Kryeministrja islandeze i bashkohet grevës së grave për paga të barabarta gjinore

Evropë

Kryeministrja islandeze i bashkohet grevës së grave për paga të barabarta gjinore

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 21:17
Protesta

Kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdottir dhe gratë në të gjithë vendin ishullor vullkanik hynë në grevë sot për të nxitur fundin e pagave të pabarabarta dhe dhunës me bazë gjinore.

Islandezët u zgjuan me prezantuesit e lajmeve të gjithë meshkuj të cilët njoftuan për mbyllje në të gjithë vendin të shkollave, me vonesa në transportin publik, me spitale me mungesa të stafit dhe me dhoma hotelesh të papastruara.

Kryeministrja Jakobsdottir tha se ajo do të qëndronte në shtëpi si pjesë e grevës së grave dhe pret që gratë e tjera në kabinetin e saj të bënin të njëjtën gjë.

Sindikatat e Islandës, organizatorët kryesorë të grevës, u bënë thirrje grave dhe njerëzve jo-binarë që të refuzojnë punën e paguar dhe të papaguar, përfshirë punët e shtëpisë, gjatë ditës.

Rreth 90 për qind e punëtorëve islandezë i përkasin një sindikate, raporton Associated Press.

Shkollat dhe sistemi shëndetësor, të cilat kanë fuqi punëtore të dominuar nga gratë, thanë se do të prekeshin shumë nga largimi.

Greva e së martës, e cila zgjat nga mesnata deri në mesnatë, po cilësohet si më e madhja që nga ngjarja e parë e tillë në Islandë më 24 tetor 1975, kur 90 për qind e grave refuzuan të punojnë, të pastrojnë ose të kujdesen për fëmijët, për të shprehur zemërimin ndaj diskriminimit në vendin e punës.

Në vitin 1976, Islanda miratoi një ligj që garantonte të drejta të barabarta pavarësisht nga gjinia.

Që atëherë, ka pasur disa greva të pjesshme ditore, më e fundit në vitin 2018, me gratë që largohen nga puna herët pasdite, duke simbolizuar kohën e ditës kur gratë, mesatarisht, nuk fitojnë më në krahasim me burrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat