Ligat kombëtare gati ta padisin FIFA-n në gjykatë

Futboll

Ligat kombëtare gati ta padisin FIFA-n në gjykatë

Më: 26 mars 2024 Në ora: 13:48
INfantino - majtas

Ligat kombëtare në mbarë botën bashkohen në misionin e tyre. Serie A, Premier League, La Liga dhe të tjerat, këtë herë të gjithë do të vrapojnë me të njëjtën shpejtësi. Fronti i përbashkët përparon kundër FIFA-s dhe UEFA-s, teksa arsyeja e përplasjes janë kalendarët ndërkombëtarë.

Garat evropiane dhe botërore po zgjerohen, duke rezultuar në hapësira gjithnjë e më të kufizuara për turnetë vendas. Pastaj, kalendari gjithnjë e më i ngjeshur nuk favorizon spektaklin, as mbron shëndetin e lojtarëve.

Kjo është arsyeja pse sindikatat e lojtarëve të vendeve individuale do të rreshtohen së bashku me ligat kombëtare.

Është një rast global, sepse përfshin Kupën e Botës 2026 për ekipet kombëtare dhe Kupën e Botës për Klube 2025. FIFA ka hartuar kalendarin e saj të ngjarjeve, pa marrë parasysh nevojat e kampionateve kombëtare.

Përgjigjja e ligave konmbëtare do të ishte kundërshtia e parë konkrete ndaj pushtetit të FIFA-s. Në takimin që do t’i bashkojë më 25 dhe 26 prill në Londër, do të vlerësohet mundësia e hapjes së një çështjeje ligjore.

FIFA nuk respektoi autonominë e ligave. Angazhimet e kampionateve do të mbeten të njëjta, ndërsa në nivel ndërkombëtar ato janë shumëfishuar. Mendimi i kundërt i Serie A dhe të tjerëve nuk u mor parasysh, FIFA vendosi sipas arsyeve të veta.

Kjo është arsyeja pse Shoqata e Ligave Botërore, një organizatë që bashkon ligat e futbollit nga e gjithë bota, po reflekton mbi mundësinë e hapjes së një çështjeje para gjykatës evropiane kundër FIFA-s për abuzim me pozitën dominuese në kontekstin e vendimeve të njëanshme për kalendarin ndërkombëtar.

Një studim ka nxjerrë në pah humbjet e mundshme të ligave vendase pas vendimeve të njëanshme të FIFA-s. Vendimi do të varet nga asambleja. Kupa e Botës 2026 në Kanada, SHBA dhe Meksikë do ta zgjerojë numrin e pjesëmarrësve: nga 32 në 48 ekipe. Efekti i parë do të jetë kohëzgjatja e kompeticionit.

Nëse deri tani duhej përafërsisht një muaj për të vendosur fituesin e Kupës së Botës (20 nëntor-18 dhjetor zgjati “Katar 2022”), tani do të zgjasë jo më pak se 39 ditë. Të paktën një javë tjetër është hequr nga kalendarët kombëtarë. Kupa e Botës për Klube 2025, në SHBA, që nis nga mesi i qershorit deri më 13 korrik të atij viti, do të shtojë të paktën tri ndeshje për çdo ekip, deri në maksimumi 7 ndeshje.

Ato mund të peshojnë në këmbët e Interit dhe Juventusit, të cilët në të njëjtën kohë po festojnë 50 milionët “cash” si bonus pjesëmarrjeje. Akoma më afër është prezantimi i Ligës së Kampionëve me 36 ekipe. Gjithnjë e më e pasur, por edhe gjithnjë e më e lodhshme. Kjo skemë e re shton të paktën dy ndeshje në fazën e grupeve për çdo klub, katër për ata që përfshihen në “play-off”.

Sigurisht që Liga e Kampionëve, ashtu si garat e tjera europiane, do ta humbasë primatin e saj ekskluziv. Mbivendosja mes ndeshjeve të kampionatit dhe sfidave ndërkombëtare do të jetë e pashmangshme. Çdo vit do të rikthehet edhe Kupa Ndërkontinentale, ku do të përfshihet edhe fituesi i Ligës së Kampionëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat