Sadiku, Bajrami e Nivokazi optimistë për Shqiponjën: Synojmë titullin e kampionit

Hendboll

Sadiku, Bajrami e Nivokazi optimistë për Shqiponjën: Synojmë titullin e kampionit

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 gusht 2023 Në ora: 17:25
Demë Sadiku - majtas me hendbolliste

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në hendboll (femrat), pritet me kureshtje nga dashamirët e këtij sporti, për faktin se disa nga ekipet janë përforcuar dhe synojnë kreun e tabelës.

Ndër ekipet e përforcuara është edhe Shqiponja e Gjakovës.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të klubit, Demë Sadiku, përveç përforcimeve me dy lojtare nga Brazili, është përforcuar edhe me Alma Nivokazin e Prishtinës dhe synon edhe përforcime tjera nga shtetet e rajonit. 

“Këtë edicion Shqiponja synon katërshen e madhe dhe titullin e kampionit.

Përveç këtyre dy lojtarëve nga Brazili, Alma Nivokazi është përforcim i madh për klubin.

Ne synojmë të marrim edhe përforcime tjera”, tha Sadiku për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Shqiponja përgatitet që të marrë pjesë edhe në turneun ndërkombëtar në Ulqin.

“Me datën 16-17 shtator do të jemi në turneun ndërkombëtar në Ulqin dhe do të shikojmë mundësinë për ndonjë përforcim tjetër”, ka nënvizuar Sadiku. 

Sa i përket rivalitetit në ligë, Sadiku mendon se do të jetë shumë më i madh se në edicionin e kaluar. “Rivalitet këtë vit është dukshëm më i madh, është përforcuar Istogu, Prishtina, Ferizaj, Samadrexha dhe jemi përforcuar ne.

Pesë ekipe luftojmë për katër vendet e para, do të shohim kush sa do të ketë sukses

Kurse me kadetet dhe pionieret jemi të pathyeshëm, me kadete nuk thyhem dhe asgjë tjetër pos titullit, shpresoj se do të jemi prapë më të mirët në Kosovë”, shpreh optimizmin Sadiku.

Jonesa Bajrami, talentja e hendbollit beson e shpreson se do të përsërisin suksesin e edicionit të kaluar. 

“Si talente synojmë përsëri titullin e kampionit. E kemi fituar edhe herën e kaluar, me pioniere që dy herë rresht, shpresoj që kemi me fituar edhe një herë”, - shprehet Jonesa.

Alma Nivokazi është krenare që do të jetë pjesë e klubit Shqiponja dhe pretendon rezultate sa më të mira.

“Ndihem mirë pasi po rikthehem në klubin tim të zemrës, aty ku mora hapat e parë për t’u zhvilluar si lojtare.

Synimi ynë është të ngritemi lartë në tabelë, bashkë me përforcimet tjera që presim të na bashkohen së shpejti”, tha Alma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat