Udhëheqësit evropianë i bëjnë thirrje ligjvënësit Johnson të miratojë ndihmën për Ukrainën

Evropë

Udhëheqësit evropianë i bëjnë thirrje ligjvënësit Johnson të miratojë ndihmën për Ukrainën

Më: 1 mars 2024 Në ora: 17:17
Mike Johnson

Udhëheqësit e 23 parlamenteve evropiane i bënë thirrje Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson të hedhë për votim projektligjin mbi ndihmat për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin e Rusisë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, republikani Johnson thotë se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar se Kongresi duhet të sigurojë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe të financojë qeverinë amerikane përpara se të marrë në shqyrtim projektligjin për ndihmën e huaj.

Ushtarët ukrainas, që po luftojnë pranë qytetit lindor të Bakhmutit, thonë se kanë nevojë për më shumë armë të rënda dhe municione për të frenuar forcat pushtuese ruse.

“Në të gjitha drejtimet armiku ka shtuar aktivitetin, është frymëzuar nga sukseset e fundit. Megjithatë, ne po përpiqemi të mbajmë vijën e parë të frontit. Por gjithçka varet nga armët e rënda. Pa armë, pa aviacion, mbrojtja jonë do të jetë më pasive dhe herët a vonë do të ngelemi me më pak amrmatime se armiku”, thotë Mykhailo, një ushtar ukrainas.

Kryetarët e 23 parlamenteve evropiane, duke përfshirë ata nga Ukraina, Gjermania, Austria, Çekia, Lituania, Estonia, Letonia, Spanja, Franca dhe Polonia i kanë bërë thirrje Kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve të hedhë për votim projektligjin mbi ndihmën ushtarake të Shteteve të Bashkuara për të fuqizuar Kievin në luftën kundër Rusisë.

Zëri i Amerikës e pyeti zotin Johnson të enjten në Kapitol për letrën e homologëve të tij evropianë.

“Dhoma e Përfaqësuesve po shqyrton të gjitha opsionet dhe ne do ta shqyrtojmë këtë çështje menjëherë pas miratimit të buxhetit”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Përplasja aktuale pason bllokimin, me kërkesë të ish Presidentit Donald Trump, nga disa ligjvënës republikanë të një projektligji dypartiak për çështjen e kufirit dhe sigurinë kombëtare, që përfshin fonde për Ukrainën dhe ndryshimin e ligjit të azilit për migrantët.

Senatorët demokratë dhe shumë ligjvënës republikanë kanë shprehur zhgënjimin e tyre me zotin Johnson, duke thënë se koha është thelbësore.

Ne miratuam një projektligj për Ukrainën me 70 vota. Tani çështja është në duart e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson. Tani jemi në një situatë, ku zoti Johnson duhet të vendosë nëse dëshiron të mbetet në histori si personi që ia dorëzoi Ukrainën Rusisë", thotë senatori demokrat Chris Murphy.

Ish sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta tha për Zërin e Amerikës se mosmiratimi i ndihmës për Ukrainën mund të dëmtojë edhe vetë republikanët.

“Në fund të fundit, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve duhet ta kuptojë se nëse ai nuk e hedh në votim ndihmën për Ukrainën, ai dhe Partia Republikane do të shihen si mbështetës të Putinit. Unë mendoj se ata nuk e duan këtë”.

Ndërkohë në Moskë të enjten, presidenti rus Vladimir Putin mbajti fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen në vend, i cili u transmetua drejtpërdrejt në ndërtesat në të gjithë qytetin. Zoti Putin paralajmëroi se pasojat e dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë do të ishin tragjike, duke thënë se ai ka armë bërthamore që mund të godasin Perëndimin.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka nisur një diskutim mes vendeve të NATO-s, duke thënë se Ukraina po lufton për sigurinë e Evropës dhe nuk mund të përjashtohet mundësia e dislokimit të trupave perëndimore në Ukrainë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat