Vallë kush e vrau ëndrrën, pyes e mendohem

Kultura

Vallë kush e vrau ëndrrën, pyes e mendohem

Nga: Gjon Marku Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 20:08
Gjon Marku

Na zu mëngjesi në udhë e koha është bash në atë moment kur takohet dita me natën. Mbi qerpikun e natës fle heshtja. Dita po gdhinë e fushave ernjoma shtrihet. Në mjegullën e mëngjesit ndriçuar nga drita e zbehtë e buzëmengjesit pasi kaluam Urën e Milotit, që në fakt gati po shembet edhe pse është monument kulture, futem në luginën që Fabian Barcata e quan lugina me e bukur në Europës, atë të Fanit, e vetëm pas pak kilometrash shfaqet Rrubiku, i cili në shekullin që lamë pas emirin e ka të lidhur me nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Por që shekuj më parë aty në kepin e bardhë kishte zënë vend kisha e famshme që qysh heret kishte pasur bashkë me Ndërfanën, Shpalin dhe Oroshin kuvendet e famshme benediktine e prej nga dilnin priftëtrinj të lartë jo vetëm për Shqipërin por dhe për Bosnjen Dalmacinë dhe Raguzën.

Ulet nëpër gryka lumi valëbardhë. E nëpër atë gurgullon uji i kulluar si lot vashe që buron prej atje në Dom Gjon ku në zemër të shkëmbit përmotshëm buron një gurrë uji qelibar rrjedh tu iu ulë nëpër gryka. E tres shikimin në udhën e tij brigjeve të të cilit rrapet degegjerë sikur sajonin përralla. Perplasen valet e qelqta nëpër shkëmbinj, thërmohet e behet çikë e shkumë. Një krah lejleku preku dallgët prej bromur argjendi e fytin gërvisht teksa muar fluturimin mbi ujrat e Fanit. I vështroj ujrat e kulluar të tij që burojnë tej në Munellën që si nuse e lazdruar qëndron gjithë hijeshi në cepin e epërm të Mirditës apo në bjeshkët e Malit të Shenjtë në Orosh. Këtyre maleve me zemer ari.

Uji dhe fjala janë të lehta për t’u derdhur por shumë vështir për t’u mbledhur kujtoj fjalet e ghjyshit.

Në truallin e Mirditës po zbardh agu e yjet vezulluese u varën mbi pyje. Në këtë trevë që jeta ndërthuret me kode legjendash, atje në malet kreshtëbardha, drejt tyre fluturojnë endrrat e mia. E atje kishte lindur miti legjenda që gjithë jetën e kishte shoqëruar mirditasin që s’kish ditur të nënështrohet a tjetërsohet po kishte ruajtur të shenjtë gjuhë e fe, flamuar e atdhe, si rrallë kush tjetër. 

Në bridhet e Fanit u ndërtua qyteti i minatorëve, metalurgëve dhe gjeologëve. Të parët që zunë vend këtu qenë minatorët, në vitet 30 kur nisën punimet në minerën e bakrit prej një firme italjane. Më pas aty u ndërtua fabrika e pasurimt të bakrit që ishte njëra ndër pioneret e industrisë tonë e pas saj. Uzina e Përpunimit të Bakrit në të cilën siç pohojnë specialistët e industries prodhohej arë dhe argjend. Fatkeqësisht sot kjo uzinë nuk është gjë tjetër veçse një varrezë hekurishtesh edhe pse oxhakët e të cilës akoma të impresjonojnë. Përballë saj hodhi shtat qyteti i Rrubikut i cili rritej bashkë me zhvillimin industrial. Malet e këtyre anëve u shpuan në zemër të tyre të artë dhe kështu qytetet hidhnin shtat këtyre anëve. Fillimisht pra në atë shpat mali me gurë të bardhë hodhi shtat qyteti i Rrubikut.

Rrubiku ishte pikasur prej mineralëkërkuesve që heret dhe aty nga fillimi i viteve 30 bëhet nismëtare e një industrie të më vonshme nxjerrje dhe shkrireje të bakrit. Fillimisht janë firmat mineralkërkuese italiane atë që ndërtuan bërthamën e parë. Më pas sovjetikët, kinezët e kush nuk vuri dorë në ngritjen e industrisë më të rëndësishme për bakrin në vend në Rrubik, në të parat industri shkrirëse në vend. Jo rastësisht por se aty gjendej vërtetë bakri, ari dhe argjendi. Harta gjeologjike këtu kishte pikasur nënë dhe një pasuri të madhe në tokën e Mirditës.

Kjo industri që mbante me bukë qindra familje mirditore dihet se jeton grahmat e saj të fundit dhe çdo ditë po shkatërrohet barbarisht pa shpresuar më se një ditë mund të kthehet. Asnjë projekt për riaftësimin e saj nga Ministria e Industris dhe Energjitikës. Shkatërrohet industria e bakrit dhe rritet varfëria e njerëzve të cilët nuk kanë ku të punojnë e aq më tepër me se të jetojnë.

Pas vitit 1990 ky objekt i rëndësishëm i metalurgjisë shkrirëse u la pa asnjë shërbim dhe kështu të gjitha objektet filluan të degradojnë duke u bërë të papërdorshme pompat, vincat, rrypat e transmesionit dhe gjithçka tjetër. U vodhën makineritë dhe gjithçka që vlente. Prej vitesh braktisur tërësisht. Tani flitet për likujdimin e saj. Domethënë për fshirjen nga faqja e dheut të saj.

Pra të likujdojmë atë që është pjesë e jetës së metëlurgëve të bakrit atyre që me aq mundë e djersë nisën dhe mbyllën jetën e tyre pikërish me bakrin, me nxjerrjen dhe përpunimin e tij. Atyre njerëzve që jetojnë me pensione të pamjaftueshme as për ilaçet e sëmundjeve profesionale edhe pse për vite të tërë në duart e tyre xixëlloi floriri që i jepnin vendit tonë. Bashkë me Industrinë nxjerrëse dhe përpunuese po vdes dhe ky qytet zhytur në varfëri dhe papunësi.

Ne e morëm udhën drejt qëndrës së Mirditës, Rrëshenit

E pastër kupa e kaltër, pa njolla e mjegulla përhapur fjollë fjollë duke u gremisur hon më hon e humbet. Mengjesi muer jetë me një ylber. Beh një rreze dielli dhe pse zbehtë. Në malin e krepatuem të Velës faqja lindore e ti u la me djell. E fushave të Ndërfushazit bari është i butë si mëndafshe mugullon në njomsinë mengjezore.   

Në mëngjes jeta zgjohet heret me një buzëqeshje të ndritshme. Por ne pasi lamë këtë qytet që është qendra e Mirditës se sotme morëm udhën drejt Kurbneshit  ku ulurima e eres së ftohte të fut drithërimën. Katundet ngjan të ngrysur sikur të ketë rënë mortaja. Qyteti i Kurbneshit që mbiu heret në gji të shkëmbit tani vdiq bashkë me fabrikën e pasurimit të bakrit apo me minerën e bakrit në Kurbnesh.  Ashtu ngadal fiken ngërthyer prej silikozes njëri pas tjetri minatorët e Kurbneshit, Kalorit, Spacit, Rubikut Pëshqeshit. Fle qyteti në ditë të fundit e fiket ngadal si kandili që shuhet. Fshatra të kotura rreth tij.   

Livadhet e rrëpinave të nalta me pisha si rrecka të shpërndame ku rrëshira rrjedh si gjak mbizoteron shkretimi. Atje buz Valmorit Kroj i Bardhëe nga shkëmbi mërmëron. Ndersa kullat e moqme të Selitës e Kthellës pragjethyer e konaçembyllur këndojnë këngëheshtjen. Njerzit harruan emrin e tyre ne këto kullat të gurta.   

 Fillekat i vetëm me një kollë ftohje në gjoks Lal Kola shuaj e ndiz një llullë shqope pranë tryezës së qoshes në kafe shalon mendimet e së shkuarës. Përpushte me shkulloj helkuri në hirin me prush qarri nënë unët e kryqëzueme në voter të ozhakut. Mendimet tallazitnin. Si një gjethe i thahen qepallat. Sytë nënë vetullat e zeza janë dy puse të harruara. Tëmthat zën myshk, myshk i harlisur. Lodhja ishte ulur në vetull që a thua se i vishen me blozë. I dridhen thinjat. Mjekrra e bardhë e tij krihej porsi mjegulla nëpër brinja.  Drejtohem drejt atij njeriu të zymtë.  Ani se tek ai koha ka rrëshqitur si gjarpërinjtë nëpër gurë.

Ulem pranë tij pse ai është një ndër minatorët  e pakët të këtyre anëve mbetur gjallë.

Tymi i lehtë prek lotët e syve dhe yjet. Kuvendi ynë rridhte monoton si rrymë uji, një tingull i ftohtë. Më është ndryshkur shpirti si ai parmaku i dyerve  të vjetra

Vjen ngandonjëherë e më kapëlon megulla e merr e më zhyt nëpër ulurima. E sotmja eshtë njësoj me të djeshme. Në bebëzar e hapura tmerri ishte srukë

Mos u trisho i thash vetes, por a mund të mos trishohem sot. Mjerimin që rri në zemrën ime. Minatori në Bulqizë vdiq nëntokë veçse 60 vjeç. Shqetësimi në zemër m’lulëzon. Të vuash është e vetmja e vërtet.

Nëse pyesin ç’ëshë trishimi, Më pushton keqardhja. Unë e mbështjellë me rrjetën e zezë të dhembjes tha plaka. Brenda meje pikëllueshëm zu jetë lajmi i vdekjes së minatorit në atë minerë vdekje. Si kalorës që lë pas horizontin trokon nëpër muzg shpirti i tij. U bën zë lisave

Ishin vite jehonash rrugët plot pengesa e mistere, gjithçka shkatërrohej vrullshëm, prishej ngado industria e bakrit vidheshin e shiteshin marrëzisht gjithçka në kombinatet e kromit, shkatërrohej industra e plehtrave kimike a fabrikat e letrave, uzinat e naftës repartet ushtarake  e kryeministri i perkoheshem deklaronte se vendi ka vetem gjasht ditë buke kur ishte tundur podjumeve  çeku i bardhe i lumturisë. Mos valle gjithë ajo industri nuk ishte e jona apo mos pemtoret e vreshtat ishin komuniste. Arat e djerrituna që pushtoheshin nga ferrat kjo kishte qënë ëndrra jonë. Diplomë blerësit pushtojnë institucionet. Ç’ marrëzi

Flet me fuqinë e thinjave të bardha mendoj e hesht.

Diçka fryn stuhishëm është koh e ligë. Mençuri e vuajtjes Brenda tij ha veten. Nuk është ky vetëm pikëllim. Unë e mbështjellë me rrejtën e zezë të dhembjes tha plaka .  

Toka e Mirditës kishte me dhjetra minera. Qytetet e këtyre anëve kishin lindur nga zhvillimi i industrisë. Rubiku kishte një miner nxjerrëse, një uzinë përpunuese të bakrit dhe njërën ndër ndërmarjet më të mëdha gjeologjike në vend. Edhe Rrësheni, qendra administrative e rrethit të Mirditës kishte një fabrikë pasurimi. Repsi mblidhte bakrin e Spaqit, Gurthit, Majes së Madhe dhe e pasurionte në dy fabrikat e pasurimit ndërtuar njëra pas tjetrës në këtë qytet që ishte ngritur fal industrisë nxjerrëse dhe përpunuese pas vitit. Një tjetër qytet kishte hedhur shtat në Fush Arrës ku gjithashtu kishte minerë dhe fabrikë të pasurimit të bakrit. Dhe një tjetër buz Valmorit, Qyteti i Kurbneshit por vec qyteteve të mirfillta ndër male kishte dhe dhjetra qyteza të minatorëve dhe gjeologëve. Kështu në Qaf Vorrez, Kalor, Gjazuj, Perlat, Maja e Madhe, Munella, Mashtërkori. Qytete dhe qyteza që lindën bashkë me zhvillimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të bakrit dhe bashkë me të viqën ose vazhdojnë të japin grahmat e tyre të fundit.

Minerat, fabrikat, uzinat, ndërmarrjet gjeologjike që ishin qepur maleve të Mirditës të zbulonin zemrën e tyre të artë u jepnin jetë këtyre qyteteve që tashmë pothuajse të gjitha po vdesin bashkë me harresën ose humbjen e interesit për bakrin. “Minerat po shemben përditë, po groposen mijra ton mineral” pohojnë specialistët e bakrit. Shembjet nëpër galeri i kanë kthyer ato në të pashfrytëzueshme. Po ashtu fabrikat dhe uzinat shkatërrohen çdo ditë, ngado e kudo, nëpër Shqipëri. Qindra punëtor të minerave, fabrikave dhe uzinave të Mirditës mbetën pa punë. Gjallëria e qyteteve u zbehi dhe filloj të marrë jetë varfëria dhe skamja, papunësia dhe një kollë e thatë vdekjeprurëse. Filluan të japin grahmat e para minatorët dhe vdekjet e njëpasnjëshme zunë fillë këtyre anëve.

Qytetet që i lindi industria e bakrit nëpër Mirditë sot jetojnë me asistencë dhe me përkrahje sociale. Qytetet fillimisht jetuan ditët e ikjeve të mëdha. Kurbneshi ishte qyteti i parë ku filluan prishjet masive. Fillimisht u prish fabrika më e vjetra e pasurimit të bakrit në Shqipëri pas aasaj të Rubikut dhe pse projektuesit e saj kishin parashikuar që një ditë ajo të kthehej në fabrik çimentoje. Në këtë qytet filluan me ritme të shpejta të vdesin institucionet shtetërore më pas filluan të prishen pallatet tre deri në pesë katëshe vetëm për tu marrë tullat kështu makinat që dikur transportonin mineral tani transportonin tullat që merreshin nga shembja e qytetit, nga shembja e pallateve tre deri në pesë katëshe. Por le të ndalemi në statistikat e vitit 1994 vetëm tre vjet pas ardhjes së demokracis. Derisa puna arriti atje ku sipas kryetarit të Komunës 65 përqind e popullsis merr përkrahje sociale. Vetëm 62 punonjës janë të stabilizuar në punë shtetërore. E njejta gjendje ekziston në Reps e cila është qendra e Komunës së Oroshit. Kjo zonë e thellë malore ka vetëm se 257 hektar tokë që duhet të mbajë më shumë se 1274 familje. Në këtë komunë rreth 60 përqind e banorëve kërkojnë të shpërngulen. Më parë kanë vdekur qendrat e punëtorëve në Qaf -Vorrez, u zhduk qendra e punëtorëve në Gurth Spac, nuk ka mbetur asgjë nga qendra e gjeologëve në Mashtërkor. Është zhdukur qendra e ponëtorëve në Kalor e në Gjazuj. Kështu po vdesin përditë qytezatr dhe qytetet e Minatorëve. Kështu po braktiset përditë treva e Mirditës dhe numri i popullsisë nga 53 mijë banorë që kishte në vitin 1990 sot ka zbritur në afro 30 mijë pra 23 mijë banorë janë zhdukur duke përdorur gjithfar mënyrash dhe metodash.

Bashkë me qytetet po vdesin dhe minatorët dhe njerzit e nëntokës së Mirditës shumë prej tyre në moshë të re. “Sëmundja e silikozës është e përhapur kudo nëpër Mirditë dhe kjo vjen nga përmbajtja e kuarcit në mineralin e bakrit. Nëpër minera është punuar me shpim të thatë kështu që pluhuri ka veshur mushkritë e minatorëve të cilëve nga dita në ditë ua bën të pamundur frymëmarrjen, derisa ua ndërpret atë duke shkaktuar vdekjen “pohojnë mjekët. Sipas drejtuesve të sindikatës së minatorëve afro 500 vetë kanë vdekur nga kjo sëmundje në një kohë që kjo listë u përket viteve të fundit dhe vdekjet vazhdojnë pa ndërprerje që në moshën 40-45 vjecare. Nuk dihet ekzaktësisht numri i të vdekurve dhe të mbeturve në minerat e bakrit në Mirditë. Kështu qytetet e bakrit plaken, rrudhen dhe vdesin bashkë me industrinë që i ngriti ndër male ku thuhej se para vitit 1990 ishte njëri ndër rrethet me standartet më të larta të jetesës në vend.

Rrugët nëpër shumë fshatra mungojnë. Zonat e thella dimrit bllokohen nga bora. Varfëria shtohet. Pasuritë e Mirditës rrugtojnë gjithnjë jashtë saj. Edhe pse nëntoka dhe mbitoka e kësaj treve është aq e pasur. Makina pa fund ngarkuar me lëndë drusore rrugtonin nga Mirdita në drejtim të Durrësit, Fierit, Lushnjes e gjetkë derisa një ditë dhe ajo duket se ka per tu mbaruar. Pse pyje më nuk ka.

E lemë Kurbneshin e pasi kalojme neper disa male të zhveshura ose të djegura mbërrimë atje ne Orosh në gji të bjeshkeve të Malit të Shenjtë ku tempujt fshehin të fshehtat e frikshme e ku sundohej me fuqinë e gjuhës. Ku dikur tempujt dhe katedralja, kishat, kishtaret dhe besimet i jepnin jetë një tradite unikale. Por në mëngjes heret, ende pa gdhirë rraqet mbi shpinë mblidhnin, kullën kishin braktisur. Kullën hijerënd kishte vështruar duket e mërzitur. Shtëpia mbushur me zbrazëtir mbush, boshin që pas ikjes mbetet. E rend diku e tash e mbrapa ndoshta rron mes të gjallëlve i vdekur. Përunjësisht lutet para kishës së famshme të Shën Llezhdrit që duket sikur përgjumet. Në shpirt sikur është mbushur plot britma epike ani rend drejt të panjohurës

Ikën e shqelmon të kaluarën mitike të gjyshërve të tij ani se vjen nga fis mbretërish.

Shpendët e malit pa gjuhë po gugasin nëpër çerdhe. Bashkë me këngën e mëllinjës që mështeknës shushurinë nëpër mendje me vijën çatitë e kullave të braktisura ku era ulurin si ujk i vetmuar. Shqarthi fle në bigë të shkëmbit nën themelet e kulles e gjallon prej dhjamit.

Hijet si akrepat zgjaten dielli i mbramjeve shalon kodrat në majë. Ikën drita si grua e lëshuar, e në horizont përzjarren perendimet. Qielli pikon verdh e zi, buzëmbrëmja lëshohet luginës. Muzgu ngjyer viollcë zgjat hije, errësohet, kthej kryet prapa e shoh. Në hellësinë e qielli të largët një yll i vogël ma bën me sy.

 Në Orosh një këmborë bie. Shqimet dritat shenjte. E mërgimtarët më përhiheshin si shtegtarë murgj. Rreth e qark qindra varre, aq të shenjta sa s’ka Këtu rënkimet kanë aromë dheu.

Në një prej gazetëve të përditshme lexoj se në këto tridhjet vite një miljon e shtatëqind mijë shqiptarë kanë mërguar qytetet shuhen e kullat e moçme këndojnë këngëheshtjen.

E kujtoj fjalët e minatorit Kolë “Fjala vret si rrufeja, ajo fyesja e pa verteta. Degjomani fjalen nese fjala ka peshë. Ne e kemi shpirtin në palcën e gurit. Nëpër qytetet tona tash flet heshtja. Se vlerson kush më peshën e fjalës.

Për vjedhje të përligjura në mënyra aq të poshtra, duke ju grabitur në vijimësi shpirtin, punën, djersën, puntorit. Po çfarë bëjmë kështu duke shkatërruar gjithçka. Fëmijëve tanë që do të flasin e një ditë do të gjykojnë për ne”.

 Erdhen kohë të çuditshme thotë plaku me zemër të ndalur.

Çdo, fund jetë ka kohë pendimin e kështu ndodh dhe me qytetet tona që sot janë në grahmat e fundit të jetës së tyre.

Pagëzoni ose lerëni pa emër këtë kohë rrezikzezë shkatërrimesh. Thotë Minatori Kolë ani se shpresa ime është thinjur. tymi i lehtë prek lotët e syve dhe yllin.

Vallë kush e vrau ëndrrën pyes e mendohem. 

Vetëm zoti në na ktheftë përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat