Agim Ademi thotë se kurrë s’do të dorëhiqet

Futboll

Agim Ademi thotë se kurrë s’do të dorëhiqet

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 16:15
 Agim Ademi

Agim Ademi nuk e ka ndërmend të dorëhiqet ndonjëherë nga posti i presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), madje as edhe në rast se i dështon përzgjedhja e tretë e tij në krye të Kombëtares, Franco Foda, siç i dështuan më herët në mënyrë katastrofale, Alain Giresse dhe Primoz Gliha.

Ditën e sotme u prezantua Foda në krye të “Dardanëve” përmes një konference për media. Ai nënshkroi kontratë dy-vjeçare.

Mes tjerash, gjatë konferencës Ademi u pyet nëse do të jepte dorëheqje nga pozita e tij, në rast se regjistrohet një dështim edhe me gjermanin si trajner.

“Dorëheqje nuk jepi kurrë, veç duhet me më shkarku. Merre me pozitivitet së pari, thuaj ‘ishalla kalon mirë’. Nëse jo, atëherë Agim Ademi s’jep dorëheqje kurrë, veç duhet me më shkarku. Mos e prit”, ishte përgjigja e presidentit të FFK-së.

Nën drejtimin e Federatës nga Ademi, Kosova i ka humbur dy shanse ideale brenda tri vjetëve për kualifikim në Kampionat Evropian.

FFK dhe krerët e saj, përfshirë presidentin dhe drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti, disa herë janë përfshirë nën hetime të shtetit për keqpërdorime, korrupsion e shmangie të tatimit, e janë përballur me shumë pakënaqësi e kërkesa të publikut për largim nga FFK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat