Kryeministri Kurti mori pjesë në ndarjen e çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit”

Kultura

Kryeministri Kurti mori pjesë në ndarjen e çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit”

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 08:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në ndarjen e çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit "Art Without Limit", Edicioni i 4-të.

I mbështetur nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ky festival është mbajtur pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, për ta shënuar atë me rrëfimet e tyre frymëzuese.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ka veçuar kategorinë e filmave të shkurtër, që përcjellin mesazhin "Edhe t’i mund t'ia dalësh". Ai tha se ndihet i gëzuar që mes figurave të suksesshme, të sheh emrin e Elion Palojes, i cili me interpretimin e mahnitshëm në piano, i ka mbetur në kujtesë nga prilli i vitit të kaluar, derisa tani, nëpërmjet filmit, audienca më të gjera do të mund të njihen me artin e tij.

“Nëpërmjet artit të shtatë, shoqëria do të njeh dhe çmojë mënyrat e panumërta me të cilat personat me nevoja të veçanta kontribuojnë në shoqëri. Të gjithëve do të na mësojnë më shumë për jetën nëpërmjet vetë jetës së tyre, gazetarja profesionale në Radio Kosovë, Lume Berisha; kampioni i notit nga Tirana, Gersi Troka; kampionja në gara me makina, teniserja dhe gjyqtarja profesionale e tenisit Samire Jupolli; sikurse edhe basketbollisti ynë Egzon Vatovci”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë ceremoni, kryeministri tha se në shtator ishte në ceremoninë e Lojërave Paralimpike “Kosova 2023”, që këtë vit përfshijnë 13 disiplina sportive, teksa përmendi faktin se është shtuar shumëfish mbështetja financiare për Komitetin Paralimpik të Kosovës, nga 15 mijë euro sa ishte deri në vitin 2020, në 100 mijë euro tani, ndërkohë që po përgatitet një mbështetje të veçantë për pjesëmarrjen në Lojërat Paralimpike Paris 2024, që do të jetë e para në histori.

“Derisa e festojmë sonte dhe e nderojmë diversitetin së bashku, duke nderuar njerëzit me nevoja të veҫanta, ata duhet t’i nderojmë çdo ditë në ndërveprimin tonë, në komunikimin tonë, që t’ua shtojmë ndjenjën e përkatësisë, e t’ua mundësojmë jetën me dinjitet. Garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut përveҫse çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme”, tha kryeministri Kurti në fund të fjalës së tij.

Në përmbyllje të festivalit, Kryeministri ndau çmimin kryesor, që këtë edicioni i takoi filmit “Aggrappati a ME” të regjisorit italian, Luca Arcidiacono.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara drejtoreshë e festivalit, znj.Ganimete Sava,

I nderuari drejtor artistik, z.Burim Haliti,

I nderuari Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

Shkëlqesia juaj, z. Antonello De Riu, ambasador i Italisë në Kosovë,

Shkëlqesia juaj, z. Petrit Malaj, ambasador i Shqipërisë në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të shteteve mike,

Të dashur aktivistë dhe përfaqësues të organizatave të personave me aftësi së kufizuar,

Të dashur artistë e artdashës, zonja dhe zotërinj,

Jam i lumtur që jam sonte këtu bashkë me juve, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit ndërkombëtar të filmit “Art Without Limit”, apo “Arti pa kufi”. Gëzohem që nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi mbështetur këtë festival, që është tamam ashtu siç e përshkruani, pra festë e diversitetit, e gjithëpërfshirjes dhe e shpirtit të paepur njerëzor.

Është kënaqësi e veçantë që jemi këtu pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, për ta shënuar atë me rrëfimet e tyre frymëzuese. Do të veҫoj kategorinë e filmave të shkurtër, që përcjell mesazhin "Edhe ti mund t'ia dalësh". Mes figurave të suksesshme, u gëzova që pash emrin e Elion Palojes. Nga prilli i vitit të kaluar më ka mbetur në kujtesë të paharrueshme interpretimi i mahnitshëm i tij në piano. Tani, nëpërmjet filmit, audienca më të gjera do të mund të njihen me artin e tij.

Nëpërmjet artit të shtatë, shoqëria do të njeh dhe çmojë mënyrat e panumërta me të cilat personat me nevoja të veçanta kontribuojnë në shoqërinë tonë. Të gjithëve do të na mësojnë më shumë për jetën nëpërmjet vetë jetës së tyre, gazetarja profesionale në Radio Kosovë, Lume Berisha; kampioni i notit nga Tirana, Gersi Troka; kampionja në gara me makina, teniserja dhe gjyqtarja profesionale e tenisit Samire Jupolli; sikurse edhe basketbollisti ynë, Egzon Vatovci.

Në shtator isha në ceremoninë e Lojërave Paralimpike “Kosova 2023”, që këtë vit përfshijnë 13 disiplina sportive. Ne kemi shtuar shumëfish mbështetjen financiare për Komitetin Paralimpik të Kosovës, nga 15 mijë euro sa ishte në vitin 2020, në 100 mijë euro tani. Po bëjmë gati mbështetje të veçantë për pjesëmarrjen në Lojërat Paralimpike Paris 2024, që do të jetë e para në histori.

Aktivitete të këtilla pasurojnë shoqërinë dhe na shërbejnë për të rritur njohuritë për aftësinë e kufizuar, dhe për të ndryshuar ndjeshmëritë dhe botëkuptimet tona. Na mundësojnë njohjen dhe nderimin e talenteve të personave me nevoja të veçanta, si anëtarë të çmuar të shoqërisë sonë.

Ky festival, përtej artistikes, kontribuon në ndërgjegjësimin në rritje, të cilin duhet ta përkthejmë bashkë në rritje të veprimit të përbashkët për të adresuar sfidat e shumta. Nëse jemi pjesëtarë të së njëjtës shoqëri, atëherë këtë e dëshmojmë pikërisht nëpërmjet solidaritetit me njëri-tjetrin.

Andaj të nderuar të pranishëm,

Derisa e festojmë sonte dhe e nderojmë diversitetin së bashku, duke nderuar njerëzit me nevoja të veçanta, ata duhet t’i nderojmë çdo ditë në ndërveprimin tonë, në komunikimin tonë, që t’ua shtojmë ndjenjën e përkatësisë, e t’ua mundësojmë jetën me dinjitet. Garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut përveҫse çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme.

Unë ju falënderoj të gjithëve për punën, angazhimin, rolin dhe kontributin tuaj për të drejtat e njeriut, për ndryshimin progresiv e pozitiv të shoqërisë dhe të vendit tonë. Në vitin e ri 2024, le t’i shtojmë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, e bashkërisht të krijojmë një të ardhme me mundësi më të mëdha për secilin dhe secilën.

Urime për këtë festival e ju faleminderit edhe një herë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat