Kastrati: Bukur kundër Italisë, por jo në grupe

Futboll

Kastrati: Bukur kundër Italisë, por jo në grupe

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 19:11
Kastrati

Elhan Kastrati, edhe pse është pas Berishës dhe Strakoshës, ka festuar si portier i tretë i Kombëtares, kualifikimin për në Europian. Gjatë kthimit në Itali te skuadra e tij Çitadela, portieri ka folur për këtë sukses në mediat vendese:

“Ëndrra e Kombëtares ishte kualifikimi në Europian.

Ne festuam fillimisht kur e arritëm këtë gjë pas kthimit nga Moldavia, por trajneri Silvinjo donte vendin e parë në renditje.

Pastaj festimet i rifilluam të hënën në mbrëmje, pas ndeshjes me Ishujt Faroe”, thotë Kastrati i cili pyetet edhe për shanset që Shqipëria mund të përballet në grup me Italinë, vendin ku portieri luan prej disa vitesh.” Nuk mund ta dimë kurrë, por le të shpresojmë! Sigurisht që do të ishte shumë bukur që të takoheshim me Italinë, ndoshta me pak fat jo në fazën e grupeve, por më tej. Ne duam ta kalojmë grupin dhe mendoj se është brenda mundësive tona”, thotë ndër të tjera Elhani, i cili ka një koment edhe për ekipin e tij:

“Të gjithë kemi më shumë uri dhe dëshirë për të treguar. Jemi skuadra që kemi grumbulluar më shumë pikë nga situatat e pafavorshme, mendoj se kjo është një nga cilësitë tona të mëdha, kjo tregon se ne gjithmonë besojmë.

Ne duhet të përmirësojmë fazën e mbrojtjes”, shprehet 26-vjeçari që i përgjigjet modesisht pyetjes për portierin më të mirë të Serisë B: “Jam i vetëdijshëm për talentin tim, pa u krahasuar me të tjerët.

Unë kurrë nuk jam i kënaqur dhe jam shumë autokritik ndaj vetes. Përmirësimet me lëvizjen e këmbëve? Patjetër që janë të nevojshme”, mbyll Kastrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat