Tërmeti i mori gjithçka

Futboll

Tërmeti i mori gjithçka

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 14:06
Foto ilustrim

Mes gati 3 mijë viktimave të tërmetit që goditi Marokun është edhe pothuajse e gjithë familja e Abderrahimit.

Ky djalë fatkeq, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, arriti të shpëtojë nga tërmeti, por humbi praktikisht gjithçka. Intervista e tij mes rrënojave të ndërtesave të shembura, i veshur me fanellën e Real Madridit bëri xhiron e botës.

Ky i ri maroken në fakt kishte veshur fanellën e skuadrës së tij të preferuar në orët pas ngjarjes tragjike, kur u arrit nga gazetarët që donin të tregonin historinë e tij.

Abderrahimi tregoi para mikrofonave se kishte humbur të gjithë familjen me një goditje: tërmeti i mori njerëzit më të afërt, ata me të cilët u rrit.

E pamundur të përmbaheshin për djaloshin: “Në tërmet humba pesë njerëz: babanë, nënën, vëllezërit dhe gjyshin. Do të shkoj të jetoj me tezen”.

Tashmë Abderrahimi ka vetëm një synim, të përmbushë ëndrrën e babait të tij: “Dashtë Zoti do ta plotësoj ëndrrën e babait tim për të studiuar dhe për të qenë dikush në të ardhmen. Ai donte që unë të bëhesha mjek ose mësues. Unë dua vetëm t’i mbaroj studimet”, ka thënë mes lotëve.

Intervista e tij qarkulloi edhe në Spanjë dhe, siç u zbulua në transmetimin e El Chiringuito, drejtuesit e Real Madrid janë vënë menjëherë në lëvizje për të ndihmuar tifozin e vogël maroken.

Ideja është ta çojnë në Spanjë për ta ndihmuar si në planin psikologjik, për të kapërcyer këtë moment tragjik dhe traumatik, ashtu si edhe në formimin e tij.

Lajmet e fundit që vijnë nga kryeqyteti spanjoll flasin për një mision të kryer nga klubi madrilen, i cili tashmë ka marrë masa për të bërë gjithçka për të ndihmuar djalin: do të përpiqen ta fusin në akademinë e klubit në Madrid, për ta lejuar të jetojë pasionin e tij.

Një gjest i bukur, në një histori mallëngjyese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat