Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, të paktën 5 persona janë vrarë

Evropë

Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, të paktën 5 persona janë vrarë

Më: 2 janar 2024 Në ora: 16:36
Foto ilustrim

Rusia po vazhdon sulmet nëpër qytetet e Ukrainës. Të paktën 5 persona janë vrarë, ndërkaq rreth 100 janë lënduar. Presidenti ukrainas ka thënë se nga e diela Rusia e ka sulmuar Ukrainën me të paktën 170 dron e dhjetëra raketa.

Raketat ruse sërish kanë goditur qytetet më të mëdha të Ukrainës. Si pasojë jetën e kanë humbur të paktën 5 persona. Kjo ka ndodhur pas zotimit të presidentit rus Vladimir Putin për intensifikimin e sulmeve.

Në qytetin verilindor Kharkiv, një grua ka humbur jetën ndërsa 44 janë lënduar. E në kryeqytetin Kiev, kryebashkiaku Vitali Kliçko, ka njoftuar për vdekjen e 2 personave dhe lëndimin apo plagosjen e 49 të tjerëve kur janë goditur ndërtesat e banimit në Solomianskyi në periferi të kryeqytetit.

Edhe dy persona tjerë raportohet se kanë humbur jetën në rajonin më të gjerë të Kievit. Rusia, javën e kaluar ka ndërmarrë një ndër sulmet më të mëdha që nga fillimi i luftës duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 40 personave ndërsa Ukraina u kundërpërgjigj duke sulmuar qytetin Belgorod në Rusi ku mbetën të vrarë të paktën 25 persona ndërsa u lënduan më shumë se 100.

Ukraina pretendoi se ka sulmuar caqe ushtarake ndërsa gabimet e mbrojtjes ruse kanë bërë që fragmented e municioneve të bien në qendër të qytetit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka thënë se nga e diela, Rusia ka sulmuar Ukrainën me të paktën 170 dron e dhjetëra raketa. Ushtria ukrainase ka thënë se ka rrëzuar 35 dron.

Të hënën, në ditën e parë të vitit të ri, si pasojë e sulmeve ruse nëpër qytetet ukrainase, jetën e kanë humbur gjashtë civilë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat