Hoxha: Synoj të jem pjesë e kombëtares së Kosovës apo i Gjermanisë 

Hendboll

Hoxha: Synoj të jem pjesë e kombëtares së Kosovës apo i Gjermanisë 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 15 shkurt 2024 Në ora: 20:06
Eltijon Hoxha

Shumë të rinj dhe të reja luajnë me sukses në sportet të ndryshme në Kontinentin e Vjetër.

Një talent që po vjen dhe që po shquhet në Gjermani, është edhe hendbollisti i ri, 15-vjeçari Eltijon Hoxha.

15 - vjeçari është nga Ferizaj dhe luan për ekipin e të rinjve në Ligën e Bayernit, TG Landshut.

Image

Për tre ndeshjet e këtij edicioni të pranverës, ai prin me 17 gola në listën e shënuesve.

Shquhet me lëvizje dinake e goditje të forta.  

Image

Lista e shënuesve 

Hoxha luan në pozitën e pivotit, synimi i tij është në të ardhmen të vesh fanellën e kombëtares së Kosovës.

“Bota sot”: Si iu lindi dashuria për hendbollin?

Eltijon Hoxha: Hendbolli ka qenë gjithmonë sporti im i preferuar, pas ca kohëve mu ofrua mundësia të jem pjesë e tij dhe gjate kësaj kohe kam krijuar një lidhje me të dhe kolegët e skuadrës të cilët me kanë mbështetur edhe pse vijë nga një shtet tjetër dhe me religjion tjetër nga shumica e tyre.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?

Eltijon Hoxha: Gjatë kësaj kohe të cilën e shfrytëzoj të luaj sportin që unë dëshiroj, gjithmonë synoj të jem pjesë e kombëtares së Kosovës ose edhe e Gjermanisë dhe të zgjeroj edhe më shumë përvojën time si sportist.

Ëndrra e çdo sportisti që dëshiron të përfaqësoj denjësisht shtetin e vet ashtu është edhe ëndrra ime,

“Bota sot”: Çfarë e veçon ekipin tuaj? 

Eltijon Hoxha: Ekipin tim e veçon dëshira e madhe për fitore e secilit nga ne dhe forca të cilën e ushtrojmë çdo ditë për të qenë më të mirët, përkrahja për njëri-tjetrin, përkushtimi dhe puna e palodhshme që e bëjmë.

“Bota sot”: A janë kushtet e mira?

Eltijon Hoxha: Ekipi ynë i plotëson kushtet të cilat duhet ti ketë çdo skuadër të jetë e suksesshme.

“Bota sot”: A e përcillni hendbollin e Kosovës?

Eltijon Hoxha: Vetëm përcjellja nuk është e mjaftueshme, unë jam përkrahësi më i madh i tyre.

“Bota sot”: A keni oferta nga ndonjë klub gjerman?

Eltijon Hoxha: Pasi që mosha ime akoma nuk i përmbush kriteret e tyre nuk kam pranuar ndonjë ofertë.

“Bota sot”: Përveç juve, a ka edhe shqiptarë tjerë që luajnë në këtë ligë apo në klubin tuaj?

Eltijon Hoxha: Për fatin tim të mirë në ekipin tim luan edhe lojtari i cili ka qenë pjesë e ekipeve të Kosovës dhe përfaqësues i shtetit me skuadrën e Kosovës: Enis Kabashi në TG Landshut. 

“Bota sot”: Çfarë premton gjatë këtij viti?

Eltijon Hoxha:. Premtoj të jem gjithmonë i motivuar të luaj dhe të jem shumë i suksesshëm si në Gjermani ashtu edhe në Kosovë nëse me jepet rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat