Policët anglezë përplasen me tifozët e skuadrës polake

Futboll

Policët anglezë përplasen me tifozët e skuadrës polake

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 22:34
Pamje nga trazirat

Tifozët e skuadrës së Legias së Varshavës nga Polonia, nuk e kanë ndjekur sot në stadium sfidën e ekipit të tyre ndaj Aston Vilës.

Shkak janë bërë trazirat që kanë shpërthyer para fillimit të ndeshjes të Ligës së Konferencës në Birmingem, ku kanë mbetur të plagosur të paktën 3 oficerë të policisë.

Mediat britanike kanë bërë të ditur se përveç tifozëve me bileta, para stadiumit janë paraqitur edhe rreth 1000 tifozë të tjerë polakë pa bileta, të cilët kanë tentuar të shpërthejnë dyert e të hyjnë në impiant bashkë me bashkëkombësit e tyre.

Policia ka vendosur menjëherë kordonë sigurie dhe kjo ka bërë që në rrugët rreth stadiumit të shpërthejë një luftë e mirëfilltë mes palëve, pasi tifozët kanë gjuajtur policinë me sende të forta e fishekzjarrë, duke lënduar të paktën 3 oficerë.

Në këto rrethana, policia vendase ka vendosur që të mos lejojë hyrjen e tifozëve udhëtues në impiant për të ndjekur ndeshjen e sotme në Ligën e Konferencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat