Ish-diplomati serb: Pas ndryshimit të kapitullit me “vija të kuqe”, pjesëmarrja e Serbisë në dialog sillet në pikëpyetje

Lajme

Ish-diplomati serb: Pas ndryshimit të kapitullit me “vija të kuqe”, pjesëmarrja e Serbisë në dialog sillet në pikëpyetje

Më: 23 prill 2024 Në ora: 11:24
Zoran Millivojeviq

Diplomati serb në pension, por gjithnjë në shërbim të liderit suprem serb, Zoran Millivojeviq ka thënë se duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit në kapitullin 35, BE-ja po përpiqet t’i imponojë me forcë Serbisë që marrëveshja, e cila nënkupton njohjen de facto të Kosovës, të bëhet e detyrueshme për të. Kjo, sipas fjalëve të tij, hyn në zonën e “vijave të kuqe” për Serbinë dhe vë në pikëpyetje procesin e mëtejshëm të negociatave.

“Sipas kësaj, qëndrimi i BE-së definitivisht bëhet i qartë – se ajo nuk është më neutrale ndaj statusit dhe se ka vendosur të bëjë presion mbi Serbinë që të njohë “të ashtuquajturin” realitet të ri, d.m.th. të pranojë njohjen de facto të Kosovës sepse plani franko-gjerman, gjegjësisht Marrëveshja e Ohrit, përmban pikërisht këtë”, ka thënë Millivojeviq për portalin serb “kosovoonline”.

Ai ka pretenduar se kjo shihet qartë në nenin 2 dhe 4, duke kujtuar se neni 2 kërkon që Serbia të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe t’i japë përparësi parimit të vetëvendosjes së të drejtës ndërkombëtare në raport me parimet tjera të sovranitetit dhe integriteti territorial.

Kjo, sipas tij, është një udhërrëfyes i qartë drejt njohjes de facto.

Në anën tjetër, ai thekson se neni 4 kërkon që Serbia t’i lejojë Kosovës qasjen në organizatat ndërkombëtare pa përjashtim, ku përfshihen OKB-ja dhe organizatat e sistemit të OKB-së.

Prandaj, përfundon ai, Serbia ka rezerva për Marrëveshjen e Ohrit dhe “nuk e konsideron atë të detyrueshme”.

“Përfshirja në kapitullin 35 është një përpjekje për t’i imponuar Serbisë me forcë se Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme për Serbinë dhe se është kusht për negociatat e anëtarësimit, d.m.th për anëtarësimin në BE në të ardhmen, kur të ndodhë. Kjo tashmë është plotësisht e qartë dhe vë në pikëpyetje procesin e mëtejshëm negociues sepse tashmë hyn në “vijat e kuqe” për të cilat Serbia nuk është e gatshme dhe për të cilat nuk mund të negociohet me Serbinë, sepse kemi të paktën tre kufizime – Kushtetutën e Serbisë, disponimin dhe qëndrimin e përgjithshëm të shumicës në vend dhe së fundi, e drejta ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244, e cila thotë diçka krejtësisht tjetër”, ka pretenduar Millivojeviq.

Ai gjithashtu ka pretenduar se me futjen e Marrëveshjes së Ohrit në kapitullin 35, “BE-ja po diskrediton veten si ndërmjetës në negociatat për normalizim”, sepse, sipas fjalëve të tij, është duke bërë një deklaratë statusi.

I pyetur nëse me hyrjen e Marrëveshjes së Ohrit në kapitullin 35, vendet që nuk e njohin Kosovën e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në OKB, Millivojeviq thekson se ka një lloj ekuilibri juridik dhe politikë në këtë çështje.

Ai thekson se në Marrëveshjen e Ohrit nuk ka asnjë dispozitë për njohje, por se dispozitat në këtë dokument krijojnë kushtet për të.

“Aty është arritur një lloj konsensusi me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ku fokusi është te Serbia, nëse ne e njohim, atëherë nuk do t’i detyronte, pastaj do të mbështeteshin në të dhe pastaj do ta trajtonin atë njësoj si ne, pra, njohjen de facto, ata do ta trajtonin si njohje de jure dhe kështu do të silleshin me arsyetimin se Serbia vet e bëri këtë. Sikur ta bënim këtë, ne do të krijonim kushtet që sipas modelit gjerman të vitit 1974, të krijojmë mundësi që Kosova të legjitimohet dhe fiton subjektivitet juridik ndërkombëtar dhe pastaj këto vende do të vepronin sipas një modeli pragmatik”, ka thënë Millivojeviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat