Sfida ndaj Partizanit, trajneri Dritan Mehmeti: Derbi të nxjerr nga kriza

Futboll

Sfida ndaj Partizanit, trajneri Dritan Mehmeti: Derbi të nxjerr nga kriza

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 13:01
Mehmeti

Derbi me Partizanin është ndeshja e radhës për Dinamo City. Kjo ndeshje luhet të shtunën, në orën 17:00, në stadiumin ‘Niko Dovana’, ku blutë do të kërkojnë fitoren e tretë radhazi. Para kësaj sfide, trajneri Dritan Mehmeti u shpreh:

“Derbi është derbi dhe nuk ka shumë rëndësi situata që ka kaluar secila skuadër para kësaj ndeshjeje.

Një derbi të nxjerr nga kriza, por një derbi të fut në krizë. Ne kemi bërë një paraqitje të mirë në ndeshjet e fundit, sidomos ndaj Erzenit, por na duhet të kemi vazhdimësi në rezultate.

Me Partizanin do të bëjmë dhe do të kërkojmë maksimumin. Jemi të ndërgjegjshëm se është një ndeshje shumë e vështirë. Luajmë ndaj një kundërshtari me shumë kualitet dhe duhet të jemi shumë të fokusuar gjatë gjithë 90-minutëshit.

Derbit janë nga ato ndeshje që duhet pak më shumë grintë në fushë për të shkuar te suksesi. Dinamo në çdo ndeshje hyn për fitore dhe këtë do të bëjë edhe në derbi. Partizanin e njohim mirë, ia dimë vlerat dhe e respektojmë, por duhet të kemi më shumë besim në vetvete.

Moralisht jemi në një moment të mirë. Nuk kemi pasur probleme me dëmtimet, përveç Tushës, që ka kaluar një gjendje gripale.

Lojtarët janë aktorët kryesorë dhe shpresoj që të jetë një ndeshje në vazhdën e asaj me Erzenin.

Po përmirësojmë lojën dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse me anë të lojës së mirë vijnë edhe rezultate. Duhet ta tregojmë në fushë se jemi rritur dhe se mund të arrijmë më shumë në këtë kampionat. Gjithçka tjetër le t’ia lëmë fushës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat