Kombëtarja e shqetësimet e Sejdinit

Futboll

Kombëtarja e shqetësimet e Sejdinit

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 16:15
Faruk Sejdini

Ish-tekniku i frikësohet nxitjes së tifozëve dhe rikthimit të Brojës

Tre ditë nga ndeshja e rëndësishme me Republikën Çeke, për kualifikueset e Euro 2024, pritshmëria është në majë, me ëndërrat për prezantimin për herë të dytë në finalet e një Europiani shumë pranë të bërit realitet.

Një faktor që e bën Faruk Sejdinin, një që futbollin e njeh mirë, të shqetësohet. Ish-tekniku i frikësohet një euforie, edhe për shkak të nxitjes nga tifozët, ndaj apelon për kujdes.

“Kjo është ndeshja karakterit, është një ndeshje ku ne duhet të bëjmë kujdes dhe të mos futemi në fushë me mendjen se duhet të fitojmë me doemos”, tha Faruk Sejdini.

Për herë të parë që kur është ulur në pankinën e Shqipërisë, Sylvinho do të ketë në dispozicion edhe Armando Brojën.

Pas gati një viti, sulmuesi i Chelsea është kthyer në aktivitet, duke shënuar edhe një gol në Premier League, por rreziku që dallon Sejdini është se shkodrani mund të prishë ekuilibrat.

Broja meriton që të jetë patjetër në ekip, por unë do të isha i mendimit që të mos luante nga e minuta e parë.

Për ne që kemi ndjekur futbollin me vite dhe nga brenda fushe them se një lojtar si Broja mund të prishte disa ekuilibra, të cilët janë të padukshëm për njerëzit nga ekrani. Shqipëria ka krijuar disa ekuilibra të cilët mendoj se duhet të ruhen edhe në këtë ndeshje”, arsyeton Sejdini.

Sigurisht mbetet për tu parë se cfarë do të ndodhë, sepse një si Broja në maksimum është i aftë ta bëjë skuadrën të fitojë ndeshjet, ndërsa kthimin e tij me kuqezinjtë i takon Sylvinhos ta menaxhojë si duhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat