Një libër si projekt madhor e monument për arsimtarët dëshmorë

Kultura

Një libër si projekt madhor e monument për arsimtarët dëshmorë

Nga: Gani Bajrami Më: 6 maj 2023 Në ora: 11:06
Foto ilustrim

Historia na mëson se shkolla shqipe, edukimi e arsimimi shqiptar në të kaluarën shekullore kaloi furtuna e katrahura të ndryshme. Fati i shkollës shqipe, gjuhës e librit shqip, gjithnjë ishte sikur edhe fati i popullit dhe trojeve etnike shqiptare, i rrahur nga furtunat e ngjarjeve e kohërave që ishin kundër qenies kombëtare shqiptare. Dhe gjatë historisë, gjuha, shkolla dhe libri shqip u sulmuan dhe u ndaluan nga gllabëruesit e trojeve tona etnike, ndërsa mësuesit shqiptarë u ndoqën, u burgosën dhe u vranë, sepse secili pushtues edukimin dhe arsimimin shqiptar e shihnin si shenjë themelore të rezistencës dhe qëndrueshmërisë së identitetit kombëtar të popullit tonë.

Prandaj, gjithë okupuesit e popullit dhe trojeve tona shqiptare, kishin qëllim të përbashkët, kufizimin deri në ndalim dhe tjetërsim të përdorimit të gjuhës sonë, traditave pozitive historike e kombëtare dhe sistemit arsimor. Kështu vepruan bizantinët, romakët, osmanlitë dhe serbet karpatian. Në gjithë këta shekuj robërie, krahas ndjekjes së shqiptarëve, u ndoqën, u ndëshkuan dhe u ndaluan edhe gjuha shqipe dhe shkolla shqipe. Dhe nuk ishte e rastit që pena dhe pushka bashkëjetuan të pandara, gjë që u dëshmua edhe me historinë më të re të Kosovës, kur në dekadën e fundit të shekullit të kaluar sistemi i arsimit ishte diga e parë e rëndësishme e shtetësisë së Republikës së Kosovës, ndërsa mësuesit e arsimtarët pos si nxitës e motivues të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin edhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të saj, duke lanë ditarin dhe rrokur armët për t’i dalë zot atdheut.

Është nder të shkruash për ata pishtarë të arsimit që kanë flijuar jetën për mbrojtjen e atdheut dhe që në fillim dua të theksoj se admiroj dhe çmoj shumë punën titanike të bashkautorëve të monografisë “Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë në luftën e Kosovës (1997 - 1999)”, sa vëllimore, po aq cilësore, sa të rëndësishme e të pëlqyeshme, po aq të mirëpritur, jo vetëm si hulumtues e studiues seriozë e dinjitozë, por edhe si shkrimtarë e publicistë, si intelektualë të rryer e të vyer të shkrimit shqip.

Që nga momenti që kuptova që Qazim Berisha po punon për hartimin e një monografie për arsimtarët dëshmorë, të rënë në luftën e fundit të Kosovës, më mbante shpresa se ai do t’ia dalë kësaj ndërmarrje që në shtetet tjera të botës për realizimin e saj do të angazhoheshin institute e asociacione shtetërore. Kur më vonë kuptova se në këtë ndërmarrje atij iu ka bashkëngjitur edhe Zymer Mehani, bindja ime e plotë ishte se lënda e mirë ka rënë në duar të mjeshtërve të mirë e të sigurt. Sepse, nuk thuhet kot se shkrimtari-shkrimtarin e artisti-artistin dhe arsimtari-arsimtarin e kuptojnë më së miri. Dhe nuk ka dilemë se, bashkautorët e kësaj monografie, edhe si punëtorë të arsimit, kanë analizuar dhe kanë studiuar, kanë ndriçuar e kanë zbërthyer në mënyrë të përkryer shpirtin arsimdashës e atdhedashës të arsimtarëve dëshmorë. Ndaj, me kureshtje të madhe e me interesim të veçantë, me padurim, me vullnet e me gëzim të madh i hyra leximit të monografisë në fjalë, i bindur se djersa e mundi i pakursyer i bashkautorëve të monografisë në fjalë, ka bërë që lexuesit t’ia shpërfaqin në mënyrën më të mirë të mundshme jetën dhe veprimtarinë e këtyre misionarëve të arsimit tonë kombëtar, të cilëve armiku ynë shekullor ua ndërpreu jo vetëm punën, por edhe jetën.

Monografia “Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë në luftën e Kosovës (1997 - 1999)” i kushtohet një komuniteti, pjesëtarët e të cilit me punën e tyre kolosale, lanë gjurmë të dalluara e të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare, punë me të cilën krenohet e mburret mbarë kombi shqiptar. Sepse, ata me veprimtarinë tyre të përditshme krijuan vlera të arsimit tonë kombëtar, e madje edhe vetë u bënë vlerë e rëndësishme kombëtare. Personazhet e kësaj monografie ishin njerëz që e donin jetën, edukimin dhe arsimimin e brezave, prosperitetin njerëzor e kulturor, por që nuk arritën ta jetonin jetën dhe ta përfundonin misionin e tyre, ngase pushtuesi serb ua mori jetën. Ata do të mbetën jo vetëm në kujtesën e familjarëve të tyre dhe të ish-nxënësve, por edhe në kujtesën e brezave që do ta lexojnë këtë libër, të cilët do të mësojnë se mësimdhënësit ishin ata që armë kundër armikut nuk e përdorën vetëm penën, por edhe pushkën.

Bashkautorët e kësaj monografie, Qazim Berisha e Zymer Mehani, domosdo që e kanë ndier si përgjegjësi intelektuale, qytetare, patriotike, historike për të hedhur në këtë libër kujtimet, mendimet, komentet jetësore, ngjarjet, datat që kanë qenë pjesë e jetës së rreth 400 arsimtarëve dëshmorë dhe mbi 50 punëtorëve teknikë dhe administratorë shkollash, të rënë gjatë luftës së Kosovës (1997 - 1999). Ata kanë arritur të grumbullojnë e sistemoni aq shumë shënime për të ndriçuar gjithanshëm jetën dhe veprimtarinë e këtyre dëshmorëve të shkollës shqipe, të cilët dhunshëm u privuan nga jeta, duke lënë pas si meteorë shkëlqimin e ndritshëm.

Është thuaja e pamundur që ta lexosh këtë libër dhe të mos ngarkohesh edhe me shumë skena makaber që i bëri ushtria e policia serbe bashkë me paramilitarët serbë kundër popullatës të pambrojtur shqiptare dhe veçmas kundër nxënësve e arsimtarëve të tyre. Prandaj aty-këtu gjatë leximit do të ndeshim edhe rënie heroike të arsimtarëve dëshmorë, kush me armë në dorë e kush me mosnënshtrim ndaj regjimit vrastar hegjemonist serb, do të hasim edhe ëndrra të tyre për të ardhmen dhe brezin të cilin e edukonin dhe e arsimonin, ëndrra këto te disa të realizuara pjesërisht e te disa të tjerë të mbetura në gjysmë....

Duke lexuar librin do të na parafytyrohen skena të ndryshme të golgotës nëpër të cilën kaluan shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga gjenocidi serb, ku plumbit dhe bajonetës serbe nuk i shpëtuan as 1.432 fëmijë dhe të rinj të moshës adoleshente, 109 prej të cilëve ende konsiderohen të zhdukur. Nuk mund të mos na kujtohet se nga këto filiza që armiku ua ndali rritën, 296 prej tyre ishin nën 5 vjeç, ndërsa mbi një mijë i kanë takuar moshës shkollore. Gjatë leximit të historive të trishta të personazheve të këtij libri, do të na parafytyrohen eskadronët serbe të vdekjes që bridhnin me listë në dorë të njerëzve që i kishin futur në planet e tyre për likuidim, e ku figuronin edhe emrat e disa mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve. Sepse, krimi serb në Kosovë ishte i paramenduar, i organizuar dhe i planifikuar. Është kjo dhunë shtetërore serbe, gjenocid e etnocid mbi shqiptarët që e ka historinë e vet shekullore.

Prandaj monografia në fjalë është një libër monumental për arsimtarët dëshmorë të arsimit tonë kombëtar të rënë në luftën e fundit të Kosovës, një monument historiko-shkencor, të cilin pena e dalta e dy bashkautorëve e gdhendi dhe e latoi, e gatoi dhe e brumoi, duke vënë në spikamë aftësinë dhe mjeshtërinë, si dhe përkushtimin maksimal. Historitë e mësuesve dhe arsimtarëve shqiptarë janë historitë më të bukura të frymëzimit për brezat. Nuk thuhet kot se pas nënave shqiptare janë mësimdhënësit shqiptarë më meritorët, falë të cilëve nuk u shuam dhe mbijetuam si njerëz e si shoqëri shqiptare që mendon e flet shqip. Arsimtarët janë ata që gjatë historisë sonë e kanë mbajtur të ndezur flakadanin për luftën për liri kombëtare.

Dëshmi për këtë është edhe mbijetimi i shkollës shqipe në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, kur mësimdhënësit shqiptarë, në kushte e rrethana të okupimit klasik nga Serbia, e mbajtën gjallë shkollën shqipe nëpër shtëpi-shkolla. Me punën e tyre vetëmohuese, ata u bënë sinonim i qëndresës dhe mbetën krijuesit e ndriçuesit e përditshëm të shpirtit shqiptar në Kosovë, duke u bërë drita të pashuara që ndriçuan udhën e çdo fëmije shqiptar që ndoqi shkollën.

Bashkautorëve të kësaj monografie që pasqyron në mënyrë objektive dhe faktografike sakrificën e arsimtarëve dëshmorë që dhanë edhe jetën për liri e pavarësi, Qazim Berisha e Zymer Mehani, u lumtë mendja e pena që na dhuruan këtë vepër madhore e monumentale.

Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për arsimtarët dëshmorë, të cilëve do tu takon përjetësia në kujtesën e popullit dhe të atdheut të vet, si dhe do të bëhen burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat