Rreth 1000 vajza të angazhuara me ekipet në të gjithë vendin

Futboll

Rreth 1000 vajza të angazhuara me ekipet në të gjithë vendin

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 20:22
Rreth 1000 vajza të angazhuara me ekipet në të gjithë vendin

Masivizimi i futbollit të vajzave është një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit, që organizon tashmë në të gjithë vendin kompeticionet të shumta e ku janë të përfshira një numër i madh vajzash të cilat janë të apasionuara pas sportit më të bukur në botë.

Një nga turnetë më të rëndësishëm të FSHF-së për zhvillimin e futbollit të vajzave është Kampionati i Shkollave 9-vjeçare, ku marrin pjesë vajzat e moshës U-13 e që zhvillohet në nivel rajonal, duke u organizuar prej disa sezonesh tashmë.

Pikërisht nga ky kampionat dalin edhe futbollistet e ardhshme që më pas bëhen pjesë e ekipeve profesioniste që garojnë në garat e FSHF-së.

Ky kampionat organizohet në bashkëpunim me shoqatat rajonale të futbollit, teksa ekipet e shkollave pjesëmarrëse luajnë në rajonet e tyre në një turne me sistem grumbullim pikësh për të shpallur në fund të sezonit edhe ekipin fitues të rajonit përkatës.

Çdo skuadër ka maksimalisht 16 vajza të regjistruara dhe luhet në formatin 7×7, ndërsa FSHF financon zhvillimin e këtij kampionati duke u ofruar skuadrave bazë materiale, uniforma si edhe duke paguar trajnerët, që zakonisht janë pjesë e shkollave si mësues të edukimit fizik.

Në kampionatin e Tiranës marrin pjesë ekipet e shkollave “Dora d’Istria”, “Avni Rustemi”, “Jeronim De Rada”, Fshati SOS, “Kristaq Rama”, “28 Nëntori”, “Drita Pelingu”, “Mihal Grameno”, “Vasil Shanto”, “Naim Frashëri”, “Ahmet Zogu”, “Kongresi i Manastirit”, Pezë Helmes, “16 Shtatori”, “Kemal Ataturk”, “Musine Kokalari”, “Seit Brahja”, “Bedri Llagami” dhe “Betim Muço”. Në total numri i vajzave të angazhuara me ekipet llogaritet afërsisht 300.

Në kampionatin e rajonit të Fierit marrin pjesë tetë skuadra e më konkretisht ekipet e shkollave “Naim Frashëri”, “Halit Gremi”, “Liri Gero”, “Dino Ismaili”, “Mark Dashi”, “Kristaq Shtëmbari”, “Pinellopi Piro” dhe “Jani Bakalli” me një total prej rreth 130 vajzash të angazhuara.

Në kampionatin e rajonit të Shkodrës marrin pjesë 10 skuadrat e shkollave “Skënderbeg”, “Ismail Qemali”, “Ali Lacej”, “Branko Kadia”, “Ndre Mjeda”, “Shtoj i Vjetër”, “Azem Hajdari”, “Haxhi Hajdari”, “Gjon Karma” dhe “Vasil Shanto”. Në këtë kampionat janë të regjistruara rreth 160 vajza pjesëmarrëse.

Kampionati në këto zona rajonale ka nisur, teksa janë luajtur edhe ndeshjet e para, ndërkohë që pritet të fillojë brenda dy javëve të ardhshme edhe në Durrës me pjesëmarrjen e 8 shkollave, Korçë me pjesëmarrjen e 8 shkollave dhe Elbasani po me 8 shkolla.

Në total llogariten janë rreth 1000 vajza të angazhuara me ekipet e shkollave në këto kampionate rajonale.

Duhet theksuar se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti nuk është kampionatizmi, por masivizimi dhe afrimi i vajzave me futbollin, në mënyrë që të kultivohen sa më shumë talente për ekipet profesioniste.

Për këtë arsye FSHF e ka mbështetur me të gjitha mundësitë këtë iniciativë, që po gjen mbështetjen edhe të shkollave në çdo rajon të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat