Gjykata Evropiane thotë se të drejtat e njeriut u shkelën nga mosveprimi kundër ndryshimeve klimatike

Evropë

Gjykata Evropiane thotë se të drejtat e njeriut u shkelën nga mosveprimi kundër ndryshimeve klimatike

Më: 9 prill 2024 Në ora: 12:45
Grupi i grave zvicerane që e ka prezantuar rastin para Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Disa gra të moshuara zvicerane e kanë garantuar një fitore të pjesshme në rastin e tyre të lidhur me klimën në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Gratë, kryesisht në të 70-at e tyre, kanë thënë se mosha dhe gjinia i kanë bërë të cenueshme ndaj efekteve të valëve të të nxehtit, të lidhura me ndryshimet klimatike.

Gjykata ka thënë se përpjekjet e Zvicrës për t’i përmbushur synimet për zvogëlim të emetimeve të karbonit, nuk kanë qenë adekuate.

Kjo është hera e parë që një gjykatë e tillë kaq e fuqishme vendos për një rast të lidhur me ndryshimet klimatike.

Vendimi është i obligueshëm dhe mund të ndikojë në ndryshim të ligjeve në 46 vende në Evropë.

Gratë zvicerane, të quajtura KlimaSeniorinnen apo Gratë e Moshuara për Mbrojtje Klimatike, kanë argumentuar se nuk mund të largohen prej shtëpive dhe përballen me komplikime shëndetësore gjatë valëve të të nxehtit në Zvicër.

Të martën, disa të dhëna kanë treguar se muaji i kaluar ka qenë marsi më i nxehtë ndonjëherë në histori.

Gjykata Evropiane i ka hedhur poshtë dy raste tjera të ngritura prej gjashtë të rinjve portugezë dhe një ish-kryetari francez.

Në të dyja rastet, palët kanë thënë se qeveritë evropiane kanë dështuar që t’i luftojnë ndryshimet klimatike me ritmin e duhur dhe rrjedhimisht atyre u janë shkelur të drejtat./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat