Tifozët u heqin fanellat nga trupi

Futboll

Tifozët u heqin fanellat nga trupi

Më: 10 prill 2022 Në ora: 15:28
Tifozët u heqin fanellat nga trupi

Hertha e Berlinit humbi derbin e qytetit ndaj Unionin me rezultatin e thellë 1-4 dhe kur kanë mbetur vetëm pesë javë deri në fund të sezonit, e sheh veten në vendin e parafundit, me 26 pikë të grumbulluara në 29 javë.

Rreziku i rënies është rritur ndjeshëm te berlinezët, teksa tifozët reaguan shumë ashpër pas humbjes në derbi, duke u kërkuar lojtarëve të heqin fanellat e Herthës, pasi nuk meritojnë t’i mbajnë veshur ato.

As ulja në stol e një trajneri si Felix Magath nuk [po jep rezultat për klubin e Herthës, që është tërësisht në lojë për të siguruar mbijetesën, por kriza e rezultateve ka bërë që klima të rëndohet së tepërmi.

Në përfundim të ndeshjes tifozët e skuadrës vërshëllyen gjatë lojtarët dhe disa prej tyre zbritën për të diskutuar me futbollistët për momentin negativ që po kalojnë, teksa nuk mungoi as tentativa për t’u hequr fanellat.

“Është e vështirë të shpjegosh atë që ndodhi në diskutimin me tifozët, ndaj preferoj më shumë që të mos e them çfarë ndodhi. Gjesti i heqjes së fanellës ishte simbolik dhe lidhet me situatën e vështirë që po kalojmë”, u shpreh futbollisti i Herthës, Maximilian Mittelstadt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat