​Ademi: Besojmë se do ta fitojmë grupin

Futboll

​Ademi: Besojmë se do ta fitojmë grupin

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 08:41
Agim Ademi

Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve. Dardanët janë përfshirë në Grupin 2 të Ligës C, ku janë edhe Rumania, Qipro dhe fituesi i ndeshjes Lituani/Gjibraltar.

Në tërheqjen e shortit të pranishëm ishin edhe presidenti i Federatës së Futbollit Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe zv/drejtori Samir Ujkani.

Presidenti Ademi e ka vlerësuar shortin pozitiv, pasi kemi të bëjmë me kundërshtarë të njohur, derisa ka thënë se synojnë ta fitojnë grupin.

“Janë ekipe që i njohim dhe sigurisht që presim rezultate të mira. Uroj që ekipi ynë të ketë sa më pak lëndime dhe të kemi ekipin standard gjatë këtij edicioni. Duke pasur parasysh formën e futbollistëve dhe suksesin që ata po e tregojnë me ekipet e tyre jam optimist. Shpresoj që atë formë të mirë nga klubet ata ta transferojnë edhe në ekipin kombëtar dhe të dalim triumfues. Besoj në ekipin tonë dhe është mirë që para fillimit të edicionit të Ligës së Kombeve do t’i kemi katër ndeshje miqësore, në të cilat trajneri ynë i ardhshëm do të ketë mundësi ta krijojë ekipin që do të jetë fitues i këtij grupi. Uroj që kjo të ndodhë dhe të ecim tutje në një rang më të lartë”, ka theksuar Ademi pas tërheqjes së shortit për faqen zyrtare të FFK-së.

Sa i përket përballjes së sërishme me Rumaninë dhe problemeve që Kombëtarja e Kosovës pati në Bukuresht, i pari i FFK-së shtoi:

“E njohim Rumaninë dhe e dimë si kemi kaluar atje. Por, ne do të fokusohemi vetëm në ndeshje, gjërat tjera do t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, natyrisht duke e pasur edhe kujdesin e UEFA-s”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat