In memoriam: Akademik Luan MULLIQI (1953 – 2023)

Kultura

In memoriam: Akademik Luan MULLIQI (1953 – 2023)

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 23 tetor 2023 Në ora: 12:27

Sot, papritmas  më 22 tetor, në ora 13. 30 mora lajmin që edhe një shok, mik, vëlla, kishte braktisur këtë jetë dhe botë dhe kishte kaluar  mbrëmë në amshim, skulptori i madh dhe tejet i njohur në botën e vogël shqiptare, por edhe më gjerë, akademi Luan MULLIQI, që unë e quaja me simpati dhe dashuri “Mjekra”.

U befasova, u shtanga, më erdhi shumë keq, sepse dy ditë më parë kisha komunikuar me të nëpërmjet telefonit  WhatsApp, duke e bërë pjesëmarrës të promovimit të librit tim: Nëna Tereze, dashuria në veprim, DRITA, Prishtinë dhe  Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore  e Kulturore  të Shqiptarëve – Shkup, 2023, por në heshtje, pa përgjigje dhe reagim. Nuk e kam ditur që ai e kishte një front dhe “luftë” tjetër, shumë më të vështirë dhe të rëndësishme, mes jetës dhe vdekjes...

Dhe si duket, ka fituar vdekja, por nuk është ashtu. Vërtet ai mbrëmë vdiq, iu ndal frymëmarrja, iu mbyllen sytë, iu shtagën duart me të cilat një jetë të terë kishte “gdhendur” portrete, fytyra, figura,  shtatore, buste, ndër të cilat dallohen: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Nëna Tereze, Ismail Qemaili, Fehmi Agani e shumë të tjerë...

Dhe pikërisht këto vepra, si dhe vullneti për jetë dhe krijimtari, me të cilat ka begatuar, gjallëruar dhe fisnikëruar  kohën dhe botën tonë, dëshmojnë bindshëm për pavdekësinë e tij, për shpirtin e madh dhe bujar, për zemrën e hapur dhe fisnike, për duart mjeshtërore dhe në veprim – gdhendje, për sytë e tij të vegjël, por gjithnjë të hapur dhe në kërkim te të bukurës, të mirës, të drejtës, të vërtetës, të jetës dhe të Dashurisë, duke “mbjell” farën e mirë të amshimit dhe të pavdekësisë kudo, ndër ne, në trojet tona ilir, arbërore dhe shqiptare, por edhe në hapësira tjera, me një stil tashmë tejet të shquar dhe shumë të dalluar, karakteristik, “mulliqian”.

Reagimi im i parë ishte dhembja, pikëllimi, mërzia, konstatimi: edhe një vëlla dhe krijues i mirëfilltë më la, na la, iku,  kaloi në amshim, apo në stilin e Shën Nënës Tereze: u kthye në Shtëpinë e Atit. Pas kësaj vijova të lutëm, dhe thënë të vërtetën, u qetësova. Si faza e tretë e përjetimeve, ishte “lundrimi në kohë dhe në hapësira”, ku gufonin shumë kujtime, takime, afrime, bashkime, bashkëpunime, sidomos pas Luftës 1998 – 1999.

Ishte një krijues i mirëfilltë, gjenial, me mendje të ndritur dhe zemër të madhe, duke iu gëzuar çdo lloj veprimtarie, botimi, suksesi.

Galeria e Arteve të Kosovës gjatë udhëheqjes së tij pas Luftës ishte bërë pikë e shumë takimeve kulturore dhe shpirtërore kombëtare dhe ndërkombëtare, me figura dhe personalitete të shquara ndër ne dhe në botë, si Sekretari i Kombeve të Bashkuara – OKB-së Koffi Annan, Bill Clinton, Tony Bler, Altisari dhe shumë të tjerë.

Luan Mulliqi ishte “avokati” i çështjes sonë kombëtare – shqiptare, dhe pa kurrfarë kursimi apo përfitimi, dëshmonte, shpjegonte, dhurohej në çdo kënd dhe vend, me shumë përkushtim, atdhedashuri dhe bindje, me përgatitje njerëzore, kombëtare dhe profesionale.

Kur ia dorëzova librin tim të parë “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri”, pas e shfletoi pak botimin, ma shtriu dorën dhe  më tha: “E paske prekur një plagë të madhe shqiptare..., shpresoj me urti, mirësi dhe shumë dashuri, sepse vetëm kështu ne mund ta shërojmë vetveten dhe të tjerët...”

Dhuratën e monografisë së parë time  “Nëna jonë Tereze”, e cilësonte si “Ungjilli shqiptar”,  dëshmi e madhe e urtisë, bujarisë, mikpritjes dhe bamirësisë sonë, prandaj edhe si përgjigja më e mirë, tejet bindëse dhe jetësore, kush jemi ne, çka duam dhe duam atë ta zbatojmë. Më tha: “Të falënderoj, Don Lush, që Nënën Tereze ia solle botës shqiptare, dhe më gjerë, mbarë njerëzimit... Më ke ngacmuar dhe prekur në damar të zemrës, në zemër, pra, do ta punoj një shtatore të saj për aeroportin e Tiranës..., në shenjë shigjete, rrënje dhe trekëndëshi, simbole këto që flasin dhe dëshmojnë vetvetiu...”

Skulptori Luan Mulliqi e bëri të pavdekshëm ideatorin e Kosovës demokratike, bashkëpunëtorin e ngushtë të Dr. Ibrahim Rugovës, prof.. Fehmi Aganin, para Universitetit të Prishtnës, si dhe shumë miq dhe figura ndërkombëtare, si Madeline  Albright dhe Bob Dole...

Populli ynë thotë bukur: Ku preku, shkrepi, ne do të themi në stilin tonë laik, “qëlloi”, la gjurmë, mbolli të mirën, bëri përshtypje, begatoi dhe aktualizoi historinë të  lashtë, martire dhe të lavdishme.

Në bibliotekën time kam dy dhurata të akademikut tonë Luan Mulliqi: shtatoren e Shën Nënës Tereze dhe të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Nuk guxoj të harroj dhe të mos përmendi dy ngjarje kulmore tona: lumturimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze në Romë, në Vatikan, (19 tetor 2003 dhe 4 shtator 2016), ku edhe ai, si dhe shumë shqiptarë intelektualë, krijues, autoritete publike, morën pjesë.

“Luani i madhe  dhe i mirë”, si e kam quajtur ynë me simpati dhe dashuri, ishte i stër-kënaqur, gati edhe euforik... Më tha: “Ti duhet të jesh njeriu më i lumtur ndër ne dhe në botë, se ke pasur rastin, fatin, kënaqësinë të takohesh shpesh me Nënën tonë Tereze, e ke njohur për së afërmi, e ke përshkruar në mënyrë mjeshtërore, neve shqiptarëve na e ke kthyer dhe dhuruar... Je vërtet vëlla i mirë dhe i madh., së bashku me Te dhe me ne...”

Unë iu përgjigja: “I madh është Zoti, populli ynë, familja Bojaxhiu, Gonxhja jonë, tashmë Shën Tereza, ne së bashku me Të”.

Sot kujtimet gufojnë, gërshetohet, qarkullojnë pa ndonjë renditje dhe kontrolle, dhe mua, përpos këtyre, veprave tua të mëdha dhe të pavdekshme kombëtare dhe ndërkombëtare,  me mbetet Zoti, kanali pashtershëm i komunikimit me Ty dhe me shumë miq të mi në amshim.

Pusho në paqe dhe gëzoje amshimin e lumtur!

Prishtinë, 22 tetor 2023                

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat