“Kujdesi shtetëror” për kulturën shqiptare

Kultura

“Kujdesi shtetëror” për kulturën shqiptare

Më: 3 mars 2022 Në ora: 14:56
Ilustrim

Mbi katër dekada në komunizëm, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut identitetin e vet kulturor janë përpjekur ta ruajnë e ta manifestojnë kryesisht përmes këngëve dhe valleve folklorike e të përpunuara që i kanë kultivuar shoqëritë kulturo-artistike shqiptare! Nga viti 1981 e deri në demokratizim të Maqedonisë, një fond bukur i madh i këngëve shqipe e përjetoi kyçjen në “bunkerë” dhe gati se këngët e vjetra shqip u harruan fare, ato që dëgjoheshin apo ato që këndoheshin nëpër koncerte, duhej që të përktheheshin maqedonisht e të merrej leje policore për t’u kënduar! Do me thënë, shqiptarët e kultivonin identitetin e vet kulturor sipas “dozave policore” dhe, nëse tejkalohej kjo “dozë”, pasonte burgosja dhjetë-pesëmbëdhjetëvjeçare si “nacionalist dhe separatist”! Pra, mohimi apo nëpërkëmbja e identitetit kulturor shqiptar bëhej përmes lejeve apo moslejeve policore, ndërsa sot kjo lojë luhet në mënyrë shumë perfide! Shqiptari do të kultivojë identitet kulturor aq sa do të lejojë dhe financojë Ministria e Kulturës (!) me seli në një objekt ku janë thurur intrigat e montimet politike kundër shqiptarëve e ku u është pirë gjaku me pambuk!

Në periudhën e “demokracisë” apo në vitet post-komuniste, shqiptarët duke e ditur se kulturë është vetëm ajo që shfaqet përmes koncerteve me këngë e valle popullore, u lëshuan që të themelojnë sa më shumë shoqata kulturo-artistike, deri sa u themelua edhe një Ansambël për këngët dhe vallet shqiptare, pa kurrfarë platforme, pa kurrfarë strategjie dhe pa kurrfarë plani zhvillimor. Ky Ansambël pa dyshim që do të duhej të ishte edhe “baba mitik” në mbrojtje të shenjtë të shoqërive kulturo-artistike, duke insistuar në përkrahjen e tyre financiare nga Ministria e Kulturës dhe duke mos i përjashtuar asnjërën nga “kulaçi” i buxhetit shtetëror. Këto shoqëri kulturo-artistike duhet të llogariten, veç tjerash, edhe si “delta” e prurjeve të vazhdueshme të vlerave të gatshme e të nevojshme për Institucionin kombëtar “Ansamblin i këngëve dhe valleve shqiptare” në Maqedoninë e Veriut.

Janë me qindra shoqata folklorike maqedonase, janë me dhjetëra qendra kulturore nacionale e lokale, janë me dhjetëra shtëpi të kulturave nëpër qendra të ndryshme maqedonase dhe gati që të gjitha “daroviten” respektueshëm nga kjo Ministri.

Edhe në fushën e folklorit Programi nacional vjetor i Ministrisë për Kulturë për vitin 2022 ka paraparë që buxhetin dedikues ta ndajë në dy lloj shfrytëzuesish: “Institucionet nacionale” dhe për “shfrytëzuesit e tjerë”.

Institucionet nacionale kanë arritur të fitojnë rreth 67 projekte maqedonase si dhe të jenë organizator të 5 manifestimeve dhe festivaleve folklorike! Gjithsej kanë siguruar buxhet prej 10,058,490 den. ose 163,247 euro, si dhe nga manifestimet buxhet prej 5,300,000 den. ose 86, 020 euro.

Ansambli i këngëve dhe valleve shqiptare ka arritur të sigurojë 8 projekte me buxhet prej 4,550,000 den. ose 73,845 euro. Po ashtu, janë siguruar edhe 7 projekte shqiptare me buxhet prej 1,990,000 den (32,297 euro), të cilat do të realizohen nga qendrat nacionale dhe shtëpitë e kulturës nëpër disa qendra të banuara me shumicë shqiptare!

Pra, institucionet nacionale maqedonase gjithsej kanë siguruar 72 projekte me buxhet rreth 250,000 euro, kurse 15 projekte shqiptare me buxhet prej rreth 105.000 euro!

Ky numër kaq i madh i projekteve maqedonase nëpër institucione nacionale do të duhej të ishte i mjaftueshëm dhe, rrjedhimisht, do të duhej të linte vend sa më shumë projekteve amatore dhe private në rrafshin e folklorit shqiptar! Megjithatë, pa diskriminim kulturor kundër shqiptarëve, vështirë se mund të funksionojë Maqedonia e Veriut! Fatkeqësisht, këtë diskriminim nuk e ushtron në mënyrë që të vërehet urrejtja nacionale, por gjen vegla e individë të manipulueshëm të kyçur nëpër komisione “që vendosin” e që, me gjasë, komisionarët tanë janë vetëm sa për ta marrë atë shpërblim prej nja 500-600 euro!

Për “të tjerë shfrytëzues” janë ndarë 72 projekte maqedonase me buxhet prej 10,380,000 den, ose 168,465 euro, si dhe për manifestime e festivale private maqedonase janë ndarë 15 festivale me buxhet prej 6,665,000 den. ose 108,172 euro.

Shfrytëzuesit e tjerë maqedonas, si persona juridik kanë përfituar 17 projekte me buxhet prej 6,665,000 ose rreth 110,000 euro.

Shqiptarët në fushën “Shfrytëzues të tjerë” kanë fituar gjithsej 13 projekte me buxhet prej 2,037,000 den. ose 33,060 euro dhe 5 manifestime me buxhet prej 3,308,000 ose 53,690 euro.

Pra, në veprimtarinë folklorike maqedonasit kanë përfituar mbi 150 projekte me një buxhet prej 22,023,490 den ose 357,437 euro, kurse shqiptarët kanë arritur të marrin 33 projekte me buxhet prej 11,885,000 den. ose 192,900 euro.

Sikur të punohej me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sikur të këmbëngulej në themelimin e institucioneve nacionale si dhe në hapjen e sa më shumë qendrave dhe shtëpive kulturore, sikur edhe të stimulohej formimi i shoqatave kulturore shqiptare, raporti do të ishte krejt ndryshe, ndërsa identiteti kulturor shqiptar do të ishte më i dinjitetshëm. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për mëshirë e cila vetëm sa e rritë “kujdesin shtetëror” për kulturën e bashkësive etnike në vend. Shqiptarët duhet të kenë institucionet e veta dhe vetë të përkujdesen për kulturën kombëtare si bashkësi etnike e ndarë prej një tërësie kombëtare, kulturore, gjuhësore etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat