Pas “socrealizmit”, si të çlirohemi nga injoranca!

Kultura

Pas “socrealizmit”, si të çlirohemi nga injoranca!

Më: 29 shtator 2021 Në ora: 14:48

(Diçka rreth “komenteve” në adresë tërësisht të gabuar, pas publikimit të shkrimit “Çlirimi nga socrealizmi”, citat ky i shkëputur nga një studim mbi Letërsinë Shqipe e të publikuar në https://sq.m.wikipedia.org/wiki/Let%C3%ABrsia_shqipe (nën rubrikën Shekulli 20)

Në Wikipedia në gjuhën shqipe, gjendet edhe “ligjërata” mbi Letërsinë Shqipe, madje e redaktuar për herë të fundit më 1 shtator 2021, në orën 13:59. “HEJZA” vërejti se diçka nuk është në rregull me këtë botim! E shkëputi një pasues prej disa rreshtave dhe e publikoi në faqen e vet të datës 27 shtator të vitit 2021! E publikoi për të provokuar debat intelektual dhe për t’i shënjestruar të gjitha të metat e këtij “studimi”, me bindjen se do të kishim reagime shumë intelektuale, të cilat do të ndihmonin në përmirësimin dhe plotësimin e shkrimit të Wikipedia-s! Në vend të kësaj qasje konstruktive, “kritikët letrarë”, ca “studiues letrarë”, ca shkrimtaruca që “polemikat” boshe i shohin si i vetmi mjet prej nga do të katapultoheshin në publik duke dalë nga anonimiteti, vendosën që ta vënë në pushkatim “HEJZËN”, e cila u akuzua si përçarëse e mohuese e shkrimtarëve meritorë dhe si promovuese e “bunkerave” dhe e “shkrimtarëve të bunkerave socrealistë”!

HEJZA është themeluar thjesht për t’i promovuar vlerat kombëtare dhe për t’i dhënë hapësirë kryesisht krijuesve të rinj. Jo se nuk e kanë, por thjesht, një hapësirë paksa më ndryshe, më përafruese, më gjithëpërshirëse, përtej “ishujve të krijuesve”, përtej klubeve e hamameve të pseudo-krijuesve. Sakaq, u hodhën gurë e dru mbi stafin drejtues të kësaj faqe për kulturë, art dhe letërsi!

HEJZA ka apeluar dhe është angazhuar e po angazhohet në ngjalljen e kritikës letrare, në afirmimin e shkencëtarëve të rinj të letërsisë, në aktivizimin e studiuesve të rinj të letërsisë, madje stafi i HEJZËS edhe ka apeluar që të “bombardohen” me shkrime nga kjo fushë, si dhe me shkrime të tjera për ta orientuar diskursin e problemeve tona letrare drejt nxjerrjes së talenteve të reja nga fusha e kritikës letrare.

Pas një “citati” të shkëputur copy-past nga një “studim” më i gjatë i publikuar në Wikipedia, na u zgjuan nja dhjetëra “kritikues”, të cilët, shanë e ofenduan, në vend se të ofronin studime autoriale që do të ndikonin në plotësimin e publikimit në Wikipedia, me më shumë fakte, të vërteta shkencore, që do ta pasqyronin realitetin e krijimtarisë letrare, sidomos të periudhës së pas viteve 1990 dhe, sidomos të periudhës pas Luftës Çlirimtare në Kosovë, periudha këto që na kanë sjellë prurje të reja dhe shkrimtarë me plotë kuptimin e fjalës! Urdhëroni “kritikues”, shpalosni këto vlera të padiskutueshme, afirmoni krijuesit letrarë, sepse opinioni nuk i njeh, dilni nga strategjia e përgaztë “unë për ty e ti për mua”, “Unë të lexoj ty e ti mua”! HEJZA do t’i publikojë të gjitha recensionet, studimet letrare, kritikat mbi artin në përgjithësi. HEJZA nuk është për “klube letrare” të mëhallëve. HEJZA mëton të jetë faqe përkujtuese e personaliteteve letrarë, por edhe e atyre nga jeta e përgjithshme kulturore, si dhe kampione në promovimin e krijuesve të rinj. Flisni diçka për kulturë, për art, për letërsi, sepse ky është qëllimi i HEJZËS dhe jo që të bjerrni kohën duke e fajësuar stafin e HEJZËS për punët që i kanë bërë të tjerët! Nëse nuk i besoni HEJZËS, atëherë ja ku e keni “studimin letrar”

https://sq.m.wikipedia.org/wiki/Let%C3%ABrsia_shqipe (nën rubrikën Shekulli 20) prej nga HEJZA shkëputi një citat vetëm sa për të provokuar një debat shkencor dhe jo për të hapur “siparin” e sharjeve dhe ofendimeve në adresë të gabuar!

Urdhëroni që me shkrime shkencore, me debate konstruktive, me fakte e me argumente, me kritikë e qasje objektive, ta detyrojmë “redaktorin” e publikimit në WIKIPEDIA ta korrigjojë dhe ta bëjë sa më shkencor “publikimin”, i cili, megjithatë, shpreh përpjekjet intelektuale të “autorit” për një studim letrar me aq sa ka pasur kapacitet intelektual dhe njohuri mbi letërsinë shqipe./HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat