Risia e këtij sezoni në Formula 1

Formula 1

Risia e këtij sezoni në Formula 1

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 12:47
Risia e këtij sezoni në Formula 1

Formula 1 është gjithmonë në kërkim të risive, për t’u bërë edhe më tërheqëse për spektatorët, teksa një e tillë është edhe gara Sprint, e cila u miratua vetëm në prill të këtij viti dhe do të debutojë për herë të parë në Silverstone, në prag të Çmimit të Madh të Anglisë.

Gara e quajtur “Sprint Qualifying” është konceptuar për të thyer rutinën e provave të lira e atyre zyrtare, do të mbahet një ditë para garës zyrtare dhe do të zgjatë rreth 100 kilometra, që në rastin e Silverstone përkon me 17 xhiro.

Në garën Sprint do të marrin pjesë të gjithë pilotët, që do të nisen sipas renditjes së kohës së vendosur në provat e lira dhe do të dhurojnë një spektakël të shpejtë, pasi nga fillimi në fund, nuk do të ketë asnjë “pit stop”.

Pikërisht renditja në garën sprint, do të përcaktojë edhe radhën e nisjes në garën zyrtare një ditë më vonë, ndërsa për ta bërë edhe më interesante, do të jepen edhe pikë për tre pilotët që do të renditen të parët.

Kështu piloti që do të mbyllë i pari garën sprint do të marrë tre pikë, i dyti dy pikë dhe i treti vetëm një pikë, teksa në garën zyrtare një ditë më vonë do të hiqet pika që akordohej për pilotin që vendoste xhiron më të shpejtë.

Për garën Sprint nuk do të ketë ceremoni nderimi për fituesit, ndërsa kualifikueset, që zhvilloheshin zakonisht të shtunën, zhvendosen të premten dhe provat e lira zhvendosen gjatë javës para garës zyrtare.

Gara Sprint do të mbahet për herë të parë sot në Silverstone, ndërsa për sezonin 2021 është përcaktuar që të aplikohet edhe dy herë të tjera në pista ende për t’u përcaktuar, me Monzën që është një nga kandidatet për ta pritur këtë risi.

Vetëm në fund të sezonit pritet që komiteti drejtues i Formulës 1 të analizojë eksperimentin me garën sprint dhe të vendosë nëse do të përfshihet zyrtarisht në të gjitha garat e sezonit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat