Otamendi shpëton Argjentinën, Brazil ngec

Futboll

Otamendi shpëton Argjentinën, Brazil ngec

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 11:45
Argjentina

Teksa në Evropë po zhvillohet faza kualifikuese për Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, në Amerikën e Jugut, përfaqësueset po “luftojnë” për një vend në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Meksikë, SHBA e Kanada.

Kështu, në “Estadio Monumental” të Buenos Aires, “albiceleste”-t e Argjentinës kanë arritur fitoren e radhës në kualifikuese, teksa kësaj radhe kanë mundur me rezultatin minimal, 1:0, skuadrën e Paraguajit, duke u ngjitur kështu në kuotën e 9 pikëve pas 3 ndeshjeve të para.

Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e 3’-të, ku pas një krosimi të bukur, nga Rodrigo de Paul, qendërmbrojtësi Nicolas Otamendi kërcen më lart se të tjerët për të çuar topin në rrjetë e për t’i dhënë skuadrës së tij fitoren e radhës.

Në krahun tjetër, rivali i “përbetuar” i Argjentinës, Brazili nuk ka shkuar më shumë se barazimi, 1:1 ndaj Venezuelës, duke zhgënjyer jo pak futbolldashësit e pranishëm të “Arena Pantanal” të Kuaibës.

Goli i brazilianve erdhi në minutën e 50’ nga qendërmbrojtësi i Arsenal, Gabriel Magalhaes, pas një krosimi perfekt të Neymar, ndërsa për të “vulosur” rezultatin, 1 me 1 mendoi “bomberi” venezuelian, Eduard Bello, i cili dërgoi topin në rrjetën e Ederson, në minutën e 85’-të të sfidës.

Ndërkaq, në sfida të tjera, Kolumbia dhe Uruguaji e mbyllën gjithçka në “paqe”, me sfidën që përfundoi me rezultatin e barabartë, 2:2. Ekuadori triumfoi në transfertën e vështirë të Bolivisë, me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, ndërsa Kili mund “pastër” në “shtëpi” Perunë, me rezultatin, 2:0.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat