Seminari antidoping me klubet e Abissnet Superiore, Begolli: Zhvillohemi së bashku

Futboll

Seminari antidoping me klubet e Abissnet Superiore, Begolli: Zhvillohemi së bashku

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 14:55
Seminari antidoping me klubet e Abissnet Superiore, Begolli: Zhvillohemi së bashku

Departamenti Mjekësor në Federatën Shqiptare të Futbollit organizoi këtë javë seminarin “Jo Doping, Sport i pastër”, në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve Sportivë dhe Organizatën Kombëtare Antidoping. Seminari i zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit bëri bashkë doktorët, fizioterapistët dhe drejtuesit e klubeve të “Abissnet Superiore”, të cilët u njohën dhe u informuan mbi substancat e palejuara në sport.

Për të folur në lidhje me këtë seminar dhe rëndësinë që ka kjo temë në futboll, Fshf.org zhvilloi një intervistë me Koordinatorin e këtij Departamenti, Ilvi Begolli, i cili u shpreh se qëllimi i këtij seminari ishte të informonin gjerësisht ekipet mbi listën e substancave të palejuara dhe rëndësinë e testimit.

Sipas Begollit, mungesa e një laboratori e bën pak më të vështirë realizimin e testeve antidoping, por përmes FSHF-së, në të ardhmen shikohet mundësia e ngritjes së një laboratori që do të ndihmojë të gjitha klubet shqiptare dhe sportistët të testohen dhe të informohen.

“Për herë të parë, përmes FSHF-së ne organizuam një seksion informativ për antidopingun në Shqipëri, ku kanë qenë të ftuar përfaqësues të klubeve të ‘Abissnet Superiore’, mjekë, fizioterapistë, por edhe drejtues teknikë, që janë informuar mbi substancat e palejuara në sport dhe dënimet që mund të kenë sportistët nga përdorimi i këtyre substancave.

Në Shqipëri nuk ka një linjë të antidopingut të shtrirë kryesisht në futboll, pra ekipet nuk testohen vazhdimisht, janë të painformuar për sa i përket përdorimit të substancave të palejuara.

Kur kemi kompeticione europiane, atëherë ne marrim masat se kush janë këto substanca të palejuara dhe që mund të jenë të dëmshme, si gjatë kohës së garës, por edhe më përpara, çfarë nuk duhet të ishin marrë një apo dy javë më parë. Ky seksion kishte si qëllim që të informonim gjerësisht ekipet, mënyrën se si mund të menaxhohet një ekip përpara kompeticioneve europiane, por edhe gjatë kohës që sportistët zhvillojnë ndeshje në kampionatin tonë. Më vonë do të zhvillohet edhe duke informuar jo vetëm stafet mjekësore, por edhe sportistët në vetvete, që të kenë informacion vetjak dhe të jenë më të kujdesshëm e të mos bazohen vetëm tek ato që i thotë mjeku.

Është një realitet pak i vështirë në Shqipëri, edhe për koston që ka një test i kësaj natyre, por edhe sepse mungon një laborator mjekësor i mirëfilltë. Me kalimin e kohës, nga kjo pikënisje ne do të përpiqemi përmes Federatës së Futbollit të zhvillohemi më tepër në këtë drejtim dhe pse jo në të ardhmen të jetë mundësia e ngritjes së një laboratori, i certifikuar edhe nga UEFA, por si pikë referimi do të ketë FSHF-në dhe Agjencinë Ndërkombëtare Antidoping. Ne çdo vit do të bëjmë përditësimin e listave të substancave të palejuara, nëpërmjet workshop-eve informative të bëra në FSHF, që të parandalojmë sa më shumë dhe sa më mirë problematikat me antidopingun për sportistët elitarë dhe pse jo edhe për klubet zinxhir”, – u shpreh Ilvi Begolli.

Për mikrofonin e Fshf.org u prononcua edhe mjeku i klubit të Tiranës, Arzen Voci, i cili vlerëson këtë iniciativë, teksa thekson se në skuadrën e tij informacioni rreth antidopingut nuk mungon.

“Si çdo iniciativë e parë është mjaft e vlefshme, sepse kemi nevojë të vazhdueshme për përditësime, aq më tepër kur bëhet fjalë për lista medikamentesh apo suplemente që duhen apo nuk duhen përdorur. E gjykoj si iniciativë mjaft të vlefshme për ne. Unë jam pjesë e klubit të Tiranës, marrim pjesë në kompeticione europiane dhe si të tillë, jemi të detyruar të përditësuar.

UEFA publikon gjithmonë listat, të cilat ne i shohim, dërgojmë dhe marrim informacion në mënyrë të vazhdueshme sa herë kemi të bëjmë me kompeticione europiane. Mendoj që jemi të përditësuar, por është e rëndësishme të marrim sa më shumë informacione çdo ditë, pasi këto lista ndryshojnë”, – tha mjeku i KF Tirana, Arzen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat