Flamurtari befason kampionet në Vlorë

Basketboll

Flamurtari befason kampionet në Vlorë

Më: 23 prill 2024 Në ora: 19:09
Pamje nga ndeshja

Ekipi i Tiranës në basketboll për femra fitoi sot pasdite 61-57 ndaj Flamurtarit, në finalen e parë play off luajtur në Vlorë. Një sukses që nxjerr përpara me ndeshje ekipin bardheblu (udhëheqin 1-0), që arriti një fitore të rëndësishme në shtëpinë e kampioneve.

Ndeshja ishte në përgjithësi nën komandën e mikeshave nga kryeqyteti, që në pjesën e parë luajnë më mirë dhe kanë një epërsi të lehtë. 20 minutat e para mbyllen 34-22 për Tiranën, që “ngec” disi në periodën e tretë.

Flamurtari, falë mbështetjes së tifozëve, “zgjohet” në 10-minutëshin e tretë, duke ngushtuar rezultatin në 49-46. Madje shifrat barazohen në fillimin e periodës së katërt (49-49), duke e bërë mjaft emocionuese ndeshjen.

Gjithsesi, bardheblutë krijojnë një epërsi të lehtë në pjesën e mbetur të ndeshjes dhe e ruajnë atë deri në fund. Përpjekjet e vlonjateve nuk japin rezultatin e duhur, duke dalë kokëulur nga kjo sfidë.

Katër basketbolliste të Tiranës bënë diferencën në këtë ndeshje, ku shënuesja më e mirë ishte Bojka me 18 pikë, mbështetur nga Palko me 15 pikë e 11 rebound. Për Flamurtarin u dallua Henderson me 16 pikë, por që mbetën për statistikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat