tensione janë të konsiderueshme sepse në thelb, Shtetet e Bashkuara e shohin si një interes të rëndësishëm misionin e tyre kundër terrorizimit në Siri. Uashingtoni mendon se tërheqja e forcave amerikane nga Siria do të krijonte kushtet për një rikthim të mundshëm të Shtetit Islamik”, thotë Aaron Stein nga Instituti për Studime të Politikës së Jashtme.

Ekspertët paralajmërojnë se tensionet në rritje mes Uashingtonit dhe Ankarasë po ndikojnë në përpjekjet për të zgjidhur krizën në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit në Izrael.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk ndaloi në Turqi, nuk po zhvillon bisedime intensive me homologun e tij turk edhe pse Turqia është qartë një vend që ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me udhëheqjen e Hamasit dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për lirimin e pengjeve. Kjo tregon se ka një çarje në marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidentit Erdogan nuk i pëlqen të injorohet. Gjithashtu nuk ka besim mes dy palëve. Duhet të merren hapa drejt krijimit të besimit”, thotë Asli Aydintasbas, eksperte në Institutin Brookings.

Kritikat gjithnjë e më të ashpra të zotit Erdogan ndaj Izraelit lidhur me luftën e tij kundër Hamasit kanë në shënjestër edhe ndihmën ushtarake të Uashingtonit për Izraelin.

Analistët thonë se Uashingtoni është i përqëndruar në konfliktin në rajon dhe nuk po merret me tensionet me Turqinë.

“Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit dhe tensionet në rajon tani janë në qendër politikes së jashtme të Shteteve të Bashkuara, jo menaxhimi marrëdhënieve SHBA-Turqi”, thotë Aaron Stein nga Instituti për Studime të Politikës së Jashtme.

Ekspertët paralajmërojnë se me intensifikimin e luftës Izrael-Hamas, vendimi i Uashingtonit për të injoruar Ankaranë, qoftë qëllimisht apo me neglizhencë, mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të tensioneve në të gjithë rajonin./VOA

SHBA forcon kapacitetet ushtarake në Lindjen e Mesme

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin vendosi mbi 2 mijë pjesëtarë të ushtrisë në gjendje gatishmërie këtë javë.

Pentagoni i tha Zërit të Amerikës se nëse presidenti aktivizon njësitë, ato do të forconin më tej kapacitetin ajror të ushtrisë amerikane; aftësitë mjekësore dhe logjistike; si dhe aftësitë e zbulimit dhe vëzhgimit në Lindjen e Mesme.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb sjell më shumë hollësi mbi masat që Shtetet e Bashkuara po marrin në rajon.

Një tjetër grup i avionëve luftarakë i shtohet forcës sulmuese detare amerikane në Mesdhe.

Aeroplanmbajtësja USS Dwight D. Eisenhower do t’i bashkohet aeroplanmbajtëses tjetër USS Gerald R. Ford, e vendosur në gjendje gatishmërie në lindje të rajonit.

“Qëllimi ynë kryesor duke vendosur jo një, por dy aeroplanmbajtëse atje, është dërgimi i mesazhit të parandalimit, për të paralajmëruar aktorët në rajon, që mendojnë se mund ta shfrytëzojnë këtë konflikt", thotë Sabrina Singh, Zëvendës Sekretare e Shtypit në Pentagon.

Pjesëtarët e bordit të luftanijes USS Ford, më e madhja dhe më e modernia amerikane, sa e kishin përfunduar misionin e tyre gjashtëmujorë. Por, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin e zgjati për kohë të pacaktuar qëndrimin e tyre në rajon.

Tre anijet e grupit amfib USS Bataan po vendosin mijëra marinsa në ujërat pranë Izraelit, të gatshëm të depërtojnë në territor armiqësor, ose të ofrojnë kujdes dhe ndihmë mjekësore. Një skuadrilje e avionëve sulmues A-10 ka mbërritur në Lindjen e Mesme, krahas vazhdimit të vendosjes së një skuadrilje tjetër të avionëve sulmues A-10.

Shtetet e Bashkuara po shtojnë edhe numrin e avionëve luftarakë F-15 dhe F-16, ndërsa rriten shqetësimet se Hezbollahu mund t’i bashkohet luftës nga veriu, sapo të fillojë sulmi i pritshëm tokësor i Izraelit në Gazë.

“Hezbollahu ka rreth 200 mijë raketa dhe predha. Aftësia për t’i goditur pozicionet e tyre është tepër e rëndësishme. Këto dislokime shtesë krijojnë atë mundësi”, thotë Dakota Wood nga Fondacioni Heritage.

Përveç rritjes së pranisë ushtarake, Shtetet e Bashkuara dërguan të paktën pesë avionë transporti C-17 me ndihma ushtarake për Forcat izraelite të Mbrojtes.

“Ne po furnizojmë Izraelin me sisteme të sigurisë për të shkatërruar dhe zmbrapsur Hamasin në Gazë. E përsëris sa herë të doni: kjo nuk nënkupton vrasjen e civilëve të pafajshëm”, thotë Sabrina Singh, Zëvendës Sekretare e Shtypit në Pentagon.

Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes thonë se administrata po angazhohet për të furnizuar Izraelin me municione precize dhe raketa për sistemin e saj të mbrojtjes ajrore “Iron Dome”..VOA

Pamjet e kamerave GoPro tregojnë sesi militantët e Hamasit ishin futur në Izrael

Një sërë video të publikuara një javë më parë, janë filmuar me kamera GoPro që i mbanin militantët e Hamasit, ku shihet se si ky grup ekstremist palestinez kishte thyer gardhin që ndanë Izraelin me Gazën dhe kishte kryer vrasje masive.

South First Responders kanë publikuar të hënën një sërë videosh të tilla në Telegram, që e dëshmojnë këtë sulm nga ana e militantëve të Hamasit, shkruan Times of Israel.

Videot tregojnë militantët e Hamasit duke u iu afruar gardhit të sigurisë, disa me motoçikleta, ku pasi arrijnë ta thyejnë gardhin, vazhdojnë nëpër tampon zonën derisa arrijnë në destinacion.

Një video tjetër shfaq Hamasin duke thyer një mur tjetër dhe futen në territorin e Izraelit, përkatësisht në kibucin Kerem Shalom në kufi me pjesën jugore me Rripin e Gazës.

Militantët pa asnjë pikë droje hapin zjarri mbi shtëpitë dhe futen në beteja me rojat lokale të sigurisë që tentonin të mbronin komunitetin nga këto sulme.

Ndryshe më 7 tetor, Hamasit filloi një sulm të befasishëm mbi qytetet izraelite. Nga ky sulm humbën jetën 1.400 izraelite dhe 200 tjerë u rrëmbyen.

Vritet gruaja e parë dhe e vetme në byronë politike të Hamasit

Nga: A.Sh

Mediat palestineze po raportojnë se gruaja e parë dhe e vetme në byronë politike të Hamasit është vrarë në një sulm ajror. Byroja politike është organi kryesor vendimmarrës i Hamasit.

Jamila al-Shanti, e veja e bashkëthemeluesit të Hamasit, Abdel Aziz al-Rantisi, themeloi lëvizjen e grave në Hamas dhe u bë gruaja e parë e zgjedhur në byronë politike në vitin 2021.

Në raporte nuk kishte asnjë detaj për vendndodhjen e grevës.

Sunak mbërrin në Izrael

Nga: A.Sh

Kryeministri pritet të zhvillojë bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog, përcjell Bota sot.

Redaktori politik Beth Rigby ka thënë se zyrtarët qeveritarë po paralajmërojnë se nuk presin një "lepur nga kapelja" nga vizita.

Ekipi i tij po mbante të fshehta se cilat vende të tjera mund të vizitonte në udhëtimin e tij dy-ditor.

Netanyahu mbledh qeverinë e luftës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një takim me anëtarët e kabinetit të luftës të për të vlerësuar situatën, pas zhvillimeve në terren.

Pas bisedimeve me presidentin amerikan Joe Biden, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të lejojë kalimin e ndihmave humanitare në Gaza, nga pika kufitare e Rafahut, për aq kohë sa ajo nuk përfundon me Hamasin.

Në hakmarrje për sulmet e 7 tetorit nga militantët e Hamasit, Izraeli është zotuar të zhdukë Hamasin përmes një sulmi të pamëshirshëm në Rripin e Gazës.Zemërimi i ri u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme kur një shpërthim në një spital në Gaza vrau qindra njerëz.

Zyrtarët izraelitë dhe palestinezë fajësuan njëri-tjetrin për vdekjet, teksa protesta të mëdha pro-Palestinës po mbahen anembanë botës.

Izraelitët pretendojnë se ka eskaluar konflikti me Hezbollahun

Forcat e armatosura të Izaelit kanë njoftuar se ka patur eskalim konflikti me Hezbollahun.

Hezbollahu ka shprekur një sërë predhash antitank nga Liban në drejtim të Izraelit, duke shënjestruar pozicionet ushtarake dhe ato civile, duke shkaktuar dëme, ka bërë të ditur sot zëdhënësi i IDF-së izraelite, Jonathan Conrius.

Ai shtoi sesi Hezbollahu ka tentuar të infiltrohet në Izrael por se një gjë e tillë është parandaluar nga  IDF-ja.

“Ajo çfarë po bën tani Hezbollahu është se po tenton të fut në konflikt Liban nga i cili sigurisht se nuk do të ketë dobi”, shtoi Concrius.

Në anën tjetër Hezbollahu ka njoftuar mbrëmë se ka kryer gjashtë sulmet mbi pozicionet e ushtrisë izraelite përgjatë tërë kufirit të Libanit – duke përdorur raketa, mitraloz dhe minahedhës të kalibrit 57 mm. 

 

SHBA-ja dërgon luftanije shtesë në Izrael dhe vë në gatishmëri 2 mijë trupa

Pak orë pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 tetor, Shtetet e Bashkuara filluan t’i dërgojnë luftanijet dhe avionët luftarakë në rajon për të qenë të gatshme për ta ndihmuar Izraelin me çfarëdo që i nevojitet për t’iu përgjigjur grupit militant. Të martën e 17 tetorit, luftanije shtesë dhe trupa amerikane u nisën drejt Izraelit, ndërsa trupa të tjerë në SHBA po përgatiten për t’u zhvendosur atje nëse iu kërkohet.

Një aeroplanmbajtës amerikan dhe flota e tij detare janë vendosur tashmë në lindje të Detit Mesdhe, ndërsa një tjetër është rrugës për atje. Për më tepër, tri luftanije të marinës amerikane janë nisur drejt Mesdheut. Dhjetëra avionë luftarakë janë dërguar nëpër bazat ushtarake amerikane rreth Lindjes së Mesme, ndërsa forcat amerikane për operacione speciale po punojnë me Ushtrinë e Izraelit në planifikim dhe inteligjencë.

Deri të martën, pesë dërgesa me armë dhe pajisje amerikane kanë mbërritur në Izrael.

E tërë kjo përgatitje pasqyron shqetësimet e shtuara të Shteteve të Bashkuara se lufta vdekjeprurëse mes Hamasit dhe Izraelit do të përshkallëzohet dhe përhapet në një konflikt më të gjerë rajonal. Prandaj, misioni kryesor i luftanijeve dhe avionëve luftarakë të Amerikës është prania e madhe dhe e dukshme e cila do ta frenojë Hezbollahun, Iranin apo të tjerët nga shfrytëzimi i kësaj gjendje.

Anijet dhe avionët e marinës

Njëri nga shembujt më të dukshëm të reagimit amerikan është në ujërat përreth Izraelit – një grup luftanijesh masive ndodhen apo po shkojnë drejt lindjes së Mesdheut dhe Detit të Kuq.

Aeroplanmbajtësi modern amerikan, USS Gerald R. Ford, u urdhërua të shkojë në lindje të Detit Mesdhe pak orë pas sulmit dhe të martën, Pentagoni tha se zhvendosja gjashtëmujore e aeroplanmbajtësit në këtë rajon është zgjatur, por nuk tregoi deri kur. Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, e urdhëroi së fundmi aeroplanmbajtësin USS Dwight D. Eisenhower t’i bashkohet Fordit në lindje të Mesdheut, dhe ky aeroplanmbajtës është tani rrugës për atje.

Të martën, Pentagoni tha se do ta dërgojë edhe grupin e gatshëm amfib USS Bataan, i cili përbëhet nga tri anije që bartin mijëra marinsa. Një zyrtar amerikan tha se USS Mesa Verde, një dok transportues amfib, është në Detin Mesdhe, dhe se Bataan, një luftanije amfibe, dhe USS Carter Hall, një anije zbarkimi, ishin në rajonin e Gjirit dhe tani po shkojnë drejt Detit të Kuq.

Anijet bartin helikopterë dhe avionë luftarakë të cilët mund t’i dërgojnë marinsat në territore armiqësore, apo të ofrojnë kujdes mjekësor dhe ndihma të tjera.

Luftanijet, posaçërisht aeroplanmbajtësit me avionë luftarakë dhe avionë vazhdues, janë dëshmuar historikisht si parandalues efektivë kundër Iranit dhe aktiviteteve të tjera militante në Lindjen e Mesme.

Armët dhe forcat e operacioneve speciale

Aeroplanët e mbushur me armë amerikane kanë filluar të mbërrijnë në Izrael tashmë. Një aeroplan transportues C-17 u shkarkua të premten në bazën ajrore në lindje të Gazës, Nevatim. Të martën, Pentagoni tha se pesë dërgesa të tilla janë bërë tashmë dhe më shumë tjera do të bëhen.

Zyrtarët e Mbrojtjes së SHBA-së thonë se administrata i ka dhënë tashmë Izraelit bomba të vogla, municione të tjera dhe raketa interceptuese për sistemin e vet mbrojtës ajror, Kupola e Hekurt, dhe se do t’i japin edhe më shumë.

Municioni që SHBA-ja do t’ia dhurojë Izraelit për Kupolën e Hekurt me gjasë do të jetë shtesë, pasi Izraeli ka porositur tashmë municion, si dhe do të jetë pjesë e pakos së ndihmave ushtarake.

Për më tepër, SHBA-ja e ka krijuar një qelizë të vogël të forcave për operacione speciale, e cila është duke punuar me Izraelin, duke i ofruar të dhëna të inteligjencës dhe planifikimit, si dhe këshilla për Forcat e Mbrojtjes së Izraelit në përpjekjet e tyre për shpëtimin e pengjeve.

Pentagoni tha se këta trupa amerikane nuk po marrin pjesë në asnjë operacion për shpëtimin e pengjeve dhe se nuk ka forca ushtarake amerikane në terren në Izrael.

Avionë luftarakë të Forcës Ajrore

Pentagoni, po ashtu, ka urdhëruar dërgimin e më shumë avionëve luftarakë për t’iu bashkuar njësive të avionëve A-10, F-15 dhe F-16 në bazat ajrore nëpër Lindjen e Mesme. Edhe më shumë do të shtohen po qe nevoja.

Forcat Ajrore të SHBA-së kanë tashmë fuqi ajrore në rajon për të kryer operacione me dhe pa pilotë, kryesisht në Siri, ku avioni luftarak F-16 u urdhërua javën e kaluar ta rrëzonte një dron turk i cili po i kërcënonte forcat tokësore amerikane.

Trupa shtesë po bëhen gati

Austini urdhëroi 2.000 trupa të forcave amerikane të jenë të gatshëm për t’u zhvendosur, nëse është e nevojshme, në ditët apo javët në vijim.

Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, tha për gazetarë të martën se njësitë nuk janë identifikuar ende. Ajo tha se trupat do të jenë në gjendje të reagojnë shpejt, posaçërisht për të ofruar të dhëna të inteligjencës dhe mbikëqyrje, transportim dhe ndihmë mjekësore.

Në mesin e 2.000 trupave me gjasë përfshihen edhe personeli i Forcës Ajrore dhe Ushtrisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat