LIVE: ‘Nervozohen’ ukrainasit me deklaratat e fundit, SHBA vjen me njoftimin e rëndësishëm

Evropë

LIVE: ‘Nervozohen’ ukrainasit me deklaratat e fundit, SHBA vjen me njoftimin e rëndësishëm

Nga: Bota sot Më: 16 korrik 2023 Në ora: 07:24 Përditësuar në ora: 21:32 më 16.07.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Rusia nuk ndalet, bombardon Kharkiv, të paktën 4 të plagosur

Të paktën katër persona u plagosën sot nga bombardimet ruse në një lagje të Kharkiv, qyteti më i madh në Ukrainën lindore, thanë zyrtarët lokalë.

Oleh Sinekhubov, guvernatori i Kharkiv, shkroi në Telegram se katër persona u plagosën. Tre nga të plagosurit janë dërguar në spital ndërsa i katërti ka marrë ndihmën e parë në vend.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Ihor Terekhov, tha se gjithsej shtatë persona u plagosën nga bombardimet në lagjen Osnovianski në Kharkiv jugor.

Ukraina rimori pjesën më të madhe të provincës lindore të Kharkiv shtatorin e kaluar dhe forcat ruse ruajnë kontrollin e vetëm një brezi të vogël toke në zonë.

“Ukraina insiston në luftë, Evropa paguan për gjithçka”, Kievi kritikon deklaratën e presidentit bullgar

Presidenti bullgar, Rumen Radev sulmoi Ukrainën duke pretenduar se Kievi “insiston në luftën”, ndërsa “Evropa paguan për gjithçka”. Rumen Radev tha se “e gjithë Evropa po paguan faturën” për mbrojtjen e Ukrainës dhe i bëri thirrje Bullgarisë të miratojë një pozicion “neutraliteti”.

Komentet e tij bënë që kryeministri bullgar Nikolai Denkov të sqaronte se nuk ishin qëndrimi i qeverisë.”Sot ai përsërit disa deklarata ruse që nuk kanë të bëjnë me atë që anëtarët e BE-së dhe NATO-s paraqesin si qëndrim,” tha Denkov, sipas Kyiv Independent.

Ambasada e Ukrainës në Sofje u përgjigj duke thënë se fajësimi i luftës ndaj Ukrainës, e cila “u sulmua pabesisht nga fqinji i saj verior, është një nga tezat më të zakonshme mbështetëse të propagandës ruse dhe luftës hibride në Evropë”.

Ambasada tha se Kievi po bënte të gjitha përpjekjet e mundshme për të rivendosur paqen dhe hodhi poshtë qëndrimin e Radevit se furnizimi me armë në Ukrainë nxit dhe zgjat luftën

SHBA: Ukraina së shpejti do të përdorë bombat thërrmuese

“Nëse nuk e ka bërë tashmë, Ukraina do të përdorë bomba thërrmuese në orët dhe ditët e ardhshme”. Kështu tha në një intervistë për CNN, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, duke konfirmuar se forcat e Kievit kanë marrë bombat thërrmuese amerikane.

Disa ditë më parë një gjeneral ukrainas konfirmoi se vendi kishte marrë municionet thërrmuese nga SHBA pasi presidenti Joe Biden njoftoi se kishte marrë “vendimin e vështirë” për të miratuar transferimin e tyre në Ukrainë.

“Sapo i kemi marrë, nuk i kemi përdorur ende, por ato mund të ndryshojnë rrënjësisht [fushën e betejës],” tha Gjenerali Oleksandr Tarnavskyi, komandanti i Operacionit të Forcave të Përbashkëta Tavria.

“Armiku e kupton gjithashtu se me marrjen e këtij municioni do të kemi përparësi. Armiku do të heqë dorë nga ajo pjesë e terrenit ku është e mundur të përdoret kjo”, shtoi ai.

Kryebashkiaku i Kharkiv thotë se qyteti është goditur nga raketat ruse

Raketat ruse goditën qendrën e qytetit të Kharkiv-it në Ukrainën lindore gjatë orëve të para të së dielës, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Ihor Terekhov.

Një nga goditjet u regjistrua në lagjen Shevchenkivskyi dhe nuk shkaktoi asnjë dëm, tha Terekhov, shkruan CNN.

“Sa i përket pjesës tjetër të sulmeve raketore, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave po inspekton zonën. Ka shumë të ngjarë që Kharkiv të jetë goditur nga raketat S-300,” tha ai, duke iu referuar një lloji rakete me rreze të gjatë veprimi që përdoret zakonisht nga Rusia . që është e aftë për shkatërrim të konsiderueshëm.

Kryebashkiaku tha se për momentin nuk ka informacione për viktima.

I vendosur në Ukrainën verilindore, Kharkiv është qyteti dhe bashkia e dytë më e madhe e vendit dhe u konsiderua një objektiv kryesor për ushtrinë ruse në fillim të pushtimit.

Mercenarët e grupit Wagner mbërrijnë në Bjellorusi; Polonia përforcon kufirin

Mercenarët e grupit privat rus Wagner gjenden në Bjellorusi, thanë të shtunën zyrtarët ukrainas dhe polakë, një ditë pasi Minsku njoftoi se ata po stërvisnin ushtarët bjellorusë në juglindje të kryeqytetit.

“Wagner gjendet në Bjellorusi”, shkruajti në një mesazh në rrjetin Telegram zëdhënësi i agjencisë ukrainase për kufirin, Andriy Demchenko. Ai tha se ishin pikasur në Bjellorusi “grupe të veçanta” të zhvendosura nga Rusia.

Disa luftëtarë të grupit Wagner kishin mbërritur në Bjellorusi që të martën, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters dy burime të afërta me luftëtarët.

Ministria bjelloruse e mbrojtjes qarkulloi të premten një video, ku sipas saj duken luftëtarë të grupit Wagner duke stërvitur ushtarët bjellorusë në një kamp ushtarak pranë qytetit Osipovichi.

Sipas Presidentit rus Vladimir Putin, kjo zhvendosje e grupit Wagner drejt Bjellorusisë ishte pjesë e marrëveshjes që i dha fund rebelimit në qershor, kur mercenarët morën kontrollin e një shtabi të ushtrisë ruse, marshuan drejt Moskës dhe për pak e futën Rusinë në luftë civile.

Drejtuesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, nuk është parë më në publik që kur u largua nga qyteti jugor rus Rostov-on-Don, në orët e vona të datës 24 qershor.

Zëvendësministri për koordinimin e shërbimeve speciale të Polonisë, Stanislaw Zaryn, tha se edhe Varshava ka konfirmuar praninë në Bjellorusi të luftëtarëve të grupit Wagner.

“Mund të jenë aktualisht disa qindra prej tyre”, shkruajti zoti Zaryn në Twitter.

Polonia njoftoi këtë muaj se po përforconte kufirin e saj me Bjellorusinë, për t’u përgatitur ndaj kërcënimeve të mundshme.

Megjithëse nuk dërgoi forca bjelloruse në Ukrainë, Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko i lejoi Moskës të përdorë territorin bjellorus për të bërë sulmin e saj frontal ndaj Ukrainës në shkurt 2022 dhe ka lejuar që atëherë përdorimin e vendit të tij si bazë për armët bërthamore të Rusisë.

Organizata bjelloruse “Projekti Hajun”, që monitoron aktivitetin ushtarak në vend dhe që konsiderohet si formacion ekstremist nga autoritetet bjelloruse, njoftoi se një autokolonë e gjatë me të paktën 60 automjete hynë në Bjellorusi nga Rusia gjatë natës së të premtes.

Organizata tha se automjetet, ndër ta kamionë, fuoristrada, furgonë dhe autobuzë, mbanin targa të republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut në pjesën lindore të Ukrainës. Me një lëvizje që konsiderohet e paligjshme, Moska vendosi vitin e kaluar t’i aneksojë këto republika, të cilat kanë shërbyer si vasalë të Rusisë që nga viti 2014.

“Projekti Hajun” tha se një autokolonë e grupit Wagner dukej se po i drejtohej Tselit, në pjesën qendrore të Bjellorusisë, ku gazetarëve të huaj u ishte treguar javën e kaluar një kamp me qindra tenda të ngritura.

Një video e qarkulluar të shtunën në mbrëmje nga korrespondenti rus i luftës Alexander Kotz tregonte një autokolonë kamionësh dhe autoblindash në një autostradë në Rusinë jugore, disa prej të cilëve mbanin flamurin e grupit Wagner.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur njoftimet e organizatës bjelloruse Hajun. Gjithashtu, nuk pati komente të menjëhershme nga Rusia apo Bjellorusia./VOA

Intensifikohen luftimet në lindje të Ukrainës

Luftimet në Ukrainën lindore janë "intensifikuar në një farë mase" ndërsa forcat ukrainase dhe ruse po luftojnë në të paktën tre zona në frontin lindor, tha të dielën zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Maliar.

Kievi filloi një kundërofensivë muajin e kaluar në përpjekje për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.

Zonja Maliar tha në Telegram se forcat ruse kanë sulmuar në drejtim të Kupyanskit në rajonin e Kharkivit për dy ditë me radhë dhe se ushtritë e dy vendeve po luftojnë rreth qytetit të rrënuar të Bakhmutit, por se forcat ukrainase po "përparojnë gradualisht" përgjatë krahut jugor të tij.

Ajo shtoi se trupat e Kievit po frenonin gjithashtu sulmet ruse pranë Avdiivkas dhe Maryinkas.

Një zëdhënës i komandës jugore të ushtrisë tha të dielën në një deklaratë të veçantë se forcat ukrainase kishin përparuar më shumë se një kilometër në një pjesë të frontit jugor.

Kievi ka bërë përparime në rritje në pjesë të lindjes dhe jugut që nga nisja e kundërofensivës.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në një intervistë për televizionin shtetëror, një pjesë e së cilës u publikua të dielën, se operacioni ukrainas "nuk po shënonte sukses" dhe se përpjekjet për të thyer mbrojtjen ruse kishin dështuar./VOA

Ukrainasit i nervozon deklarata e ministrit britanik të Mbrojtjes lidhur me atë se duhet të jenë mirënjohës

Autoritetet ukrainase kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit britanik të Mbrojtjes, i cili e akuzoi Ukrainën për mosmirënjohje për ndihmën ushtarake britanike, gjë që u pasua nga një reagim publik.

Mediat e huaja shkruajnë se ndaj një deklarate të tillë ukrainasit reaguan me konfuzion, irritim të lehtë dhe ironi ndaj komenteve të Ben Wallace, se vendi duhet të jetë më mirënjohës për ndihmën që po merr nga Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e tjerë ndërsa lufton agresionin rus.

Kievi e kishte konsideruar më parë Wallace një mik të fortë. Por komentet e tij në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Lituani javën e kaluar i hutuan zyrtarët.

“Të pëlqen apo jo, njerëzit duan të shohin njëfarë mirënjohjeje”, tha Wallace, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me zhgënjimin e presidentit Volodymyr Zelensky për mosmarrjen e një ftese zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO.

Wallace tha se trajtimi i ashpër i Ukrainës ndaj aleatëve është kundërproduktiv, veçanërisht me politikanët skeptikë në Kongresin e SHBA dhe gjetkë.

“Unë u thashë atyre se nuk jam si Amazon”, tha ai.

Ai sugjeroi se kërkesat e Kievit për armë ishin të pangopura, me më shumë që kërkoheshin sapo të sigurohej një dorëzim.

Ndërkohë që pati një debat mes zyrtarëve nëse ky ishte qëndrimi i Anglisë apo shpërthimi i një politikani, në Twitter nga përdoruesit ukrainas ndërkohë vërshuan me postime humoristike.

Ukrainasit i afrohen istikameve të rusëve, zhvillohen luftime të ashpra – pamje nga fushëbeteja

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka publikuar një video të luftimeve të ashpra mes ukrainasve dhe forcave ruse në istikiame në afërsi të  rajonit të Zaporizhzhia.

Kjo ministri në Telegram ka njoftuar se ushtarët e Gardës Kombëtare iu vërsulën trupave ruse, duke luftuar kundër tyre në një distancë prej hiq më shumë se 20 metra.

Ata për asnjë moment nuk shfaqën nuanca frike apo paniku, përkundrazi arritën të zmbrapsin ushtarët rusë që ishin pozicionuar atje nga viti i kaluar.

Ndryshe ukrainasit pretendojnë se në orët e para të mëngjesit të sotëm, kanë bombarduar pozicionet e rusëve në Krimenë e aneksuar.

Në anën tjetër, rusët pretendojnë se kanë rrëzuar disa prej fluturakeve pa pilot të ukrainasve, duke mos specifikuar se për sa sosh bëhet fjalë.

Gjendet e vdekur vajza e aleatit të Putinit

Vajza e një tjetër aleati të Vladimir Putin raportohet të jetë gjetur e vdekur në rrethana misterioze, në një lagje të kryeqytetit rus.

44-vjeçarja Natalia Bochkareva vdiq pasi u raportua se nuk ndihej mirë një ditë më parë në banesën e saj në lagjen Presnensky të Moskës.

Ajo u gjet në banesën nga një korrier, i cili thirri policinë për të raportuar se ajo nuk po i përgjigjej, teksa ai i kishte trokitur disa herë në derë.

Oficerët shkuan në pronën në distriktin e pasur të Presnensky më 11 korrik, hapën me forcë derën e përparme dhe brenda gjetën trupin e pajetë të saj.

Sipas të dhënave paraprake nuk ka pasur shenja të vdekjes së dhunshme, por dyshohet se Natalia vuante nga problemet në zemër.

Natalia është vajza e ish-guvernatorit rajonal, të ndjerit Vasily Bochkarev. Ai drejtoi rajonin e Penzës nga 1998 deri në 2015.

Një vit pas largimit nga detyra, 67-vjeçari, i cili i përkiste partisë “Rusia e Bashkuar” e Vladimir Putinit, ndërroi jetë nga kanceri në mushkëri.

Pas vdekjes së të atit, Natalia mori në menaxhim bizneset familjare, që janë aktivitete në përpunimin e lëndës drusore.

Natalia pushtoi titujt kryesorë të mediave dy vite më parë pasi ra viktimë e një mashtrimi. Gjatë dy muajve, ajo i kishte dërguar një fallxhoreje të vetëshpallur, 136,000 paund për të hequr një mallkim.

Megjithatë, pas marrjes së parave, fallxhorja kishte ndërprerë çdo kontakt me Natalia dhe nuk arriti të përmbushte pjesën e saj të marrëveshjes.

Kjo është vdekja e disatë në radhët e elitës ruse të lidhur me kreun e Kremlinit. Vetëm javën e kaluar, një tjetër aleat i Putinit vdiq papritur për shkaqe të pashpjegueshme.

Rebelimi i Wagner, cilat janë “Prigozhin”-ët e tjerë që kërcënojnë Putinin?

Kremlinologjia është si të lexosh gjethet e çajit ose lëvizjen e yjeve për të parashikuar fatin. Pra është më afër një arti sesa shkencës, dhe informacioni që arrin të dalë prej andej publikohet vetëm për t’i shërbyer intrigave të mëtejshme të pallatit.

Gati 3 javë pas rebelimit të njësitë ushtarake mercenare Wagner të Yevgeny Prigozhin, Kremlini po bën gjithçka që ka në dorë për të projektuar një fasadë të qëndrueshmërisë dhe normalitetit.

Por asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Dhe pavarësisht paqartësisë së politikës së Moskës, kanë nisur të shfaqen disa kërcënime thelbësore ndaj Putinit (nga të cilat Prigozhin është vetëm një manifestim veçanërisht i frikshëm).

Aktualisht Putini është i përfshirë në një luftë për pushtet në 3 fronte: kundër forcave të Prigozhin dhe Wagner; kundër pakënaqësive brenda hierarkisë së tij ushtarake; dhe kundër vetë opinionit publikut rus, që i nxitur nga influencuesit nacionalistë, e ka dëshmuar veten që është në fakt shumë larg besnikërisë ndaj regjimit.

Vladimir Putin e di se rebelimi i Prigozhin mund të hapë “Kutinë e Pandorës”, me pretendues të tjerë për pushtet dhe me kryengritje të vazhdueshme për pjesën tjetër të mbretërimit të tij. Por në një nivel më të thellë, e djathta nacionaliste, për të cilën Prigozhin është shndërruar në simbolin e preferuar, ofron tani një alternativë ndaj monopolit të Putinit mbi mendimin politik në Rusi.

Dhe ky është një kërcënim shumë më thelbësor për Putinizmin: shfaqja e një lëvizjeje ideologjike që sfidon shtypjen që ka përdorur ndaj kulturën politike të Rusisë për një brez të tërë. Larg nga një disfatë përfundimtare, Prigozhin cilësohet tani si një simbol i sfidës së ardhshme.

Edhe pse tani për tani grushti i shtetit të tij dështoi të rrëzonte Ministrinë ruse të Mbrojtjes Ruse, Grupi Wagner vazhdon që të veprojë jashtë kontrollit të këtij institucioni ushtarak. Dhe ndonëse autoritetet ruse kanë filluar tashmë që ta çmontojnë perandorinë e tij personale tregtare, Prigozhin nuk është aspak pa para.

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko konfirmoi se ai shkoi enkas në Shën Petersburg për të kërkuar miliarda nga pasuria e tij në para dhe armë personale që ishin sekuestruar, ndërsa autoritetet hoqën çdo lloj përgjegjësie financiare për rebelimin.

Prandaj, balanca e fuqisë midis tij dhe Presidentit të tij mbetet e paqartë, dhe është e qartë se Putin nuk është në gjendje ta eleminojë apo largojë nga skena. Këtë javë, Kremlini konfirmoi se Prigozhin u takua me Putinin pas rebelimit “dhe u zotua për besnikëri ndaj qeverisë”, një mesazh që bie në kontrast të fortë me demonizimin e vazhdueshëm të liderit të Wagner në mediat ruse.

Ndërkohë vazhdojnë narrativat kontradiktore rreth të ardhmes së Prigozhin. Tani për tani, ai mbetet aktiv dhe në thelb i pavarur. Në një reagim të fundit, ai deklaroi se luftëtarët e Wagner do të rikthehen së shpejti në vijën e frontit në Ukrainë, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me marrëveshjen që arriti me Putinin, sipas së cilës Wagner do të zhvendosej në Bjellorusi.

Thuhet se grupi ka vazhduar të rekrutojë luftëtarë të rinj në Rusi edhe pas rebelimit, përpara se të shpallte se do të ndalonte marshimin drejt Moskës, ndërsa do të tërhiqej nga Rusia, gjë që thuhet se nuk ka ndodhur ende. Dhe e gjithë kjo përbën një grup rrethanash shumë frustruese për Putinin.

Në vend se të përballet me të, ai është mjaftuar me gërvishtjen e pushtetit të Prigozhin. Dhe kjo tregon varësinë e vazhdueshme të Putin nga Wagner. Presidenti rus e kupton rolin që ka luajtur grupi në Ukrainë, ndaj preferon më mirë ta riorganizojë sesa ta shpërndajë atë, në mënyrë që të ruajë ndikimin e tij në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Pra, Wagner mbetet një kërcënim i fjetur, por i pranishëm. Por më afër janë rebelët e tjerë kopjues të Prigozhin, që mund të frymëzohet prej këtij të fundit në administratën e Putinit. Ishte e qartë se që nga momenti që Wagner pushtoi Rostov-on-Don pa asnjë rezistencë dhe nisi marshimin e tij drejt Moskës gati pa asnjë rezistencë, Prigozhin mund të kishte pasur ndihmë nga brenda, një koncept që për Putinin është më i tmerrshëm sesa vetë rebelimi.

Ka pretendime se gjenerali Sergei Surovikin, një nga anëtarët më të vjetër të ushtrisë së Putinit, ishte në dijeni të planeve të Prigozhin. Dhe që nga revolta, janë zbuluar dokumente që tregojnë se ai dhe 30 zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë dhe të inteligjencës kishin qenë “anëtarë VIP” sekretë të Wagner që nga viti 2018.

Surovikin nuk është parë në publik që në momentin kur publikoi një video gjatë rebelimit. Kjo ka bërë që raportet e inteligjencës amerikane të sugjerojnë se ai mund të jetë arrestuar. Udhëheqës të tjerë ushtarakë, si zëvendësministri i mbrojtjes Yunus-bek Yevkurov, i cili u filmua duke negociuar me Prigozhin në Rostov (potencialisht nën presion), munguan gjithashtu dukshëm në transmetimet e fundit nga udhëheqja e Ministrisë ruse të Mbrojtjes këtë javë.

Minimalisht, rebelimi i ka thelluar ndarjet brenda strukturave ruse të sigurisë, ndërsa blogu ushtarak rus me ndikim Rybar, i themeluar nga një ish-oficer shtypi i Ministrisë së Mbrojtjes, pretendon se Putin është duke kryer një “spastrim“.

Shkalla e tij do të mbetet e paqartë derisa Putini të përfundojë. Por duke pasur parasysh rrethanat, duhet të ndodhë një riorganizim domethënës, në të cilin besnikëria personale ndaj Putinit do të bëhet synimi kryesor. Putin e ka privilegjuar gjithmonë besnikërinë ndaj kompetencës.

Surovikin, një komandant ushtarak i mirënjohur, që dikur drejtonte operacionet e Rusisë në Ukrainë, u zëvendësua më vonë nga Gerasimov, i cili, pavarësisht se u konsiderua gjerësisht si i paaftë nga shumë kritikë të Kremlinit, përfshirë Prigozhin, ka shërbyer si ushtarak besnik i presidentit të tij.

Sepse ajo që i frikësohet në fakt Putin është mungesa e kontrollit mbi rrethin e tij të njerëzve të fortë, të ashtuquajturit siloviki. Por në një akt të rrallë për një autokrat, fronti i fundit në të cilin Putini është detyruar të mbrohet është ai i opinionit publik.

Në një intervistë të fundit për “The New Yorker”, analistja Tatiana Stanovaya tha me të drejtë se Putini nuk e ka nxjerrë kurrë autoritetin e tij nga populli rus. Megjithatë, perceptimi publik ka ende rëndësi, sepse çdo formë mospajtimi e minon narrativën qendrore të Putinizmit, sipas së cilës e vetmja mënyrë për të siguruar statusin e justifikuar historikisht të Rusisë si e para ndër kombet e botës, është nëpërmjet besnikërisë ndaj Putinit dhe rrethit të tij të ngushtë.

Prigozhin foli publikisht jo vetëm kundër establishmentit të Putinit, por në transmetimet e tij ai i fliste shpeshherë drejtpërdrejt publikut rus. Në këtë mënyrë, ai shkeli një shtyllë tjetër në pushtetin e Putinit. Idenë që populli rus duhet të mbetet i depolitizuar dhe t’i lejojë autoritetet të menaxhojnë vendin ashtu siç e shohin të arsyeshme.

Pamja e civilëve në Rostov që e përshëndesin Wagnerin krahëhapur dhe i shtrëngojnë dorën Prigozhin është një fyerje spektakolare. Dhe sipas Qendrës Levada, një nga organizatat më të mëdha të pavarura të sondazheve në Rusi, mbështetja për Wagner-in ishte 58 për qind në ditët para rebelimit të tij, përfshirë ditën kur Prigozhin deklaroi se besonte se lufta në Ukrainë kishte nisur për arsye korruptive.

Edhe pse kjo mbështetje ra në ditën e rebelimit, ajo vazhdoi të mbetej rreth 30 për qind për disa ditë më pas, pavarësisht sulmeve të forta universale të Prigozhin në mediat kryesore ruse. Së bashku me këto sulme mediatike, Putin është ndjerë me sa duket i detyruar të tregojë se ka besnikërinë edhe nga rusët e zakonshëm.

Në një lëvizje disi jo tipike pas viteve të tij të gjata të izolimit gjatë pandemisë, Putin u shfaq para një turme në Derbent në Republikën e Dagestanit, në skajet jugore të Federatës Ruse.

Rebelimi i Wagner i ka ndryshuar rregullat e lojës, dhe Putini është detyruar të përshtatet. Por Putini nuk ishte më i shqetësuar për masat e sigurisë në Derbent-in e largët.

Pas fshirjes së gjurmëve të fundit të opozitës liberale në Rusi dhe rrënjosjes me sukses të vizionit të tij historik të nacionalizmit tradicional rus, Putin e pozicionoi veten si ylli ideologjik i Rusisë moderne.

Por ndërsa lufta në Ukrainë nxori në pah paaftësinë e tij për ta përmbushur atë vizion, kjo hegjemoni nisi të plasaritej dhe të njëjtët nacionalistë që Putini i kishte frymëzuar morën shënime nga rebelimi.

Prigozhin u dha zë shumë prej këtyre shqetësimeve në lidhje me menaxhimin e luftës, përfshirë agjitatorët e regjimit si Rybar. Tani, Rybar dhe influencues të tjerë po ushqehen me fushatën e Kremlinit për të diskredituar arritjet e Wagner-it në Ukrainë dhe po zgjedhin të përplasen me një Ministri ruse të Mbrojtjes që është gjithnjë e më e frustruar me paaftësinë e saj për t’i detyruar blogerë që të respektojnë narrativën zyrtare.

Po ashtu jashtë rrjetit vazhdon të rritet mbështetja për Wagner-in, siç e treguan studentët që tundnin flamujt e grupit në Moskë në fillim të këtij muaji.

Për Putinin, rebelimi i Wagner destabilizoi terrenin poshtë këmbëve të tij po aq sa edhe muret rreth tij. Megjithëse reagimet e tij publike janë dukur të përmbajtura deri më tani, me një përpjekje për të projektuar sa më mirë një imazh qetësie, komanda e tij nuk është më absolute.

Edhe nëse ai është në gjendje të neutralizojë Prigozhin dhe ta vendosë Wagner-in nën kontrollin e tij, kërcënimi nga brenda Kremlinit dhe nga baza e ultranacionalistëve do të mbetet aty. Dhe larg një lajthitjeje të momentit, grushti i shtetit të Prigozhin mund të shihet si një pikë kthese, si hallka e parë në një mori grushtesh, kundër-grushtesh dhe luftërash civile tepër të përgjakshme me të cilat Rusia dhe populli i saj janë shumë të njohura./Michal Kranz “Unherd”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat