“Trutë n’tokë t’i qes...”, 32-vjeçarja kërcënohet nga kunati, ia ndalon të qëndrojë në shtëpinë e burrit

Lajme

“Trutë n’tokë t’i qes...”, 32-vjeçarja kërcënohet nga kunati, ia ndalon të qëndrojë në shtëpinë e burrit

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 22:41
Ilustrim

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Së fundi Policia ka intervenuar edhe në një familje në Fushë Kosovë, ku një burrë po dyshohet se ka kërcënuar kunatën e tij.

Burimet kanë bërë me dije se i dyshuari ka përfunduar dy herë brenda ditës në Polici, pasi fillimisht ishte liruar kur u denoncua nga prindi i kunatës së tij, të cilin dyshohet se e kërcënoi po ashtu.

Gjithë rasti dyshohet se ndodhi pasi i dyshuari u kap me gruan e vëllait, të cilën e ka kanosur seriozisht dhe nuk e ka lejuar të qëndrojë në shtëpinë e burrit të saj.

Ai po dyshohet se e ka paralajmëruar se do ta pësojë keq, duke iu drejtuar me fjalët “Trutë në tokë t’i qes…”.

Përballë kësaj situate, prindi i viktimës e ka raportuar sërish rastin në Polici, me ç’rast u zbuluan të gjitha detajet dhe si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Kanosje’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat