“Kur t’shkojsh me lindë, kom me ta bo ma zi se Hamide Magashit”/ Llapjani kërcënon gruan e tij shtatëzënë, shpallet në kërkim policor

Lajme

“Kur t’shkojsh me lindë, kom me ta bo ma zi se Hamide Magashit”/ Llapjani kërcënon gruan e tij shtatëzënë, shpallet në kërkim policor

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 21:29
Ilustrim

Dhuna në familja vazhdon të mbetet një ndër dukuritë më shqetësuese në vend, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes.

Ato madje nuk ‘kursehen’ nga sulmet as gjatë muajve të shtatzënisë, duke qenë kështu në rrezik të madh.

Më dhunë në familje është përballur për një kohë edhe një grua nga fshati Magurë e Lipjanit, e cila tash e disa vite është e martuar në Batllavë të Podujevës.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 23-vjeçarja shkaku i dhunës në familje ishte ndarë nga bashkëshorti dy muaj më parë, por që ishte kthyer prapë në shtëpinë e tij me shpresën që raportet mes tyre do të përmirësohen.

Por viktima e cila është nënë e dy fëmijëve dhe në pritje të fëmijës së tretë, sërish ka shkuar të jetojë në shtëpinë e babait të saj në Magurë, shkaku i problemeve me vjehrrën e saj.

Sipas burimeve ajo sot ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi bashkëshorti i saj e ka kërcënuar përmes telefonit se posa të shkojë në spital për të lindur, ‘do t’ia bëjë më zi se asaj në Llugaxhi’, duke aluduar në vrasjen makabre të Hamide Magashit, të cilën bashkëshorti e privoi nga jeta në javën e 41-të të shtatzënisë.

E frikësuar dhe e shqetësuar nga fjalët e bashkëshortit, 23-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, teksa ka bërë me dije se ajo duhet të shtrihet në spital dhe për këtë arsye ka kërkuar nga i dyshuari që të shkojë dhe t’i marrë fëmijët.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë vënë në lëvizje për të kapur dhe arrestuar të dyshuarin, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat